Rreth numrit të popullsisë në Maqedoni dhe emrit diskutabil të këtij shteti - tetova1

Rreth numrit të popullsisë në Maqedoni dhe emrit diskutabil të këtij shteti


reshatnexhipi
Kategoria: Opinione

Postuar më: Pre, Shk 7, 2014

Lexuar: 388 herë



RESHAT NEXHIPI
Shqiptarët, sipas ish kryeministrit, po bëhen shumicë, prandaj duhet u fokusuar në definimin final të emrit

Në vend të hyrjes
Dervish Hima, në Kongresin e Dytë të Manastirit,1910, tha: “Mos përmendim më tepër fjalët toskë, gegë, labër, çamë etj. por vetëm shqiptar”, kurse 100 vjet më vonë, themeluesi i Universitetit të Tetovës, dr. Sulejmani, porositi: “Mos përmendim më 23 përqindëshin e sajuar nga Gligorovi, por 40 përqindëshin real të numrit të përgjithshëm të shqiptarëve në Maqedoni”, gjë që të cilën e konfirmon edhe deklarata e ish Kryeministrit të Maqedonisë, Gjorgjievskit, se pas 15 vjet, shqiptarët bëhen shumicë në këtë vend. Kjo deklaratë të bën të supozosh se qysh tani numri i dy popujve në fjalë është i barabartë, prandaj dhe elementet e emrit të shtetit,sipas kësaj logjike, duhet të jenë të tilla, gjë që do ti përgjigjej plotësisht realitetit historik dhe si i tillë do konsolidonte vendin,do relaksonte raportet ndëretnike si dhe do mbronte identitetin kombëtar të maqedonëve i cili po u rrezikohet dita-ditës nga ana e tre shteteve fqinj.

Rreth deklaratës së ish Kryeministrit dhe të disa të tjerëve
Para se ta bëjë këtë deklaratë, me siguri, ka konsultuar literaturë përkatëse,që ka të bëjë me zhvillimin e procesit të përqindjes së natalitetit dhe mortalitetit tek dy popujt më të mëdhenj të këtij shteti. Pra,nuk kemi të bëjmë me njeri sidokudo që të mos përfillim opinionin e tij. Por, nuk është vetëm ky, që ka ,,zbuluar Amerikën,,.Ka edhe plot të tjerë që kanë pothuajse të njëjtin mendim Dr. Fadil Sulejmani, në një rast, ka thënë: “Në Maqedoni jetojnë rreth 1 milion shqiptarë (Fakti, 30 tetor, 2010), kurse Sabri Godo: 800 mijë (misioni TV. Shkupit, në shqip,11.11.2010)
Nuk janë këta njërës që mund të flasin në hava,por personalitete me reputacion evropian dhe më gjerë. Të kujtoj se prof. dr. Fadil Sulejmani, për merita të veçanta në arsim, shkencë dhe kulturë, është nominuar “Personaliteti i shekullit 21” nga qendra internacionale e biografive të personaliteteve më të shquara me seli në Kembrixh. Sabri Godo njihet si një ndër historianët më të shquar të Shqipërisë dhe kombit në përgjithësi, prandaj dhe, sa e di unë, nuk ka polemizuar ndonjë me ta.

Rreth numrit real të popullsisë
Po e zëmë se historianët ose politikanët maqedonas, nuk kanë lexuar deklaratat në fjalë,prandaj dhe nuk kanë reaguar, por, kjo, nuk mund të thuhet edhe për dy deputetët e PDSH-së,dhe për kryetarin e kësaj partie, të cilët kushedi sa herë kanë theksuar se në Maqedoni jetojnë 1 milion shqiptarë dhe,për çudi, sa kam mundur të vë re, asnjë nuk ka reaguar për këtë. Nëse gaboj, kërkoj falje. Sidoqoftë, nuk është kjo me rëndësi, por numri real i popullsisë. Në favor të deklaratave të tyre, shkon edhe ndërprerja e procesit të regjistrimit të popullsisë, menjëherë posa filloi. Kjo, ndodhi,për shkak se, qysh në fillim, u pa që numri i shqiptarëve do befasonte, për shkak se perëndoi koha e regjimit komunist kur,për interesa personale, ose nga frika, shumë vlleh, romë, torbeshë etj. deklaroheshin për maqedonas, kurse një pjesë e shqiptarëve pa ndjenja kombëtare, të helmuar nga fanatizmi fetar,, për të mos e humbur fenë turke,,ose për t i shpëtuar epiteteve nacionalist, iredentist, etj. deklaroheshin për turq.

Torbeshët ndër “fajtorët” kryesorë për ndërprerjen e procesit të regjistrimit të popullsisë
E them këtë sepse qysh në fillim, u pa që, pjesa më e madhe e tyre po deklaroheshin për shqiptarë për shkak se,veç tjerash, intelektualët e kësaj popullate, kanë kuptuar më, që,përveç fesë,me shqiptarët i lidh edhe historia e vjetër e tyre. Ja pse. Kur sllavët okupuan trojet ilire, një pjesë e madhe e këtyre të fundit, ilirëve pra, për të shpëtuar jetën,u larguan në vendet e sotme të Shqipërisë, por pa harruar trojet e stërgjyshërve të vet. Kujtimet nga trevat autoktone përcilleshin brez pas brezi,prandaj dhe shumë nga familjet e tilla, pas ardhjes së turqve në Ballkan, u kthyen në vendet e të parëve, por kryesisht me emra të qyteteve ose fshatrave ku kishin jetuar deri atëherë, p.sh. Mati, Korça, Klenja etj., gjë që historianët sllavë, e shfrytëzojnë për t i paraqitur si ardhacakë të shekujve 17,18 etj.,duke e anashkaluar historinë e mëparshme, pra që ata u kthyen në vendete stërgjyshërve të vet.
Kjo pjesë e popullatës iliro-shqiptare, e larguar pra në Shqipërinë e sotme, e ruajti gjuhën e vet, gjë që nuk vlen për pjesën tjetër të vendasve ilirë, të cilët, për shkaqe të ndryshme, nuk u larguan dot nga sllavët dhe, si pakicë, mbetën nën kanxhat e tyre, duke humbur gradualisht edhe gjuhën iliro-shqiptare, ashtu siç ndodhi edhe me ata të Rekës etj. të cilëve, tani u dolli frika,mos them gjumi, për të treguar se ç’janë.
Mos harrojmë: Flasim për historinë e torbeshëve, pra, për ata që mbetën në këtë anë të kufirit, pas ardhjes së sllavëve me të cilët, siç thashë, pa dashje, e lidhë fatin e vet.Këta, si pakicë dhe jo sllavë, ishin të pa dëshirueshëm dhe të diskriminuar nga shumica ardhacake. Prandaj, nuk ishte gjë e rastit që për t u diferencuar nga okupuesit, përqafuan fenë islame, por nuk e larguan dot gjuhën sllave, e cila, u mbeti si zorra qorre. Kjo është e kuptueshme, sepse feja mund të ndërrohet në çdo moment, por jo edhe gjuha.

Pse këta njerëz u quajtën torbeshë
Ja pse. Për shkak të fesë, ishin të padëshirueshëm nga sllavët, gjë që vlen edhe për sot, kurse për shkak të gjuhës, ishin të pa dëshirueshëm edhe nga turqit. Prandaj, për të siguruar kafshatën e gojës së familjes së tyre, rrugëdalje të vetme kishin torbën në kurriz, për të gjetur punë gjithandej. Pikërisht kjo bëri që të fitojnë epitetin pezhorativ “torbeshë”, njësoj si shqiptarët, të cilët, në kohën e sundimit serb dhe të regjimit sllavo komunist maqedonas, fituan llagapin sharrëxhinj, për shkak se ky mjet u kishte mbetur i vetmi për të siguruar jetën e familjes. Pra, torba dhe sharra, kanë qenë emnuesi i përbashkët i dy popujve në fjalë, me të njëjtën origjinë, por që, siç thashë, kushtet dhe rrethanat politike dhe ekonomike kishin bërë të veten.
Erdhi koha që këto dy mjete, torba pra dhe sharra, t i bashkojë këta dy popuj përsëri, gjë që po shprehet përmes martesave të përziera, kërkesës për hapjen e shkollave shqipe, duke e hequr gradualisht gjuhën sllave, si mish i egër dhe i huaj,etj. Regjimet e mëparshme, serbe dhe komuniste maqedonase, i trajtonin dhe sit i trajtojnë për të vet, jo nga dashuria për ta, por për t i quajtur shqiptarët pakicë.

Si përfundim
Meqenëse çështja e emrit të këtij shteti, pas përmbi 20 vjet, siç duket, është në zgjidhje e sipër, duhet ne shqiptarët mos presim 15 vjet, për t u bërë shumicë, sipas ish Kryeministrit, por ajo që kam vendosur në titull, të aktualizohet tani, sa është hekuri nxehtë, sepse atëherë, edhe sikur të hidhemi përpjetë, do jetë e pa mundur një gjë e tillë. Dhe, meqenëse emri është i lidhur ngushtë me numrin e popullsisë,duhet aktualizuar edhe çështja e regjistrimit,ose të paktën të respektojmë porosinë e lartpërmendur të dr. Sulejmanit. E them këtë, sepse, disa të ashtuquajtur analistë shqiptarë, deputetë, etj. pa pikën e turpit dhe përgjegjësisë,citojnë me gojë plot 23 përqindëshin, gjë që përcillet edhe në Evropë, e cila ka të drejtë të na qortojë kur kërkojmë avancimin e pozitës shqiptare,madje ka zëra që thonë,,Pakica shqiptare në Maqedoni ka të drejta shumë më të mëdha se ajo në Shqipëri,,!! Ne dëgjojmë dhe kërdisemi së qeshuri,asgjë tjetër. Na rroftë e qeshura.
Shkurt:Mos humbim kohën duke u marrë me çështje të pa rëndësishme, siç është aktualisht edhe zgjedhja e Kryetarit të shtetit, i cili,kush do që të jetë, me marrëveshje ose pa të, për shkak të kufizimit të ingirencave kushtetuese, edhe sikur shqiptar të jetë, nuk na sjell dot ndonjë të mirë. Pra, në fokus duhet të jenë legalizimi zyrtar i numrit real të shqiptarëve dhe definicioni objektiv i emrit të shtetit i cili është letër njoftim i një populli, kurse zgjidhja e tyre mund të sjellë edhe kryeministër shqiptar. Në të kundërtën, Marrëveshja e Ohrit do mbetet vetëm në letër,kurse gjaku i derdhur i UÇK-së dhe dëmet e shkaktuara nga lufta e v. 2001, historia do t i quajë pothuajse të kota,ose të pakuptimta.