Makoviq: ‘Shkupi 2014′ si projektet e Hitlerit
Historiani i njohur i artit dhe letërsisë nga Kroacia, Zvonko Makoviq ka thënë se projekti i Qeverisë së Maqedonisë, “Shkupi 2014”, ngjason me projektet e Hitlerit në Gjemaninë naziste.
Ai thotë se disa vite ka analizuar fenomenin e Shkupit 2014 dhe konkludon se pushteti në Maqedoni po ecën në gjurmë të rrezikshme të nacionalizmit, sikur ai gjerman gjatë periudhës së Hitlerit.
Vlerësimet e tija, Makoviq i ka shprehur gjatë një debate të sotëm në Shkup, me temë“Përmendoret dhe politika: Shkupi 2014, a është projekt kulturor apo politik ?”, që u organizua nga Fondacioni “Shoqëria e Hapur” dhe organizata Okno.
“Nuk bëhet fjalë për një projekt kulturor, por për projekt politik, që nuk ka aspak lidhje me artin, por edhe estetikën. Kjo që shohim është estetikë vulgare dhe një kiç, para së gjithash një kiç politik që tregon vullnetin e këtij pushteti, që realizoi këtë projekt politik duke mos përfillur opinionin profesional”, theksoi Makoviq, duke shtuar se ky projekt do të jetë i rrezikshëm dhe me pasoja të mëdha.
Realizimi i projektit në fjalë, sipas historianit kroat, është shërbyer me ideologji nacionaliste.






