8 Marsi i reflektimit
Drilon Saliu
8 Marsi i këtij viti më solli në kujtesë femrën si qenien më të bukur por njëkohësisht edhe marsin e konfliktit, që përmban vrasjen si akt më barbar të qenies njerëzore, dy forma që ndeshin në periudhë të njejtë por me natyrë shumë të kundërt me njera tjetrën. Qyteti është si gjithmonë i stërpopulluar me gjininë më të bukur dhe të jep përshtypjen e një qyteti me emancipim të lartë të gruas, që në fakt nuk është. Në krahasim me palën tjetër dallimet janë të mëdha në të gjitha sferat.
Mjafton të futesh në një nga lulishtet e “tyre” ku sheh shqiptare të moshave, klasave, niveleve të ndryshme që flasin e bëjnë pazar, bile ca nga to belbezojnë , mezi që shprehen me duar e me gjeste, vetëm për një lule. Më tej sheh burra nga ato me shumë “rr”, të cilët nga 364 maltretime, sharje, e abuzime në vit,këtë ditë nëpër dyqanet e “tyre” aktrojnë xhentelmenin dhe mbushin e stërmbushin krahët me buqeta lulesh. Më tej sheh edhe prej atyre “kuletëmëdhenjëve” që blejnë ç’të shohin përpara, por edhe prej atyre të shkretëve, atyre të kategorisë së kauçukut, me “njëmiljarda” në duar. Të gjithë në një vend te “ata”. Te “ata” që ofrojnë për të gjitha kategoritë. Te “ata” që buzqeshin rrejshëm, me një bonton për zili,me një “dashuri” të çuditshme. Sa tregtarë të mire që janë. Tradita e bën të veten, do më thoshte një mik.
Mu në ditën e gruas sheh vajzat e “tyre” që punojnë në lulishte dhe jo vetëm. Njëkohësisht më vjen në mendje sa shumë vajza shqiptare në këtë shekull janë të mbyllura brenda katër mureve dhe nuk kanë dalë më larg se oborri i shëpisë. Mu në dyqanet e atyre, familjarët e të cilëve kanë qenë ndoshta edhe rezervist, ndoshta edhe vrasës shqiptarësh. Mu atje ne nxitojmë për lule, siç ngutemi për të marrë një taksi, siç nguten vajzat në butiqe, sallone ondulimi e ku jo tjetër. Bredhim në kafene, në pijetore, në një qytet me kaq pak nga “ata”. Do të ishte normale të nxitonim sikur edhe ata të nxitonin për tek ne, sikur edhe ne t’i “dashurojmë” e të mos jemi aq patriot verbalo-folklorik. Të njëjtit frekuentues të këtyre dyqaneve pastaj vazhdojnë t’i shajnë, etiketojnë, shprehin mllef e nacionalizëm ekstrem nëpër kafene e rrjete sociale, sikur të ishin njerëz tjerë. “Shkiet” thonë. Nuk i duam dhe nuk na duan. Ka të tillë me standarde të dyfishta, bile me moral të dyfishtë. Janë ata tregtarë që të akuzojnë pse blen maqedonisht e jo shqip, ndërsa mallin e shitores e sigurojnë maqedonisht. Pse vallë? Nga levërdia ekonomike thonë. Interesi material, cilësia e sjellja e mirë janë ca nga argumentet që do përdoren në debatet rreth këtij fenomeni.Në anën tjetër të medaljes, situata nuk flet me të njejtën gjuhë. Thuajse asnjë lule nuk u ble nga vajzat e tyre në lulishtet shqiptare, thuajse asnjë vajzë nuk shkeli në taksitë shqiptarë, thuajse asnjë vajzë nuk është parë në kafenetë shqiptare. A thua nuk ka cilësi dhe çmim të levërdishëm në asnjë dyqan shqiptari?
Retorika përkundrazi, jo aq nacionaliste sa e jona, jo aq shpërthyse. Mos vallë nga frika e të qenurit pakicë apo ndoshta konkretizimi i asaj çfarë synon nacionalizmi i tyre. Gjithë kjo rutinë, diferencë klasash ,shijesh e kosmopolitizëm edhe është normale në shoqëri të shëndosha. Kjo e jona si duket është me sintoma skleroze e me probleme largëpamësie dhe lë shumë për të dëshiruar .
Në mbrëmje me televizor ndezur me gishtin kah politika: “këtu nuk ka bashkjetesë, ata nuk na duan”- do thonë shumë nga ne…Epo gjërat duhet ndarë, ose patriot siç i ka hije, me fjalë e me vepra, ose multietnik zemergjërë… se të dyja bashkë, besa nuk shkojnë. Janë në kundërshtim me njera tjetrën.
Qoftë ky 8 Mars ,si festë e qenies më të butë, nxitës për të na zbutur zemrat , të jemi më shqiptarë, më pak mashtrues të vetvetes, më të sinqertë, më pak nënshtrues, më largpamës, e më pak pseudopatriotë. Deri atëherë qytëti do të ketë shumë 8 marse me lule e pak njerëz të lumtur, shumë qenie të bukura e shumë shiprtra të shëmtuar..Zoti e bekoftë nënën shqiptare, me shpresë të lind shqiptarë të drejtë, të tillë pa maska …
Një dozë nacionalizmi i qëllimshëm e ka shoqëruar shkrimin, që në esencë, jo detyrimisht paraqet bindjet e mia personale, por e gjithë kjo për të pasqyruar dyftyrësinë dhe standardet e dyfishta në mesin tonë, si dhe tendencën e tyre për të shmangur çdo gjë shqiptare.Thënë shkurt, për të reflektuar personalisht, e për tu vetëparë në pasqyrën e moralit e për tu matur në peshoren e drejtësisë. E pra, të gjithë duhet të presim nga një biletë për në autobusat e qytetarisë e të udhëtojmë në rrugën e të vërtetës, atë të balansimit të vetëdijes kombëtare, eliminimit të kosmopolitizmit të tepruar, instalimit të vlerave të mirëfillta të bashkjetesës… për të mos drejtuar gjithnjë gishtin kah politika, sepse politika jemi NE…






