Asnjë politikan mes shqiptarëve më me ndikim në Maqedoni për 2013 - tetova1

Asnjë politikan mes shqiptarëve më me ndikim në Maqedoni për 2013


Kategoria: Kulturë

Postuar më: Mar, Mar 4, 2014

Lexuar: 334 herë



Në 5 mars, në një ceremoni glamuroze do të zgjidhen shqiptarët me më ndikim në 9 kategori në manifestimin “Arritja e vitit – Milingona e Artë 2013”. Çmimet në kategori të ndryshme do të jepen për punën, veprat por më shumë për ndikimin e madh që e kanë pasur tek publiku ose për sjelljen e risive në shoqërinë tonë gjatë vitit që shkoi. Ose i është kushtuar pak rëndësi ose opinioni në Maqedoni nuk njeh sa duhet arritjet e shqiptarëve që kanë pasur një ndikim të madh në gjithë shoqërinë. Do të jetë kjo një mundësi që të gjithë të shohin se cili është kontributi i shqiptarëve në Maqedoni në fusha të ndryshme me të cilët të gjithë do të duhet të jenë krenarë. 2013 u karakterizua me shumë arritje në shumë fusha të jetës kulturore dhe shoqërore. U arritën vende të para, medalje të arta, pati botime të rëndësishme shkencore dhe të tjera. U fituan shumë çmime ndërkombëtare, ekspozita, shfaqje me të cilat shqiptarët dhe Maqedonia u vu në vëmendje. Çmimet përfshinë 9 kategori dhe ndonëse do të fitojë një në secilën, secili i nominuar ka vlera të konsiderueshme për shoqërinë. Përzgjedhja e fituesit bëhet me 50 % të votave të publikut dhe 50% të votave të jurisë profesionale. Në ceremoninë gala “Arritja e vitit - Milingona e artë 2013” do të ndahen edhe dy çmime të tjera që nuk përfshihen në votime, Çmimin e karrierës dhe Çmimin “Promotor i vlerave shqiptare” i cili i akordohet një jo shqiptari, individ ose institucion që ka kontribuar në mbështetjen, njohjen dhe afirmimin e arritjeve shqiptare në Maqedoni. Manifestimi “Milingona e Artë” organizohet për herë të dytë. Sponsorë të Manifestimit janë: T-Mobile, UNIQA, Unioni Financiar Shkup, Universiteti American College Shkup, Gemak dhe Wilson School. Fituesit do të marrin një statujë e cila është e larë me flori 24 karat.

Manifestimi do të transmetohet në televizionin Alsat M.

Fotografitë e të gjithë të nominuarve mund ti gjeni në këtë link: https://www.facebook.com/media/set/?set=a.699534230091504.1073741826.200182963359969&type=1

Të nominuar këtë vit janë:

ARRITJA E VITIT E INSTITUCIONEVE NË NDIKIMIN E KULTURËS:

• Qendra ODA - Nominohen për kontributin në kulturë nëpërmjet të “Tetova International Film Festival” i cili vitin e kaluar solli në Tetovë 26 filma të metrazhit të shkurtë nga e gjithë bota. Në konkurrim ishin shumë filma që kanë ngadhënjyer në shumë festivale. Po ashtu, 9 filma jashtë konkurrence si dhe premiera të 4 filmave “Special screening” . Si pjesë e programit përfshihen edhe workshop-e në drejtimet: aktrim, kamerë, montazhë, regji fimi-teatri, skenare dhe fotografi.

• Galeria Kombëtare e Maqedonisë - Insitucioni shtetëror i cili ka dhënë kontribut të mirëfilltë në promovimin e kulturës shqiptare gjatë vitit të kaluar me realizimin e mbi 20 projekteve dedikuar kulturës shqiptare. Nga dita në ditë rritet cilësia e aktiviteteve dhe përkrahja ndaj artistëve shqiptarë. Në vitin 2013, ky institucion fitoi projektin në konkursin e Ministrisë së Kulturës për pjesmarrje ne bienalen e Venedikut ku pjesmares janë mbi 75 shtete tjera.

• Teatri Shqiptar Shkup - Nominohet për potencën artistike, institucion i cili me gjithë artistët ka vënë në hartën e arritjeve mbarëshqiptare artin dramatik nga Maqedonia. Puna cilësore e këtij institucioni u vlerësua në festivale të ndryshme në vend si dhe jashta shtetit.

• QIK - Nominohet për evidentimin dhe krijimin e hapësirës institucionale si asnjëherë më parë për artistët e ndyshëm sidomos ato shqiptarë. QIK ka pasur një vit të mbushur përplot me aktivitete të shumëllojshme, mes tjerash mbi 20 koncerte, manifestime, 20 ekspozita, promovime librash, publikime CD.

• Teatri i Tetovës - Nominohet për gjallërimin e skenës teatrore, institucion i cili me arritjet e tij po ja kthen publikun teatrit. Veçohet shfaqja “Morri” me regji të Sulejman Rushitit. Ky institucion bëri bujë sidomos me Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove që këtë vit ngjalli një interes të paparë në Tetovë.

ARRITJA E VITIT NË MUZIKË:

• Tuna - Nominohet për suksesin e konsiderueshëm duke qënë produkti më me ndikim muzikor që vjen nga shqiptarët e Maqedonisë. “Zogu” i saj ka fluturuar si rrallë herë nga ndonjë artist drejt suksesit si me këngët ashtu edhe me prezencën e saj në jurinë e X Factor. Viti 2013 ka qenë shumë i bujshëm për të, Tuna realizoi turneun mbarëshqiptar “Fenix” i cili u mirëprit anembanë, ndërsa kënga e saj “Fenix” është kënga më e klikuar shqiptare deri më tani.

• Besjana Mehmeti dhe Shkodran Tolaj - Nominohen si fitues të festivalit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit” 2013, pjesëmarrës në festivalin ” Kënga Magjike” me këngën “Imagjino” si dhe në festivalin e këngës në RTSH ku dolën edhe finalistë me këngën “Jam larg”.

• Adrian Gaxha dhe Floriani - Nominohen për suksesin e tyre me këngën “Kjo zemër” që është vazhdimi i pjesës së dytë të këngës së njohur të tyre “Ngjyra e kuqe”. Gjatë vitit ata lansuan edhe një këngë tjetër “Welcome to Prishtina”. Kjo këngë pushtoi të gjitha mediat dhe klubet në Maqedoni dhe gjithandej ku janë shqiptarët.

• Venera Lumani - Nominohet për fitoren absolute në konkursin “The Voice of Albania”, edicioni i dytë. Rasti i saj kishte ndikim jo vetëm në muzikë por edhe përtej saj si një shembull që talenti dhe puna megjithatë mund të sjellin sukses dhe respekt. Përveç kësaj, Venera doli finaliste në finalen e Festivalit të këngës në RTSH dhe është shumë aktive në skenën muzikore në Shqipëri dhe Kosovë. ARRITJA E VITIT NË ARTET PAMORE:

• Nafi Jashari dhe Xhelil Rufati- Nominohen për ekspozitën e tyre të përbashkët të realizuar së së pari në New York e pastaj edhe në Shkup, duke vendosur një interaksion mes dy mediumeve skulpturës dhe grafikës. Si profesorë në Fakultetin e arteve në Tetovë, ata erdhën: Xhelil Rufati me 24 vepra në skulpturë kurse Nafi Jashari me 32 vepra në grafikë. U cilësua si një nga ekspozitat më të pasura artistikisht duke sjellur një frymë autoktone inspiruar nga e kaluara dhe tradita shqiptare.

• Afërdita Kiki - Nominohet për ekspozitën e saj “Vjeshta” në Sofje. Ajo është vazhdimisht aktive me punën e saj edhe ne Maqedoni. Një artiste me stil të veçantë, antikonformiste, që pasionin e saj krijues e ndan natyrshëm mes telajos dhe kostumografisë. Afërdita punimet e saj i bazon në traditë por i sjell me një frymë moderne duke e bërë thuajse të vetmen për këtë gjini shumë të rallë te ne.

• Tabi Aziri- Nominohet për vende të para në disa festivale ndërkombëtare në fushën e grafikës si dhe çmime dhe vlerësime në Maqedoni. Gjatë viti 2013 ai realizoi edhe ekspozitën e tij personale. Fitoi çmime prestigjize në festivale ndërkombëtare të marketingut si: Golden Drum International Advertising Festival në Portoros, Sloveni; Y&R Piran Idea Festival, medalje të bronztë; Në festivalin Eurobest në Lisbon të Portugalisë medalje të bronztë.

Morri cmimin “Draudacum” nga Shoqata e Artistëve Figurativ në Maqedoni për arritjet e vitit në Dizajn Grafik. Dizajnoi posteret për 3 festivalet më prestigjioze në vend, Xhez Festivalin e Shkupit, posterin e OFFest, posterin e Skopje Film Festivali 2014 dhe pllakatin për shfaqjen ‘Gishti’ të Teatrit Shqiptar Shkup.

• Osman Demiri- Fotografi tepër i talentuar ishte shumë aktiv gjatë vitit 2013 me disa ekspozita personale dhe kolektive. Gjithashtu, ai fitoi çmimin e nëntorit nga SHAF “DRAUDACUM” për fotografi. Fotografitë e Demirit nuk shquhen për imazhin, konfiguracionin apo madhështinë, por ato flasin përmes pamjes, thellësinë e mesazhit, forcën dhe shprehjen.

• Enkel Dika- Nominohet për suksesin e tij në SHBA, ku dizajnet e tij shndërohen në vepra arti, printime në veshje të personave VIP dhe ornamene për shitje masive, prej të cilave njëra në bashkëpunim me Disney. Kurse së fundmi punimet e tij po bëhen edhe tatuazhe në trupa njerëzish për të qëndruar të pafshira përgjithmonë. Një impakt i pa parë nga një artist shqiptar.

ARRITJA E VITIT NË SPORT:

• Berat Jakupi (karate) - Nominohet sepse në renditjen më të re të Federatës botërore të karatesë është në vend të parë në kategorinë e juniorëve. Shpallet karateisti më i mirë i Maqedonisë për vitin

2013, nga Federata e karatesë të Maqedonisë. Përveç kësaj, karateisti nga Gostivari për herë të pestë ka fituar titullin kampion i Ballkanit në Kragujevac të Serbisë në karate për fëmijë, kadet, junior dhe U21.

• Sermedie Latifi (atletikë)- Nominohet sepse ka marrë 15 medalje të arit, 2 medalje të argjendta në gara republikane dhe lokale vetëm gjatë 2013-të. Përgatitet të marrë pjesë në Lojërat Olimpike në RIO DE ZHANEIRO në vitin 2016.

• Blend Troci (çiklizëm)- Nominohet sepse prej dy vitesh mban vendin e parë në Maqedoni. Gjatë vitit 2013 ka marrë mbi 7 vende të para si dhe të dyta në gara të ndryshme.

• Fatlum Zhuta (boksier) –Për të tretin vit me radhë shpallet boksieri më i mirë i vitit në Maqedoni. Në vitin 2013 solli medalje të bronzit nga Lojërat Mesdhetare në Mersin të Turqisë, kurse është fitues i titujve ballkanik në disiplinën Kumite, si dhe fitues i shumë medaljeve të tjera në Maqedoni dhe jashtë saj.

Blerina Seferi (judo)- është shpallur kampione e Gjermanisë në garat deri në moshën 15 vjeçare. Dy triumfe në kampionatet ballkanike si dhe tituj në Maqedoni dhe fitore të tjera në gara të fuqishme ndërkombëtare. ARRITJA E VITIT NË ARTET E PERFORMUARA- ARTI SKENIK:

• Amernis Nokshiqi- Nominohet për rolin kryesor në shfaqjen “Gishti”. Me këtë rol merr çmimin aktorja më e mirë në festivalin ”Vojdan Çernodrinski” në konkurrencë mes aktoreve maqedone dhe shqiptare. Po ashtu, Amernisi realizon filmin e shkurtër “Rrobaqepsja” në regji të Arlinda Morina , film i cili morri çmimin e parë në festivalin në Prishtine 9/11.

• Bajrush Mjaku-Nominohet për rolin në shfaqjen “Armiku i Popullit”, të realizuar nga regjisori Dino Mustafiç me tekst të bazuar në veprën e shkrimtarit norvegjez Henrik Ibzen. Me këtë rol Bajrush Mjaku shënoi 40 vjetorit e karrierës tij. Ai po ashtu gjatë vitit 2013 prezantoi monologun “Mbrojtja e Sokratit”. • Xhevdet Jashari- Nominohet për rolin e “Arifhikmetit” në serialin mbarëshqiptar “O sa mirë”. Batuta e tij “urime, urime, urime” dhe jo vetëm, janë bërë pjesë e përditshmërisë të shqiptarëve në të gjitha trojet. Përveç kësaj, Xhevdeti nominohet edhe për rolet e tij në teatër ”Çifti i çuditshëm”, “Jeta me qira” si dhe për rolin në serialin rus EXIL.

• Zarije Jonuzi- Xaka- Nominohet për rolin e saj Shkurta në shfaqjen “Gishti”. Rol ky që i solli çmimin “Rolin më i mirë dytësor” për aktore femër në Festivalin e Teatrove të Maqedonisë ”Vojdan Çernodrinski”. Gjithashtu, ajo fiton çmimin “Aktorja më e mirë në Festivalin e Teatrove Shqiptare në Dibër për rolin e Xhenit në shfaqjen “Paraja”. Xaka është aktore aktive si në Teatrin e Shkupit ashtu edhe në Teatrin e Tetovës me shfaqjen “Mori” nga Ivo Breshan, në regji të Sulejman Rushitit.

• Luran Ahmeti- Nominohet për rolin e tij në serialin popullor turk “Sulejmani i Madhërishëm”, serial i cili shfaqet në 49 shtete të botës. Lurani u shfaq në 13 episode të këtij seriali. Përveç kësaj, ai nominohet edhe për rolin kryesor në shfaqjen “Paraja”.

• Refet Abazi-Nominohet për dramën sureale “Jete me qira”. Shfaqja me këtë tekst, me regji të Luka Kortina triumfoi si shfaqja më e mirë në Festivalin në Ferizaj. Ajo u prezantua edhe në Festivalin “Vera e Ohrit”. Skenari në vete përmbante shumë satirë kundrejt fenomeneve shoqërore dhe jetës politike në Maqedoni.

ARRITJA E VITIT NË ARTET E PERFORMUARA- MUZIKË SERIOZE: • “Trio Harkore - Kosova”, Sihana Badivuku Hoxha, violinë, Blerim Grubi, violë dhe Aristidh Prosi, violoncello. - Nominohen për aktivitetn e tyre për të popullarizuar muzikën klasike jo vetëm në Maqedoni por edhe përtej. Këta artistë kanë pasur prezantime në Berlin, Paris, Fermo (Itali) dhe Prishtinë.

• Fatos Lumani (kompozitor) - Nominohet për veprën e tij “Metamorfozis” për orkestër harqesh interpretuar nga Orkestra Kamertale e Mynihut dhe nga Filharmonia e Maqedonisë. Për të shënuar janë edhe sukseset e veprave “Rapsodi për harqe” interpretuar nga FM, “In memoriam”, “Koncert për piano dhe orkestër” dhe publikimi i CD me veprat më mbresëlënëse të Lidhjes të Kompozitorëve të Maqedonisë në mesin e të cilëve edhe vepra e Fatos Lumanit.

Jeton Pustina (dirigjent)-Nominohet për punën e tij me orkestrën e qytetit të Tetovës e cila në festivalin e Gjilanit merr vendin e parë. Ai me punën e tij për kultivimin e muzikës klasike, bashkë edhe me aktivitete të gjinive të tjera ka arritur sukses të konsiderueshëm në vitin 2013 brenda dhe jashtë vendit.

• Xhafer Xhafer (violinist)- Nominohet për recitalin e tij, në shoqërim me pianistin argjentinas dhe profesorin- Hose Galardo.Me këtë recital, Xhaferi u kthye në skenë pas 7 vjet pauze Xhaferi performoi vepra nga klasiket e Bartokit, Bramsit, Masnit, Krajslerit dhe Rahmanjinov.

ARRITJA E VITIT NË MEDIA:

• Rruga drejt…- Nominohet për ndikimin e konsiderueshëm të zhvillimit të debatit jo vetëm mes shqiptarve por të gjithë hapësirës publike në Maqedoni. Intervistat dhe deklaratat e programit shpesh kanë ndikuar në debatin politik të vendit.

• Pizzicato- Nominohet si programi më proaktiv i cili përcjell çdo ngjarje shoqërore tek ne duke e sjellë në ekranin e vogël. Me punën e tyre të palodhshme kanë krijuar një brend për emisionet zbavitëse në vend.

• Gazeta Koha- Nominohet për zhvillimin e medias së shkruar dhe nxitjen e debatit me anë të mendimit të kultivuar në rubrikat për opinione duke kontribuar në avancimin e debatit të shkruar.

• Hallkit- Produkt i ri nga Alsat M i cili për një kohë të shkurtër u bë shumë i dashur për publikun nëpërmjet të dy personazheve të emisionit dhe mënyrës të trajtimit të temave nga një kënd lokal.

• Pa kufi- (Radio Shkupi) Program i cili krijon lidhje dhe debate mbarëshqiptare, në një emision të përbashkët lidhen drejtpërdrejt studiot e Radio Shkupit, Radio Prishtinës dhe Tiranës. Programi është i vetmi i këtij lloji në hapësirën mediatike shqiptare.

• 3T (TV Koha)- Tre humoristët nga Tetova sollën freski në median televizive duke na larguar nga politika, problemet dhe duke sjellë copëza humori çdo javë. Klikimet e programeve të tyre në YouTube janë mahnitëse.

TALENTI I VITIT:

• Senad Rrahmani – Djaloshi nga Kërçova nominohet për suksesin e tij në këtë edicion të talent shoë “X Factor Albania”. Ai është shqiptari i vetëm nga Maqedonia që ka arritur në finale dhe po na prezanton akoma duke pasur një mbështetje të madhe nga publiku dhe juria.

• Fitore Kurtishi- (atletikë) Nominohet për suksset në Atletikë, ajo gjatë 2013 ka fituar gara pa fund duke dalë jo vetëm e para por me rezultate që e bëjnë të konsiderohet si shpresa e madhe në këtë sport.

• Ismet Vejseli (solo këngëtar)- Nominohet për suksesin e tij absolut në vitin 2013 në disa gara kombëtare dhe ndërkombëtare si klarinetist dhe solo këngëtar. Ai është fitues i vendit të parë në festivalin ndërkombëtar të muzikës në Beograd si dhe ka marrë vendin e parë në garat shtetërore të muzicientëve të rinj në Shkup.

• Hanis Bagashov- regjisori 14 vjeçar që konsiderohet si Steven Spilbergu jonë, ka realizuar 12 filma të shkurtër. Me një bagazh të madh artistik për moshën e tij, Hanis në vitin 2013 ka realizuar 5 filma për tematika të ndryshme, veçojmë filmin Blind.

BOTIME SHKENCORE, LETËRSI DHE PUBLICISTIKË

• Rrezarta Reka- Nominohet për botimin e librit “Zemra më e butë se barku”. Një libër i cili rrëfen tërthorazi jetën e idhullit, gjyshes së saj, një grua e hekurt me zemër të butë. Përveç asaj, Rrezearta është shumë aktive me shkrime dhe kolumna në portale të ndryshme shqiptare dhe njihet për stilin e saj të veçantë feminist të të shkruarit.

• Puntorie Ziba Muça - Nominohet për romanin “Gjurmë dhe Ishuj”, një nga prozat më atraktive të shkruara në rrethin shqiptar. Romani përbëhet nga një materie e endur brenda një fenomeni shqetësues, i cili njihet në mbarë botën si drama e dhunës, në veçanti ndaj gruas.

• Kim Mehmeti – Nominohet për botimin e librit “Ngjyrat e këtij dheu”, botim i shtëpisë “Koha”, kundër asgjësimit të armëve kimike siriane në Shqipëri. Ali Aliu thotë për botimin: “Këtij leximi të skutave më të thella të shpirtit, të ëndrrës, të gëzimit, të vuajtjes, të lumturisë dhe dëshpërimit, të klithjeve të brendshme, që me këtë rast më të fuqishme se fjala i përkap ngjyra e dheut dhe brusha e piktorit, i përkap edhe kënga e trollit, dhe që si shtrirje narrative i shkon më për shtat diskursi që preket nga nuancimi dhe variacioni eseistik, përkatësisht edhe nga një ngacmim lirik.”

• Fatmir Sulejmani- Nominohet për botimin e librit “Saga ballkanike e Luan Starovës” – Ky studim monografik ka gërshetuar metoda të ndryshme kërkimore me përparësi të metodës shkencore hermeneutike të anticipimit dhe artikulimit të njohurive të reja brenda veprës së Luan Starovës të pazbuluara deri më tani.

• Agim Rushiti - Nominohet për botimin e librit “Fjalori terminologjik i matematikës”. Publikimi i fjalorit terminologjik të matematikës në shqip, nga profesori i matematikës është një publikim i veçantë i këtij lloji. Sipas akademikut Aleko Minga, “Fjalori terminologjik i matematikës” i Agim Rushitit është një vepër që mbush një zbrazëti në literaturën matematike në gjuhën shqipe.

• Jëlldëz Asani - “Krijimtaria artistike e piktorëve shqiptarë në Maqedoni dhe në Kosovë në dy dekadat e fundit të shekullit XX”. Me një hulumtim sistematik konciz dhe preciz, magjistrja e shkencave të Historisë së Artit, ka arritur të nxjerr në dritë disa fakte të panjohura, informacione relevante të lidhur me veprat e artit të piktorëve shqiptarë.

Në një ceremonië e veçantë, do të dorëzohen çmimet sipas kategorive. Në këtë ceremoni gala, në mbrëmjen e 5 marsit, pranë “City Hall” (Ish diskoteka Hard Rock) do të ndahen edhe tre çmime të tjera. Dy për karrierë dhe një çmim “Promotor i vlerave shqiptare” që i jepet jo shqiptarëve, individë ose institucione që promovojnë vlerat dhe arritjet e shqiptarëve në Maqedoni.