Gruevski: Partitë shqiptare mos ia hudhin fajin VMRO-së për dështimet e tyre
Karvani i kandidatit presidencial të VMRO-DPMNE-së, Gjorge Ivanov, mbrëmë ishte në Strugë dhe Resnjë. Për Strugën, Ivanov tha se ka potencial që të jetojë gjatë tërë vitit. “Jetoni në njërën nga pjesët më të bukura të Maqedonisë. Keni edhe liqe edhe lumenj, edhe fusha dhe male. Keni plazhe tejet të bukura, trashëgimi ë pasur kulturore dhe historike. Ky është një potencial i madh për zhvillimin e turizmit. Këtu është edhe Jabllanica për turizmin dimëror dhe fshatar”, tha Ivanov dhe shtoi se qeveria po punon për rigjallërimin e tre auto-kampeve të cilët me dekada ishin lënë në mëshirën e kohës.
Ndërkohë që kryetari i VMRO-së, Nikolla Gruevski tha se partitë shqiptare mossuksesin e tyre mundohen ta mbulojnë me satanizim të partisë që ai e udhëheqë. “Shumë herë deri më tani VMRO DPMNE ishte e satanizuar në mesin e popullatës shqiptare se ne i urrejmë qytetarët që janë shqiptarë etnik, se jemi kundër atyre, se kemi pamundësuar të ndërtohen disa gjëra. Këtë e bënin partitë etnike shqiptare, kur duhej të arsyetonin punën e tyre të pamjaftueshme dhe premtimet e papërmbushura apo premtimet e shumta të cilat paraprakisht e dinin se nuk do të mund t’i përmbushnin”, deklaroi Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO DPMNE-së.







