Tresi: Zgjedhjet e parakohshme, skenar i VMRO-së e BDI-së - tetova1

Tresi: Zgjedhjet e parakohshme, skenar i VMRO-së e BDI-së


ltresi
Kategoria: Lajme

Postuar më: Mar, Shk 4, 2014

Lexuar: 340 herë



Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) në mbledhjen e mbrëmshme të kryesisë qendrore të mbajtur në Gostivar, ka diskutuar rreth zgjedhjeve të shpallura presidenciale dhe paralajmërimet për zgjedhjet e mundshme parlamentare.

Zëdhënësi i PDSH-së, Luan Tresi tha se edhe kësaj radhe po dëshmohet se BDI-ja pranon pa asnjë kusht çdo variant të VMRO-DPMNE-së rreth zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Paralajmërimi për zgjedhje të parakohshme parlamentare është skenar i VMRO-DPMNE-së, ku BDI heshturazi e pranon çdo variant të VMRO-së.

Në analizat e bëra në mbledhjen e kryesisë së PDSH-së u rikonfirmua qëndrimi se zgjedhjet presidenciale janë të parëndësishme dhe nuk sjellin asgjë të re, megjithatë situata do të ndiqet dhe varësisht nga zhvillimet do të sillet vendimi përfundimtarë.

Për zgjedhjet eventuale të parakohshme parlamentare PDSH-ja është gatshme, edhe pse VMRO-DPMNE nëpërmjet BDI-së tenton të hyjë në zgjedhje e paaftë për ta zhbllokuar procesin integrues dhe problemet e shumta në vend dhe në veçanti, për ne si PDSH problemet e shqiptarëve, dhe me mashtrime të reja para qytetarëve duke mos i zgjidhur problemet e vjetra duan ta marrin pushtetin përsëri”, ka thënë zëdhënësi i PDSH-së Luan Tresi.