Vullnet Emini, drejtor sportiv ose skaut i Shkëndijës? - tetova1

Vullnet Emini, drejtor sportiv ose skaut i Shkëndijës?


vullnet
Kategoria: Sport

Postuar më: Pre, Shk 7, 2014

Lexuar: 445 herë



Ishkapiteni i Shkëndijës dhe Renovës, Vullnet Emini ka shumë shanse të rikthehet te klubi ku u bë i njohur si futbollist, por tani në detyrë të re.
“Lajm” mëson se kryesia e kuqezinjve i ka bërë një ofertë për të angazhuar atë, ndërsa ende nuk është bërë e ditur se cili do të jetë posti i tij i ri.
Burime të gazetës poashtu mësojnë se Emini mund të emërohet në njërin nga këto dy funksione: drejtor sportiv ose skaut i klubit për zbulimin e talenteve të rinj.
Në anën tjetër, nga kryesia e klubit tetovar, si gjithmonë, nuk japin hollësi pa u bërë gjithçka zyrtare, duke vepruar si në rastet tjera, duke hedhur poshtë informacionet tona, por në fakt pas ca ditësh do ta zyrtarizojnë lajmin (sikur në rastin me Juniorin).
“Shkëndija shqyrton mundësinë për angazhimin e secilit ish-futbollist që ka lënë gjurmë në ekip dhe që posedon cilësi në aspektin sportiv dhe atë njerëzor. Mirëpo, ky është një proces që do të zgjasë dhe që do të zhvillohet së bashku me planet tona. Ndjekim se në mediume vazhdimisht qarkullojnë spekulime të ndryshme, mirëpo jo gjithçka ka të bëjë me realitetin. Nëse shikoni merkaton, mediat folën për shumë emra, ndërsa ne angazhuam disa futbollistë për të cilët askush nuk kishte menduar. E njëjta vlen edhe tani. Ne si klub tentojmë të jemi transparent me mediat dhe në momentin kur do të ketë diçka të re në këtë drejtim, sigurisht se do të njoftojmë në kohë”, deklarojnë nga zyra për Marrëdhënie me Publik pranë KF Shkëndija.
Ditë më parë edhe në media shqiptare u publikua lajmi se Sulejman Starova, drejtori teknik i Kukësit, ka marrë një ofertë nga Shkëndija e Tetovës, por ai nuk do të lihet i lirë për shkak se ka kontratë me klubin e Superligës shqiptare. /reshat ibrahimi/