Sevdi Malsia
Sevdi Malsia, artist i palodhshëm (15 maj 1956 -)
Bekim Ramadani, muzikolog
Sevdi Malsia ka lindur më 15 maj 1956 në fshatin Sellcë të Malësisë së Sharrit – komuna e Tetovës.
Kontakti i tij me muzikën daton që nga fëmijëria, ndoshta edhe më herët, sepse frymëzimi i tij shpirtëror i ka rrënjët në trashëgiminë e hershme familjare. Gjyshi i tij Xhavit Iseni ka qenë këngëtar odash, muhabetqar i madh, ndërkaq daja i tij, Qamili, jo vetëm këngëtar, por edhe instrumentist.
Që në fëmijërinë e hershme, te Sevdiu janë vërejtur elemente të dashurisë për muzikën. Sa herë që diku kishte ndonjë ndeje, ndonjë aheng apo ndonjë ceremoni festive, Sevdiu i vogël afrohej pranë odës së burrave, qoftë duke vënë veshin te dritarja, qoftë duke shikuar përmes vrimës së derës dhe në këtë mënyrë mundohej t’i shoqëronte ata rapsodë me zërin e tij fëmijëror. I pëlqente mbi të gjitha interpretimi i Shaqir Pashkit, rapsodit të njohur të kësaj ane. Dhe jo vetëm kaq, ai donte të mësonte edhe për ato muhabete burrash që thureshin nga pleq fisesh, për ato histori të dhimbshme, por edhe të lavdishme.
Mendonte me imagjinatën e tij fëmijërore se po të kishte ndonjë vegël muzikore do të ishte fëmija më i lumtur i botës. Dhe kjo dëshirë iu plotësua pikërisht kur daja i tij Qamil Iseni – Berisha mori rrugën e kurbetit, me ç’rast këtij ia la në përdorim primin, atë instrument kordofon të cilin pas dy-tri ditësh e çakordoi dhe assesi ta binte në “dyzen”. Meqë atypari s’kishte njeri që mund t’ia rregullonte, jetonte në pritje të dajës së tij i cili pas kthimit nga kurbeti, jo vetëm që ia kishte akorduar telat, por edhe e kishte mësuar nipin për marifetin e interpretimit.
Nga dita në ditë, nga viti në vit, Sevdiu arriti ta përvetësojë jo vetëm teknikën e interpretimit në prim, por edhe në çifteli e sharki, e më pas edhe artin e të luajturit në violinë. Të arriturat e tij nuk mbaruan me kaq, sepse shumë shpejt ai do t’ia marrë edhe këngës. Talenti i madh muzikor i mundësoi që në moshë të re t’i bashkëngjitet si violinist duos: Qamil Berisha - çifteli dhe Xhemal Kryeziu – sharki.
Nga viti 1971, Sevdi Malsia filloi të jetë aktiv edhe nëpër ahengje e dasma duke krijuar me këtë rast një zonë më të gjerë të veprimit të tij artistik. Aktivitetin e tij folklorik e zhvilloi nëpër pjesën më të madhe të qyteteve shqiptare të Maqedonisë, duke u njohur me këtë rast edhe me muzikantë e këngëtarë të shumtë me të cilët kujton çaste të mira bashkëpunimi. Duhet përmendur këtu artistët e mëdhenj: Murtezan Ferati – fizarmonikë; Bibë Kosova - çifteli; Gazmend Berisha – violinë dhe shumë këngëtarë që këndonin sade (pa përcjellje instrumentale) dhe me shoqërim të veglave muzikore.
Nga viti 1983 ai ka qenë aktiv edhe nëpër odat e Drenicës, Llapit e Dukagjinit. Ka qenë shpeshherë i ftuar edhe në Bujanovc, Preshevë e Medvegjë. Gjatë këtyre udhëtimeve ka pasur rastin të njihet edhe me bilbilin e Kosovës - Augustin Ukaj, pastaj me rapsodin e pavdekshëm Tahir Drenica, si dhe me ikonën e folklorit drenicak – Hashim Shalën me të cilin ka realizuar dy albume muzikore.
Bashkëpunimi i tij me rapsodët e njohur: Osman Sefa, Shaban Baksi, Demir Krasniqi, Vehbi Xhigoli, Mahmut Ferati, Durmish Kadishani, Marjan Gojani dhe Gjergj Ukaj ka qenë shumë i përzemërt dhe tepër konstruktiv.
Sevdi Malsia gjatë fundit të viteve të shtatëdhjeta ka qenë anëtar aktiv i ShKA “Xheladin Zeqiri” të Tetovës. Aktivitetin e tij si këngëtar e instrumentist e ka ushtruar edhe në Shoqërinë Kulturore e Artistike “Huzri Tahiri” të fshatit Sellcë, por fatkeqësisht vetëm për një kohë të shkurtë, sepse shërbimet sekrete të kohës, për shkak të patriotizmit patetik, e kishin detyruar që ta braktisë këtë institucion së bashku me Bibë Kosovën. Në vitin 1984 ka marrë pjesë për herë të parë në Revistën e Folklorit Burimor Kosovar në Gllogovc, ku merr pjesë edhe për herë të dytë në vitin 1985. Ka marrë pjesë gjithashtu edhe në festivalet “Këngë Jeho” – Strugë dhe “Sharri këndon” – Tetovë, duke paraqitur në skenë gjithmonë burimoren, autoktonen dhe origjinalen.
Biografia e tij është e ngjeshur, sepse kreativiteti dhe aktiviteti i tij nuk kanë pasur të ndalur. Është shërbyer me këshilla e sugjerime të muzikantëve profesionistë, të kompozitorëve, të shkrimtarëve nga të gjitha trojet shqipfolëse.
Ka bashkëpunuar me tekstshkruesit e njohur: Fatmir Muja (Prishtinë), Gjovalin Dushaj (Lezhë), Muharem Gashi (Prishtinë), Arben Çejku (Kukës) dhe Shefqet Merra (Tiranë). Interpretimet e tij janë regjistruar nëpër shirita, CD e DVD, duke lënë pas vetes dhjetëra albume e qindra këngë. Rrallëkush nuk e ka dëgjuar “Këngën e Hikmetes”; “Sellcën e Moçme”; “Molla Sulën”; “Komandant Rokin”; “14 mars 2001-shin”; “N’maje t’Gurit Kuq”; “Tahir Sinanin”; “Te Molla e kuqe”; “Xhemë Gostivarin”; etj.
Ka marrë pjesë gjithashtu edhe nëpër shumë emisione të radios dhe programe televizive (Radio Fama, Tv-Alsat, TVM, RTP, etj.)
Aktivitetet e tij prej artisti kanë qenë të mirëpritura edhe nëpër Evropën Perëndimore, ku përmes disa koncerteve ka arritur ta shuajë sadopak mallin e mërgimtarëve për gjuhën, për këngën, për vendlindjen, për …Është me rëndësi të theksohet edhe pjesëmarrja e tij në Luftën e 2001-shit ku si pjesëtar i Brigadës 112 – “Mujdin Aliu” ka gëzuar respekt të veçantë nga të gjithë luftëtarët, pavarësisht moshës.
Sevdi Malsia ka merita të mëdha edhe në kuptimin edukativ e pedagogjik, sepse dashurinë për artin e tingujve ua ka përcjellë edhe shumë anëtarëve të familjes në mesin e të cilëve edhe vëllait të ndjerë, fizarmonicistit – Sherif Malsia dhe djalit të vet Bekim Malsia – klarinetistit të shkolluar dhe virtuoz.
Sevdi Malsia është këngëtar me zë të ëmbël, me një interpretim joimponues, por tepër reflektues. Karakteri i tij rapsodik vërehet jo vetëm përmes këngës, por edhe përmes të folurit, përmes sjelljes, përmes stilit, përmes natyrës së tij origjinale rapsodike, e përse jo edhe përmes “moshës”, sepse siç thotë populli “Kush knon, nuk plaket”.






