Inatçinjtë maqedonas para miqësores me Haitin!
Agim MUHAXHERI
Ndonëse për këtë muaj është paralajmëruar që kufiri Kosovë – Maqedoni të kalohet me letërnjoftim, regjimi i Nikola Gruevskit i tregon “dhëmbët” ndaj shqiptarëve. E vazhdon politikën e moçme, i nxjerrë nga “xhuboksi” formulat e politikës së “nxehtë”. Policia e Gruevskit në pikën kufitare Glloboçicë – Jazhincë i “bllokon” dhjetëra studentë kosovarë që studiojnë në Universitetin e Tetovës. Më tepër se një orë i lënë të presin duke bërë trysninë psikologjike. I lënë të presin deri sa të kryejnë formalitetet ligjore. S’e heqin nga goja “zakonin” (ligjin) ! Nuk qajnë kokën pse studentët e kanë afatin e provimeve. “Viktima” të policisë ishin edhe disa autobusë nga Kosova, të cilët i detyrojnë të kthehen në “rikuerc”, ngase nuk i paskan pasur lejet përkatëse… Ja ky është “spektakli” maqedonas.
Ku janë partite politike shqiptare në Maqedoni ? Ku është ambasada e Kosovës ? Këtyre nuk u ndihet zëri, sikur ajo çka ndodhi me studentët qenka “cikërrimë” !
Jo rastësisht nuk ndodhin këto cirqe. Inatçinjtë maqedonas bëjnë embargo, lojë nervash, një ditë para miqësores, ndeshjes futbollistike ndërmjet Kosovës – Haitit në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Vëllai i madh serb do t’i thoshtë këtij të voglit – maqedonasit: “Faleminderit për këtë shërbim”.
Zig zaget e këtij fqinji s’kanë të ndalur. Shprehin urrejtnë dhe hakmarrjen. Kur tanët i bllokuan mallrat maqedonase, këta e ndaluan qarkullimin e njerëzve. Me të dy këmbët shkelën të drejtën ndërkombëtare, konventat që sanksionojnë liritë dhe të drejtat e njeriut. Tash sërish i ke në skenë ! E bëjnë lojën e dreqit.
Ujku qimen ndërron, por zakonin s’e harron.
Një gjë dihet. Maqedonia e Mali i Zi brenda një ditë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Mali i Zi e ka hapur derën për shtetasit e Kosovës para disa vitesh. Këtu shkon me lëtërnjoftim. Ndërkaq, këta të regjimit të Gruevskit e kanë kufirin e hekurt. I maltretojnë shqiptarët edhe me pasaportë ! Nuk kanë me kë të merren, pos me shqiptarët !
Dy ministrat e brendshëm, të Kosovës e Maqedonisë, Bajram Rexhepi e Gordana Jankuloska ishin marrë vesh që gjatë marsit të këtij viti të kalohet kufiri me letërnjoftim. Do të ndizet drita jeshile, apo kjo ishte vetëm një farsë politike ?
Maqedonia është e përkëledhura e Brukselit, por edhe e Washingtonit. Krerët e këtij shteti të brishtë e keqpërdorin politikën amerikane, shqiptarët jo vetëm në këtë shtet, që janë shumicë, i shohin si qytetarë të rendit të dytë, kanë aversion ndaj tyre, nuk donë t’i shohin me sy. Dhe, shihe ti, pretendojnë të hyjnë në elitën e familjes europiane, Bashkimin Europian (BE). Parimi kryesor, për t’u anëtarësuar në këtë familje, në radhë të parë është se duhet pasur marrëdhëniet e mira me “robt e shpijes”, por edhe me fqinjët, me shtetin e Kosovës.
Këta “makedoncat”, më të zinj se serbët, sikur i ka shkelur rrota e historisë. Shikojnë mbrapa, jo përpara, nuk ecin me kohën. Na kanë halë në sy. Nuk kanë qejf t’i shohin shqiptarët si burrë shtetas, zyrtarë të lartë të shtetit, por si “komunelec”, pastrues të rrugëve, shitës të specave e patëllxhanëve… Vuajnë nga kompleksi i inferioritetit. Për inat të shqiptarëve bëjnë marrëzira që s’i çon as pampuri. Me inati ‘nuk mbahet shpija’, zotëri Gruevski !
Amerikanët e kanë një shprehje: “Who the hell you think you are ?” që i bie: Çka e konsideron vetën, në dreq të mallkuar, se je ? Fatkeqësisht disa politikanë maqedonas nuk zbresin nga qielli, shikojnë nga lartësitë. Shqiptarët i shohin si destabilizues, armiq të vendit!
Deri sa krerët e këtij shteti nuk këndellen, nuk ndryshojnë qëndrimin, politikën ndaj shqiptarëve, gjendja edhe më tutje do të jetë status quo.






