‘Të frymosh’ me shpirtin e UEJL-së - tetova1

‘Të frymosh’ me shpirtin e UEJL-së


Kategoria: Arsim

Postuar më: Hën, Shk 24, 2014

Lexuar: 482 herë



Alarmi bie herët në mëngjes, përgatitje të shpejta dhe një copë buke (kanelbrod) e ngrohtë. Vrapoj për ta kapur tramvajin, disa “hej hej” në stacion, dhe voila - një fillim i ri i ditës, shënuar në kalendarin e jetës studentore në Geteborg. Edhe pse moti është i ftohtë dhe në shikim të parë duket se jam duke ndjekur një shkollë nate dhe jo ligjeratat e mëngjesit, emocionet rriten me kalimin e çdo dite.

Rrugëtimi studentor nisi tre vjet më parë, kur në “kryqëzimin” e zgjedhjeve në jetë, vendosa që të regjistrohem në studimet universitare në UEJL (Universitetin e Evropës Juglindore). Të jem e sinqertë, zgjedhja ime e parë për të studiuar ishte një drejtim krejtësisht ndryshe, por pas një procesi aktiv të “fosforeshencës cerebrale” (siç do të thoshte një profesor i imi i dashur), jo vetëm që u bë zgjedhja e duhur, por edhe e përkryer. U regjistrova në programin gjuhë dhe letërsi angleze, pasi që ky është programi më i përshtatshëm për një person me “vërshim të ndjenjave të furishme” të pakufishme që ka domosdoshmërinë për të dokumentuar zhvillimin e çdo mendimi të pjekur. Më vonë, kuptova se universiteti ofron mbështetje financiare, kështu që aplikova për ta sprovuar veten nëse jam e aftë për ta arritur këtë sukses. Dëshmova se kisha të drejtë. Rezultatet i morëm ditën e njëjtë të provimit dhe kuptova se e kam fituar bursën meritore. Ky ishte vetëm një hap më lartë në “shkallët e pallatit”. Sigurisht, se kjo do të thotë shumë angazhim dhe net pa gjumë, por kjo nuk ka rëndësi përderisa e dini se keni vendosur të studioni në programin që ju plotëson. A do të kishte qenë kjo e mundur pa një mjedis kreativ dhe staf të përkushtuar që ju frymëzon? Koha kalonte dhe të jem e sinqertë, unë e llogaritja atë me provimet që më kishin mbetur deri në fund të semestrit (si çdo student tjetër). Në këtë këndvështrim erdhi fundi i vitit dhe përjetova atë ndjenjë të lamtumirës. Por pastaj përsëri u ballafaqova me një sfidë tjetër – të jem studente në këmbim (exchange student). Natyrisht, gjërat kanë qenë më të lehta në ambientin ku i keni pasuruar gradualisht njohurit dhe jeni mësuar të “frymoni” sipas shpirtit të UEJL-së, por është shumë më sfiduese të jesh një studente nga Maqedonia në Geteborg.

Sidoqoftë, koha shëron çdo gjë, dhe kështu bëri me frikën time nga e panjohura. Unë jam duke zbuluar bukurinë e tokës së akullit dhe borës dhe duke shijuar kulturën nordike, si dhe kuzhinën e tyre (të mos e harroj). Sistemi arsimor këtu funksionon në një mënyrë pak më ndryshe se sa në UEJL. Në UEJL vlerësohet vëllimi i punës së vazhdueshme, ndërsa në arsimin e lartë në Geteborg, rëndësi më e madhe ju jepet provimeve. Një pikë tjetër interesante është se semestri studentor në të vërtetë është i ndarë në dy pjesë, por ata ndjekin një program të veçantë. Studentët kanë mundësi të ndjekin metoda të ndryshme të mësimdhënies, të bazuara në hulumtimet më të reja të fushës. Megjithatë, në të dy universitetet, ekziston e njëjta qasje pozitive dhe gatishmëri e stafit për asistencë. Unë kam mundësi të ndjek lëndë në dy fakultete, kështu që sfidat më interesante janë duke ardhur.

Unë jam shumë mirënjohëse për këtë mundësi dhe për mbështetjen e pakursyer që kam pasur nga dekani i Fakultetit të Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit dhe stafit në Departamentin e gjuhës dhe letërsisë angleze, si dhe për të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në procesin e përzgjedhjes sime.

Rrëfimi i një studenteje nga UEJL në Geteborg – Hrsitina Sibinovska