Shqipja në Listat zgjedhore vetëm për makijazh
Edhe përkundër insistimit të dy anëtarëve shqiptarë të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, emrat e votuesve në Listën zgjedhore do të mbeten edhe më tej vetëm në një gjuhë, në atë maqedonase. KSHZ miratoi të premten konkluzën që faqja e parë dhe e fundit e Listës zgjedhore të shtypen në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe në ato komuna ku shqiptarët janë mbi 20 për qind. Mirëpo, pjesa tjetër e listës zgjedhore, të dhënat e votuesve të regjistruar në atë listën do të mbeten vetëm në gjuhën maqedonase dhe alfabetin cirilik. Kjo situatë do të mbetet kështu edhe në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, pasi Enti Shtetërorë për Statistikë që merret me përpunimin e Listës zgjedhore, nuk ka mundësi teknike që ato ti përgatisë edhe në gjuhën shqipe. Nga përgjigja që ka marrë Komisioni Shtetëror Zgjedhor prej ESHS-së, softueri me të cilin azhurnohet Lista zgjedhore nuk është në dy gjuhë dhe i njëjti nuk mund të ndryshohet. Numri dy i KSHZ-së, Subhi Jakupi, thotë se kjo punë nuk është varur prej organit më të lartë që merret me përgatitjen e zgjedhjeve dhe ato nuk mund të ndërhyjnë në të. Ai rikujton se e vetmja gjë që në këtë pjesë varej prej tyre, faqja e parë dhe e fundit, do të jenë edhe në gjuhën shqipe në vendvotimet ku shqiptarët janë mbi 20 për qind.
“Enti Shtetëror i Statistikës nuk i ka të dhënat në gjuhën shqipe në softuerin që përpunon të dhënat e Listës së votuesve, andaj dhe nuk ka mundësi që me atë softuer ti përpunojë edhe në gjuhët tjera. Prandaj për momentin, në dy gjuhë do të shkojë faqja e parë dhe e fundit, pasi ato i përpunojmë ne dhe gjithçka që përpunon KSHZ shkon në dy gjuhë, ndërsa faqet e brendshme përpunohen nga Enti për Statistikë. Në përgjigjen e tyre na thanë se softueri i tyre është vetëm në një gjuhë - maqedonisht, dhe nuk mund të ndërhyjnë në softuer”, deklaroi Jakupi. Përveç kësaj, KSHZ në mbledhjen e së premtes miratoi edhe vendimin për definimin e ngjyrës së dukshme me të cilin do të shënohen votuesit që do të shfrytëzojnë të drejtën e votës. Bëhet fjalë për marker i cili do të ketë ngjyrë të zezë me 20 për qind argjend në përbërjen e vetë, do të jetë antialergjik, i dukshëm 24 orë dhe që nuk do të mund të fshihet me alkool dhe preparate të tjera kimike deri sa vetë të avullohet. Një marker i këtillë do të shërbejë për shënimin e 500 votuesve, ndërsa për gjithë vendin do të porositen 15 mijë të tillë. Me këtë do të zëvendësohet mënyra e deritanishme e shënimit të votuesve me sprej të padukshëm dhe kontrollit të tyre me llamba ultra vjollcë. Për shfrytëzimin e kësaj mënyre të verifikimit të votuesve, përfaqësuesit e KSHZ-së kanë shkuar në Shqipëri prej ku janë njoftuar me mënyrën e përdorimit dhe kanë huazuar një monstër, e cila të premten u promovua edhe para anëtarëve të tjerë të KSHZ-së dhe mediave. Markerët poashtu do të mbajnë logon dhe emrin e KSHZ-së edhe atë në dy gjuhë - maqedonisht dhe shqip në vendvotimet ku shqiptarët janë mbi 20 për qind. KSHZ përcaktoi edhe rregulla për votimin e personave të cilët nuk kanë mundësi që personalisht të shkojnë deri në vendet e votimit. Personat e palëvizshëm, të paaftë për tu kujdesur për higjienën personale, për tu ushqyer, ata me paralizë cerebelare dhe të fëmijëve të cilët do të dorëzojnë dëshmi mjekësore në Komisionin komunal dhe dëshmi për shfrytëzim të asistencës sociale për përkujdesje, do të votojnë një ditë më parë në shtëpitë e tyre në prezencë të të gjithë komisionerëve komunal.
Arben ZEQIRI






