Zgjedhjet parlamentare vetëm më 13 prill? - tetova1

Zgjedhjet parlamentare vetëm më 13 prill?


zgjehdjet_797351396
Kategoria: Lajme

Postuar më: Mër, Shk 5, 2014

Lexuar: 229 herë



Nëse partitë përcaktohen që bashkë me zgjedhjet presidenciale të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentar, atëherë këto të fundit do të mund të mbahen vetëm më 13 prill, në ditën e njëjtë me rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Mbajtjen e tyre pas dy javëve, bashkë me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, e pamundëson Kodi aktual zgjedhor dhe kalendari i aktiviteteve të përcaktuara së fundmi nga KSHZ për zgjedhjet e rregullta presidenciale. Sipas Kodit zgjedhor në fuqi, edhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare ashtu si dhe për zgjedhjet në vijim, do të nevojiten 20 ditë fushatë parazgjedhore. Nëse ato do të caktoheshin për më 27 prill, atëherë fushata do të duhej të hapet 20 ditë më parë, ndërsa në ditën e pestë të kësaj fushate, duhet të mbahet heshtje parazgjedhore dhe të nesërmen, më 13 prill të mbahet rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale, kur poashtu fushata është rreptësishtë e ndaluar deri në ora 19:00. Nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi, sqaron për gazetën KOHA se ligjërisht, nuk guxon të thyhet heshtja parazgjedhore e zgjedhjeve presidenciale, ndërsa nga ana tjetër - partive nuk mund t’ju ndërpritet as fushata parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. E vetmja datë deri kur partitë kanë kohë ti caktojnë dhe organizojnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare mbetet rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale - 13 prilli, deri kur në dispozicion mbeten edhe rreth dy muaj e gjysmë. Sipas Jakupit, nëse partitë dëshirojnë të mbajnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare bashkë me rrethin e dytë të presidencialeve, atëherë ata duhet të ndryshojnë edhe një herë Kodin zgjedhor.
“Fushata, sipas dispozitave aktuale, zgjat 20 ditë, por në mes të kësaj periudhe janë dy ditë heshtje për zgjedhjet presidenciale, kështu që me këtë Kod aktual zgjedhor, nuk mundet që në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare. Kjo do të ishte e mundur vetëm nëse para shpërbërjes së Parlamentit, partitë vendosin që të ndryshojnë Kodin zgjedhor dhe të ridefinojnë ose ta shkurtojnë fushatën për zgjedhjet parlamentare”, thotë Jakupi.
Por, një ndryshim i ri i Kodit zgjedhor duket i pamundur, pas deklaratave të paradokohshme të LSDM-së opozitare, e cila pas nënshkrimit të marrëveshjes për Kodin aktual, apeluan që mos të ketë ndryshim të njëanshëm të Kodit zgjedhor nga partitë në pushtet. Sipas kalendarit të përcaktuar nga KSHZ për zgjedhjet e rregullta presidenciale, shqyrtimi publik i listës së votuesve do të bëhet nga 16 shkurti deri më 7 mars, pas çka do të vijojnë edhe hapat e tjerë të procedurave deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve. “Fushata parazgjedhore do të fillojë më 24 mars dhe përfundon më 11 prill. Nënshkrime për kandidatët e pavarur do të mblidhen nga 16 shkurt deri më 2 mars. Kandidatët e pavarur do të duhet të grumbullojnë 10 mijë nënshkrime ose të kenë mbështetjen e 30 deputetëve. Listat e kandidatëve duhet të dorëzohen më së voni deri më 13 mars”, njoftoi kryetari i KSHZ-së, Nikolla Rilkovski.
Ndërkohë partitë politike ende nuk janë përcaktuar as për kandidatët e tyre për zgjedhjet presidenciale e as nëse ato do të mbahen të vetme. Bashkimi Demokratik për Integrim ka sqaruar se paralajmërimi i disa ditëve më parë mbajtjen eventuale të zgjedhjeve të parakohshme, është vetëm një alternativë plus që u është shtuar listës së katër alternativave ekzistuese të kësaj partie për skenarët e mundshëm. Zëdhënësi Bujar Osmani tha se secila prej tyre mbetet e hapur, ndërsa deri në afatin e fundit, kjo parti do ta pres VMRO-DPMNE-në për t’iu përgjigjur ofertës së tyre për zgjedhjen e një kandidati konsensual. “Vendosëm disa alternativa të mundshme, ndërkohë që në mbledhjen e fundit, kryesia caktoi edhe një alternativë të re, ajo është e zgjedhjeve të parakohshme si rezultat i sinjaleve që vinin në opinion se mund edhe të dështojë koncepti i kandidatit konsensual. Ashtu që nuk ka një vendim të partisë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. E vetmja është se alternativave të caktuara paraprakisht u është caktuar edhe një alternativë, ajo është alternativa e zgjedhjeve të parakohshme, si variant për dalje nga kriza eventuale politike që mund të pasojë si rezultat i mosgjetjes së një zgjidhje për propozimin e BDI-së për kandidat konsensual”, tha Osmani.

PDSH diskuton zgjedhjet e dyfishta
Partia Demokratike Shqiptare, të hënën në orët e pasdites ka mbledhur Kryesinë Qendrore dhe kryetarët e degëve të kësaj partie në një mbledhje të zgjeruar në Gostivar. Dy pikat e vetme të rendit të ditës kanë qenë zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet eventuale të parakohshme parlamentare. Ndryshe, lideri i kësaj partie, Menduh Thaçi, ditë më parë tha se PDSH nuk ka interesim për të garuar në zgjedhjet presidenciale nëse ato mbahen të vetme. Nëse bashkë me to organizohen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, atëherë kandidati i tyre për president mund të jetë simbolikë e fushatës së dyfishtë të kësaj partie.

Pendarovski, kandidati i vetëm i LSDM-së?
Stevo Pendarovski është kandidati me më tepër gjasa që mund të garojë nën emblemën e opozitës së bashkuar maqedonase në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Burime brenda këtij blloku thonë se Pendarovski është kandidati i vetëm më serioz për momentin, i cili mund të jetë kundërshtari i cilitdo nga kandidatët e përfolur në VMRO-DPMNE. “Stevo Pendarovski për momentin mbetet kandidati i vetëm i opozitës. Ai do të mbetet edhe nëse VMRO përcaktohet për Ivanovin edhe për ndonjërin nga emrat që janë përfolur kohëve të fundit. Nëse në të ardhmen nuk ndryshon diçka, ai do të jetë edhe kandidati ynë zyrtarë për president”, thotë një deputet i opozitës maqedonase për gazetën KOHA.

/Arben ZEQIRI-Koha/