Kur do të ketë ndryshime pozitive të shoqërisë shqiptare?
Daut EMINI
Hapi i parë, drejtë ndryshimeve të nevojshme në shoqëri, është vullnet politik institucional. Të gjithë hapat tjerë, pas vullnetit politik institucional, janë formal dhe nuk paraqesin problem për realizim.
Vullneti politik do të hap rrugë, për instucionet e shtetit, për zbatimin e paketës së miratuar ligjore, të monitoruar nga BE. Padyshim, për vetëdijësimin dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë, nuk mjafton vetëm paketë ligjore, por do të duhet të miratohen shumë akte tjera ligore dhe nën-ligjore, dhe programe edukativo-arsimore, të zbatuara në vendet me demokraci perëndimore.
Vendet e Ballkanit Perëndimor s’ka nevojë ‘të zbulojnë’ programe të tilla. Mjafton t’i marrin ato programe ekzistuese nga vendet e zhvilluara, t’i aprovojnë dhe t’i zbatojnë. Ndoshta do të ketë nevojë edhe për programe plotësuese të hartuara, të miratuara dhe të aprovuara nga vendet e Ballkanit, sipas specifikave të veçanta të shoqërisë vendore.
Nuk besoj të ketë nga ata që mendojnë se ndërgjegjësimi i shoqërisë shqiptare, nga zbatimi i programeve të tilla, mund të realizohet brenda natës, për disa muaj apo një vit! Ky proces, specifik dhe i vështirë, kërkon punë sistematike dhe të përhershme në të gjitha nivelet shoqërore! Nga një punë e tillë e përbashkët, klasës politike dhe shoqërisë, rezultatet do të jenë të dukshme dhe të prekshme për një periudhë të shkurtër. Kështu, rezulltatet e para të rritjes së vetëdijes së shoqërisë mund të arrihet gjatë një mandati qeverisës. Kjo mund të arrihet vetëm nëse ekziston vullnet serioz politik, angazhim institucional, me përkrahje të shoqërisë qytetare, si dhe me ndihmë politike, ekonomike dhe finasiare nga BE-ja. Realisht, ndihma nga BE nuk ka munguar. Ajo ka qenë dhe është e hapur, por mungesa e saj ka qenë dhe është rezulltat i pa aftësisë dhe neglizhencës së vendeve të Ballkanit Perëndimor për ta marrë.
Kështu, nëse do të ketë vullnet politik, rezulltatet do të jenë të prekshëm për katër vite. Në këtë mënyrë, do të kemi edhe rezulltatet e para të vetëdijësimit dhe ndërgjegjësimit të shoqërisë shqiptare, do të zvogëlohet hapësira e manipulimit! Ku votuesi shqiptar nuk do të voton “i programuar”, për ata që premtojnë shumë e nuk i realizojnë, për ata që flasin bukur pa thënë asgjë, për ata që ‘të ledhatojnë ditën e të rahin natën’,…!
Por do të votojnë ndryshe, do të votojnë për dënimin e dështimeve në qeverisje, qoftë lokale ose qendrore, do të votojnë kundër programeve dhe premtimeve të dështuara! Dhe, padyshim, do të votojnë për një të arrdhme më të mirë për vete, familjet e tyre dhe shoqërinë në përgjithësi. Do të votojnë për një vetëdije të avancuar politike, për zhvillim ekonomik, arsimor, turistik dhe kulturor të vendit në përgjithësi.
Ndonëse është i nevojshëm nuk është i mjaftueshëm që rritja e nivelit të vetëdijes dhe ndërgjegjes të një shoqërie të jetë si rezulltat i paketës së mirë ligjore. Po të ishte sipas kësaj logjike, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë paketë ligjore shumë të mirë, kompatibile me atë të BE-së, të mjaftueshme për të pasur një shoqëri të edukuar dhe të ndërgjegjshme, dhe të cilën, për fat të keq, nuk e kanë.
Prandaj është e nevojshme dhe e domosdoshme që klasa politke në përgjithësi, dhe ajo qeverisëse në veçanti të kenë vullnet edhe për zbatimin paketës ligjore. Pra, niveli i vetëdijes shoqërore varet nga vullneti i klasës politike qeverisëse!
Për të sqaruar raportet e klasës politike qeverisëse ndaj shoqërisë, do të marrë një shembull që tregon thelbin e marrëdhënieve të tyre.
Si shembull konkret, që i tregon këto raporte, është loja e shahut, e cila është një nga programet e para të lojrave në kompjuter! Programuesi ka menduar që programi i lojës së shahut të jetë për të gjithë shkallët e njohurive. Dhe, këto njohuri në shah, programuesi i ka ndarrë në shtatë nivele.
Arsyeja pse jam përcaktuar që për shembull të marr lojën e shahut, është se e drejta për të përcaktuar shkallën e lojës në shah, sipas programit, është e rezervuar vetëm për lojtarin (shahisti) i cili dëshiron të luaj shah në kompjuter. Ndërsa ai (shahisti), duke dashur që çdo herë të fiton kundër komjuterit, ai e çdo herë e zgjedh nivelin në të cilin fiton! Dhe kjo, në mënyrë analoge, në shtet do të pasqyronte klasën politike, e cila, sipas vullnetit të saj, e përcakton mënyrën qeverisëse! Pra, shahisti (klasa politike) e ka të drejtën të zgjedh shkallën e lojës së shahut, ndërsa kompjuterit (shoqërisë) i mbetet të pajtohet dhe të ‘zbaton atë zgjedhje’, pa patur të drejtën e kundërshtimit, ashtu si shoqëria ndaj qeverisjes politike!
Kushtetuta, ligjet, aktet nënligjore dhe rregulloret e ndryshme, të hartuara dhe të miratuara nga klasa politike qeverisëse, nëse nuk zbatohen në terren, ato janë letra pavlerë. Nëse shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku bëjnë pjesë edhe territoret shqiptare, vazhdojnë kështu, dhe nuk e zbatojnë në terren tërë paketën ligjore, kompatibile me atë të BE-së, do të trajtohet si një “paketë ligjore e pavlerë”!
Sikur të ketë vullnet të klasës politike qeverisëse, për zbatimin e plotë të paketës ligjore, ndryshimet pozitive do të jenë të dukshme. Kështu, me kalimin e kohës, do të rritet standardi i jetës qytetare, do të rritet nevoja për zhvillim ekonomik, finaciar, arsimor, kulturor për shoqërinë shqiptare. Dhe, gjithë kjo do të reflektohet në rritjen e vetëdijes, ndërgjegjes dhe rritjen e nivelit arsimor të shoqërisë shqiptare në përgjithësi dhe shteteve në veçanti.







