Ali Ahmeti në Dibër : Duam që Maqedonia të shkojë përpara
Ideja për kandidat konsensual nuk është vetëm e BDI-së, por e të gjithë shqiptarëve, pasi me realizimin e saj do të krenohen edhe gjeneratat e ardhshme, ka porositur në takimin me dibranët lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
“Kjo ide nuk është e tanishme, kjo me kohë është shqyrtuar dhe ka ardhur koha që ta promovojmë. Për këtë ide kemi biseduar edhe me maqedonasit. për realizimin e saj është e nevojshme kohë, dhe duhet të punohet edhe më tutje dhe nuk duhet të tërhiqemi në asnjë hap. Do të përpqiemi që idenë tonë ta pranojnë edhe bashkësitë më të vogla etnike pasi kjo është edhe për të mirën e tyre”, tha Ahmeti.
Ai theksoi se e ardhmja e këtij shteti është në qetësimin e shqiptarëve dhe maqedonasve si bashkësi më të mëdha etnike.
“Duam që Maqedonia të shkojë përpara”, tha Ahmeti.
Në takim, nuk mungoi as ç’ështja e shumëpërfolur e Radikës, ku lideri i BDI-së edhe e përfundoi takimin – Radika nuk është si lumenjtë tjerë. Radika është tradita shqiptare. Asgjë s’ndodh me Radikën dhe as me Fushën e Lukovës, që unë i kam vizituar aq e aq herë.
Një protestë e lehtë përpara tubimit
Ashtu siç ishte paralajmëruar, një prezencë e vogël qytetarësh, morrën pjesë në shenjë proteste, përpara tubimit të BDI-së. Ata u shprehën se filozofitë e presidentit konsensual dhe temat që flet Ali Ahmeti, janë të parandësishme për ne karshi Radikës. Jakup Marku, këshilltari i pavarur në qytetin e Dibrës, si kryeprotestuesi u shpreh – Grupimi i lirë i qytetarëve, të udhëhequr nga unë, proteston për provokimin që i bëhet Dibrës nga ana e BDI-së, e cila me njerëzit e vet ka sjellë vendime për devijimin e lumit Radika. I kërkojmë anëtarëve të saj, që të vetëkorrigjohen dhe të mos e provokojnë Dibrën me akte të tilla. Ky është vetëm fillimi i grupimit me emër, Fronti i Bashkuar për Mbrojtjen e Radikës –u shpreh Jakup Marku për Almakos.
Në takim morrën pjesë edhe zëvendësat, Musa Xhaferi dhe Gëzim Ostreni.







