Me Pendarovskin, kundër Nikolla Gruevskit?!
Tashmë kur VMRO-DPMNE ka përzgjedhur presidentin aktual Gjorgje Ivanov si kandidat në garën presidenciale, është bërë e qartë strategjia e partisë në pushtet për të vazhduar politikat e injorimit të kërkesave të shqiptarëve.
Në këtë situatë, analistët politikë janë duke komentuar nëse mbështetja e kandidatit të pritur opozitar nga radhët e LSDM-së, Stevo Pendarovski do të ishte mënyra më e mirë për të kundërshtuar politikat e partisë qeveritare maqedonase.
Analisti politik, Edmond Ademi thekson se kandidimi i Pendarovskit përfundimisht do t’i mundësojë opozitës që për herë të parë pas tetë viteve të fitojë zgjedhjet presidenciale.
“Është kjo zgjedhje më e mirë për opozitën për shkak se është një person me integritet,eksperiencë të madhe dhe një kandidat ndryshe nga ai i presidentit aktual, i cili për pesë vjet në krye të shtetit nuk ka asnjë rezultat pozitiv. Thjeshtë ka qenë një kukull e kryeministrit Nilolla Gruevski”, ka thënë Ademi, për “Zhurnal plus”.
Sipas Ademit, më shumë se 70 për qind e shqiptarëve kanë mendim negativ për Presidentin aktual Ivanov dhe mbi 90 për qind për kryeministrin Gruevski. “Besoj se kandidatura e Pendarovskit është shanse që nuk duhet të lëshohet nga shqiptarët. Duke votuar Pendarovskin që në raundin e parë, me çka do ta dënojnë Gruevskin dhe VMRO-DPMNE-në në mënyrë direkte. Prandaj, besoj se shqiptaret janë të vetëdijshëm se me bojkot do t’i ndihmojnë Gruevskit, duke lejuar që në krye të shtetit të kemi Ivanovin edhe pesë vjet të tjera”, ka vlerësuar Ademi.
Sipas tij, ky është momenti që t’i tregohet Gruevskit se shqiptaret mund të vendosin për fatin e këtij shteti padyshim, moment që duhet shfrytëzuar. Pendarovski mund të marrë mbështetje nga shqiptarët edhe për faktin se ata duan që të japin një votë kundër Gjorgje Ivanovit, pasi që ka frikë se rizgjedhja e tij në post do të ishte një përsëritje e politikës promaqedonase dhe larg interesave të shqiptarëve.
Analisti politik Mersel Bilali vlerëson se është moment shumë i rrallë politik që shqiptarët të tregojnë se janë faktorë, duke demantuar të gjithë atë spektër politik që është antievropian. Megjithatë, Bilalli pyet se sa do të kishte mundësi Pendarovski ose një kandidat tjetër opozitar që të mund t’i përmbushë kërkesat e shqiptarëve kur kompetencat e presidentit janë shumë të vogla.
Ai beson se shqiptarët munden që me automatizëm të votojnë për një kandidat opozitar maqedonas, sepse e kanë shumë vështirë që të votojnë për një kandidat të VMRO-DPMNE-së.
Në anën tjetër, edhe analisti politik Alajdin Demiri thekson se mbështetja e një kandidati opozitar kundër VMRO-së do të krijontenjë skemë shumë interesante. Ai beson se në rast se votat shqiptare bashkohen vetëm te një kandidat, atëherë raundi i dytë i zgjedhjeve drejtpërsëdrejti do të varet nga votat shqiptare.
“Në këtë situatë mendoj se profesori Stevo Pendarovski është shumë serioz dhe ka një rejting jashtëzakonisht të lartë. Pastaj, nëse presidenti aktual Ivanov ngelë kandidat i VMRO-së, atëherë ka gjasa të mëdha që vota shqiptare të vendosë se kush do të fitojë, për arsye se VMRO nuk mund të krijojë një epërsi të madhe me Ivanovin”, vlerëson Demiri.
Ndërkohë, vet Pendarovski deklaron se shqiptarëve nuk do t’u bëjë oferta të tilla sikur punësimi në kuotën prej 25 për qind në Kabinetin presidencial, por do të ndjekë politikën që Maqedonia të jetë shtet i të gjithëve, jo “për dikë nënë e për tjetrin njerkë.
“Zgjedhjet presidenciale edhe me definicion shkruan se duhet të jetë president i të gjithë qytetarëve. Nuk mund që njëri të jetë për maqedonasit e tjetri për shqiptarët, sepse në atë rast s’kemi bërë asgjë. Qëllimi im do të jetë qysh në fillim t’iu drejtohem të gjithëve me emër dhe mbiemër.
Nuk do t’iu drejtohen si tufë apo grup njerëzish. Unë s’do të bëjë pazar me liderët politik, më jep kaq vota, se unë do t’u jap këtë”, ka thënë Pendarovski, në një intervistë për “Zhurnal Plus”. Ai ka thënë se nuk preferon të bëjë pazare politike me liderë partiakë, sepse nesër do të thonë se “ky nuk guxon të flasë meqë kaq vota ka marr prej nesh e kështu me radhë”.
/zhurnal/






