Shkëndija, ofertë Starovës, Kukësi s’e lëshon
|
Sulejman Starova, drejtori teknik i Kukësit, duket se do të largohet nga kjo skuadër. Nga sa mësohet, klubi i Shkëndijës së Tetovës, që drejtohet nga trajneri Shpëtim Duro, i ka bërë një ofertë teknikut, që duket se e ka joshur atë. Burime pranë klubit të Kukësit kanë bërë të ditur për “Panorama Sport” se Starova ka kërkuar që të largohet. Mirëpo, kjo duket se nuk do të jetë e lehtë, ndërsa mes klubit verior dhe drejtorit teknik vazhdojnë negociatat. Kjo për vetë faktin se Starova ka një kontratë të nënshkruar me këtë klub. Numri një i presidencës kuksiane, Safet Gjici, nga sa mësohet i ka kërkuar 10 mijë euro si dëmshpërblim për shkak të prishjes së njëanshme të kontratës. Tashmë, mbetet për t’u parë se si do shkojnë gjërat. E ndërsa nga njëra anë oferta e Shkëndijës së Tetovës është tunduese për Sulejman Starovën, nga ana tjetër atij i duhet të negociojë me klubin e Kukësit për ta zgjidhur këtë çështje në mënyrë konsensuale.











