(Ri)kandidatët tanë, rrush pa kokrra
|
Emin AZEMI
Po flitet se do të kemi zgjedhje të parakohshme, por askush nuk po tregon se cilat do të jenë efektet e paskohshme të këtyre zgjedhjeve. Ata që kanë zbulu patentin e jetëgjatësisë në politikë, e kanë mendu mirë mekanizmin e funksionimit të pushtetmbajtjes, por kanë lënë pa përgjigje shumë pyetje e dilema. Bie fjala, a e kenë mendu ndonjëherë se poqese nuk zgjidhen deputetë këta që do të rikandidohen sërish, me çka do të merreshin në jetën e përditshme? Sepse në Perendim një ish-deputet a ish-ministër shumë komod i kthehet profesionit të tij të mëparshëm. Cilit profesion t’i kthehen këta tanët? Po ama dijnë të bëjnë politikë. Sepse vetëm te ne politika është kuptu si mbulim global i paditurive parciale. Ata që do të rikandidohen sërish nuk kanë ndonjë profesion për të qenë, ama lezetin politikës ia dijnë. Pse? Kush ka kërku prej tyre përgjegjësi për mospërmbushje të obligimeve që dalin nga madati i deputetit, ministrit, a drejtorit? Kush nga ta është shkarku në gjysëm të mandatit për mungesë perfomance? Cili prej tyre dha llogari për ndonjë projekt të premtuar elektoral, e që për iks arsye nuk është realizu?
Ata që do të rikandidohen, sigurisht do të jenë “rrush me mend”, sepse gjithë kohën e lirë e kalojnë duke meditu mbi ato që kanë lexu në fëmijëri. Kanë lexu shumë, që nga koha e fëmijërisë kur i kishin obligim “Lugjet e verdha”, ose “Posta e porositun”. Pastaj janë frigu me lexu shumë që të mos ndikohen nga të tjerët. E keni vërejt se kur flasin këta “të paprofesion” janë shumë origjinal, flasin me gjuhën që ata e kuptojnë. Ç’është e vërteta, të tjerët shumë pak e kuptojnë atë gjuhë, për atë arsye parapëlqejnë të mos mbajnë shumë takime me bazën. Madje edhe kur mbajnë ndonjë takim protokollar, nuk marin fare shënime, sepse “krejt në krye i kanë”. Ata në krye kanë aq sa të shkojnë deri në shtëpi, t’i tregojnë gruas se janë fotografu me një “jabanxhi” të rëndësishëm, dhe aq. Shumë rrallë ka ndodhur që dikush nga elektorati t’ua ketë pa hajrin përfaqësuesve të tyre nga ato fotografime. Të shkëputur nga baza, politikën “e madhe” e dirigjojnë nga kabinetet, ani çka se projektet e shumta u “flejnë” nëpër sirtarë.
Bartësit e listave zgjedhore me automatizëm janë liderët dhe populli është “i dënuar” me automatizëm të votoj pë ta. Pas tyre vijnë të përkëdhelurit e liderit dhe kah fundi vijnë do disidenta të padefinuar. Nuk ka konkurrencë, nuk ka selektim të cilësisë, nuk ka prurje të reja, por ka ambicie të pashteruara për të dërguar në Parlament edhe një grup hallexhinjsh që do të marrin rrogë. Pikërisht ata që në ditët në vijim do të mundohen të na bindin se janë më të mirët, por pa na treguar se si erdhi puna që vetëm emrat e tyre të rrotullohen për këto 10-15 vjet në ruletin bajat të politikës. Po t’i pyesni strategët partiak të politikës kadrovike do të dëgjoni arsyetime nga më të ndryshmet që mundohen të justifikojnë rizgjedhjen e “facave” të njëjta. Por, nuk do ta dëgjoni asnjë arsyetim se pse në partitë e tyre nuk ekziston mekanizmi i përgjegjësisë për punën e pakryer, për premtimet kuturu që asnjëherë nuk arrijnë të bëhen realitet dhe për shumë budallallëqe të bëra nga këta të pashmangshmit e listave të deputetëve.
Në anën tjetër, është fascinuese ndarja “manifakturale” e sferave politike në Maqedoni. Individët shqiptarë mbushin gropa me asfalt parazgjedhor, në skajet e harruara të komunave rurale, kurse në anën tjetër, shteti njënacional i maqedonasve derdh para marramendëse për të siguruar ardhmërinë ekonomike, sociale, kulturore e zhvillimore të maqedonasve etnikë. Në zonat e banuara me shqiptarë, gara brendashqiptare e kandidatëve për deputet asnjëherë nuk do të përfundojë dhe gropat e rrugëve tona do të ngelin gjithmonë “referenca” për një histori inferioriteti e degradimi kombëtar. Sa më shumë “referenca” të tilla në milieun tonë politik, aq më të lavdishme do ta kemi krenarinë kombëtare të kryeministrave maqedonas. Ndryshe, kësaj i bie që partitë politike shqiptare në mikroplan punojnë për të mbushur gropa me asfalt parazgjedhor, kurse në makroplan kujdesen të mos u bie rejtingu i kryeministrave maqedonas. Fundja, kush mund të na bindë që krejt ky sukses politik i liderëve maqedonas nuk është edhe një faturim në llogari të punëve të pakryera të liderëve shqiptarë.
Themelet bazë mbi të cilët do të duhej të vendoset e ardhmja e partive tona politike, do të ishin, pa dyshim, prurjet e reja partiake, emrat e rinj që po shkollohen nëpër universitete prestigjioze evropiane, profesionistë të dalluar të fushave të ndryshme, autoritete që rrezatojnë prestigj dhe admirim në rrethet e tyre etj. etj. Por, sa kanë shanse këto prurje të reja të futen në rrjedhën e ashpër të politikës sonë kadrovike. Disa kuadro të betonuar të cilët me atë pak copë shkollë që mezi e kanë kryer pasdarkave dhe me ato merita informale që lidhje s’kanë me ngritjen normale në karrierë, frikohen si dreqi prej kryqit nga konkurenca e pastër brendapartiake, frikohen nga ata që në vend të dallavereve kanë kry shkollë dhe janë paisur me dije të verifikuara nëpër universitetet prestigjioze të Evropës. Për këta të fundit mund të gjendet ndonjë “punë fisnike”, sepse edhe ashtu ende s’ka filluar ngjitja nëpër mure e pankarteve elektorale, ende s’ka filluar ngulja e flamujve partiak nëpër shtylla elektrike dhe ende s’ka filluar bredhja nga dera në derë për shpërndarjen e thasëve me miell dhe kutive me makarona, suxhuk e pashteta. Dhe , kush më mirë se këta të posadiplomuarit e universiteteve prestigjioze mund të bëjë shpërndarjen e këtyre “produkteve elektorale”. Të presim e shohim a do të jetë ndryshe në këto zgjedhje që po paralajmërohen për në prill.
/Koha/











