Studentët nga Lugina e Preshevës vazhdojnë të bllokohen në pikat kufitare të Maqedonisë
Studentët shqiptarë të Luginës së Preshevës që studiojnë në dy universitetet shqiptare në Maqedoni vazhdojnë të bllokohen nëpër pikat kufitare të Maqedonisë.
Qindra studentë të këtij rajoni nuk po lejohen të hyjnë në territorin e Maqedonisë, me arsyetimin se gjoja nuk kanë të rregulluar statusin e vendqëndrimit. Ata edhe pse janë studentë të rregullt të Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT) dhe Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) në Tetovë dhe kanë të kryer të gjitha obligimet, megjithatë pengohen nëpër pikat kufitare.
Javën e kaluar, por edhe gjatë kësaj jave në pikën kufitare janë kthyer autobusë të tërë me studentë, nga ana e autoriteteve kufitare të Maqedonisë, me arsyetimin se nuk plotësojnë kushtet për vendqëndrim.
Sipas A.S, student nga Presheva, shumica e studentëve në rrugë të ndryshme po hyjnë në Maqedoni dhe duke gjetur variante të ndryshme, sepse janë të detyruar ta bëjnë këtë për të përfunduar studimet dhe provimet e afatit të semestrit të parë.
“Në rast se vazhdojnë këto peripeci ne do të largohemi plotësisht dhe do të transferohemi në Kosovë. Tashmë kemi nisur edhe të kërkojmë ofertat e universiteteve të Kosovës, pasi që shohin se nuk mbajnë llogari këto dy universitete në Tetovë”, thekson studentja Merita nga Bujanoci.
Problemi i njëjtë ka ndodhur edhe vitin e kaluar, ku përkohësisht ishte arritur një marrëveshje për kalim të studentëve, edhe atë pas një takimi që kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa kishte zhvilluar me ish-zëvendësministrin e brendshëm, Xhelal Bajrami. Mirëpo, pas kësaj marrëveshje të përkohshme pa ndonjë vendim zyrtar, vazhduan edhe më tej problemet e njëjta të studentëve.
Autoritetet e Maqedonisë kërkojnë që studentët e Luginës të plotësojnë kushtet për qëndrim të të huajve. Sipas ligjit, kërkohet që studentët të shkojnë në ambasadën e Maqedonisë në Beograd dhe të plotësojnë një numër të madh të kushteve, përfshirë edhe dokumente nga gjyqësia serbe dhe institucionet e tjera, si dëshmi për financa, dëshmi që nuk janë të dënuar, dhe dëshmi të tjera.
/tetova1-ina/







