BDI-në e LSDM-në i bashkon Gjykata Administrative
Ashpërsohet situata politike në Maqedoni, në prag të zgjedhjeve të dyfishta,parlamentare e presidenciale.
Palët kanë nisur bëtejat edhe në fronte tjera, përveç që janë duke u marrë me fushatat e tyre në mënyrë intesive.
Kjo pasi Lista Zgjedhore do të përmbyllet të hënën më 24 mars pas përfundimit të procedurave të ankimimit nga Gjykata administrative. Kështu, të hënën përfundimisht do të dihet numri i votuesve që do të votojnë në zgjedhjet presidenciale.
Pikërisht për këtë çështje, tashmë bashkë janë bërë BDI-ja shqiptare që ishte në pushtet dhe LSDM-ja maqedonase që është në opozitë. Ato bashkë kanë dërguar ankesat në Gjykatën administrative.
Kjo pas vendimit negativ nga ana e KSHZ në lidhje me përfshirjen e votuesve fiktivë në listën zgjedhore. BDI-ja pret vendim pozitiv nga ana e gjykatës për shkak e cila në një rats të tillë do të rrëzonte vendimin e KSHZ-së.
Vendimi në lidhje me këtë ankesë pritet të merret shumë shpejt, brenda 24 orëve nga pranimi i tyre.
Bujar Osmani nga BDI-ja tha se ky veprim është marrë pas refuzimit të ankesës së tyre nga KSHZ.
“Në afat prej 24 orësh ne kemi përgatit ankesën dhe veçmë kemi dërguar në gjykatën administrative dhe presim përgjigje pozitive nga gjykata administrative pasi mendojmë se argumentet janë në anë tonë”.
Ndryshe nga BDI-ja, në LSDM thonë se nuk presin ndonjë vendim pozitiv nga gjykata administrative për shkak të punës së gjykatave në përgjithësi.
Sipas tyre, pavarësisht kësaj, shpresojnë që qytetarët ta thonë fjalën e vet gjatë dhënies së votës siç bënë edhe në zgjedhjet lokale konkretisht në komunën Qendër.
Damjan Mançevski nga LSDM-ja tha se ata do ta shfrytëzojnë mundësinë ligjore të dërgojnë ankesë te gjykata administrative për vendimin e KSHZ ku sipas tyre, për fat të keq u vendos përmes mbivotimit dhe parimit politik dhe hodhen poshtë vërejtjet e tyre për listën zgjedhore.
“Nuk u morë parasysh ligji, situata faktike në teren… ashtu që ne jemi të detyruar të dërgojmë ankes te gjykata administrative..të jemi të sinqertë duke par se si vendosin të gjitha gjykatat në Maqedoni përfshirë edhe gjykatën administrative nuk presim vendim pozitiv”.
BDI-ja konteston 453 votues të cilët përveç në Maqedoni janë paraqitur edhe në ambasadën e Maqedonisë në Tiranë për të realizuar të drejtën e votës, kurse LSDM dyshon se në listën zgjedhore ekzistojnë 26. 515 votues fiktivë.








