Shkëndija prej sot në Antali
|
Ekspedita e Shkëndijës, sot e mërkurë në orën 07:00 të mëngjesit është nisur nga Tetova, ndërsa në orën 09:00 ka pasur fluturim drejt Turqisë. Skuadra deri më 22 shkurt do të qëndrojë në vendin e quajtur Belek në afërsi të Antalisë, ku parashihen të zhvillohen disa ndeshje kontrolluese.
Përndryshe gjatë ditës së djeshme në një konferencë për shtyp trajneri i Shkëndijës Shpëtim Duro, ka folur për pjesën e deritashme të përgatitjeve që skuadra e tij i ka zhvilluar fillimisht në Tetovës, e më pas edhe në Ohër, ku edhe zhvilloi dy takime kontrolluese.
“Gjithçka ka qenë shumë pozitive, ka shkuar çdo gjë sipas parashikimeve periudha e parë e përgatitjeve në Ohër. Skuadra është stërvitur shumë mirë me nga dy seanca në ditë, gjithmonë me atë kohën e rekuperimit. Është mirë që s’kemi pasur dëmtime, sepse pjesa e përgatitjeve është shumë e rëndësishme sa i përket problemit të dëmtimeve dhe për këtë vlerësoj se çdo gjë ka shkuar OK”, u shpreh Shpëtim Duro, që vlerëson lartë ndeshjet kontolluese.
“Në atë nivel të përgatitjeve që ishim ne nuk do të duhej të kishim kundërshtarë të fortë. Kemi zhvilluar tre ndeshje, një ndërmjet veti brenda grupit, ndeshjen e dytë me Vrapçishtin që ishte një skuadër e mirë dhe ndeshjen e tretë me ekipin e Zajazit. Sipas parashikimeve ne kemi plotësuar programin e ndeshjeve kontrolluese për këtë fazë, program ky i ndërthurut dhe i alternuar gjithmonë edhe me stërvitjen që asnjëherë nuk është ndalur. Edhe në ditët e ndeshjeve ne jemi stërvitur paradite dhe kemi luajtur pas dite”, – shtoi trajneri “kuqezi” Shpëtim Duro, i cili tani mendon për fazën e dytë në Antali.
“Tani na pret faza e dytë, skuadra duket se është mirë dhe normalisht është periudha më e rëndësishme. Do alternohen gjithmonë stërvitjet shpresoj me disa ndeshje kontrolluese që sigurisht se do t’i shërbejnë shumë ndeshjes së parë të kampionatit. Sa i përket kontigjentit, normalisht se jam i kënaqur me skuadrën. Grupi është i kompletuar si ekip, ka shumë konkurencë në çdo repart dhe kjo është shumë pozitive për sa i përket tërësisë si skuadër”, – përfundoi shefi stafit teknik i KF Shkëndija, Shëtim Duro.







