Ndërgjegjësimi i shqiptarëve të Maqedonisë
Veton IBRAHIMI
Ka ardhur koha që shqiptarët e Maqedonisë të arrijnë të bëjnë dallimin apo ndarjen e shapit nga sheqeri. Kaluan pothuajse 14 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe plot 10 vite kur kjo marrëveshje duhej të ishte implementuar, të paktën në aspektin legjislativ. Me këtë që thash sigurisht që nuk zbulova Amerikën!
Ishte paraparë që kjo marrëveshje deri në vitin 2004 të implementohej në të gjitha segmentet e saj. Ndërkohë që realiteti është më shumë se sa i hidhur. Asgjë, pothuajse asgjë nuk është realizuar as në frymë dhe as në germë nga ajo marrëveshje. Me përjashtim të krijimit të disa institucioneve, siç janë ”Instituti për trashëgimi kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë”, ”Tetari Profesionist i Tetovës”, ”Teatri Profesionist i Kumanovës”, ”Dita e Kongresit te Manastirit”, pra “22 Nëntori” festë shtetërore së bashku me Bajramin e madh dhe disa të arritura të tjera, të gjitha këto për ironinë e fatit të patriotëve të BDI-së, të realizuara në qeverisjen e PDSH-së 2006-2008, pra me vulën e PDSH-së. Edhe vendimi për legalizimin e Bustit te Skënderbeut (pasi që nga organizatorët nuk ishte marrë asnjë vendim apo leje, pra donin ta vendosnin Skënderbeun si një kaçak dhe jo ashtu siç e meritonte Heroi ynë Kombëtarë) u soll në mënyrë të përshpejtuar me insistim të PDSH-së në qeveri, që në fund, me rastin e inaugurimit nga patriotët e BDI-së, rezultoi me ftesa për ministrat e VMRO-së dhe kryeparlamentarin e VMRO-së dhe asnjë ftesë për PDSH-në. Për këtë do të flas njëherë tjetër, është histori për keqardhje dhe në të cilën kam qenë drejtpërdrejtë i kyçur me Kryeministrin e asaj kohe dhe të tanishëm, për shkak të funksionit që kisha. Aty kam ndjerë nga afër frymën ”patriotike” të BDI-stave. Dhe sot e kësaj dite as që turpërohen këta patriotët e BDI-së, bile-bile ndihen shumë fisnik!
Dhe i vetëshpalluri ”lider” i shqiptarëve në Maqedoni Ali Ahmeti, pa pikën e turpit thotë: ”Ne nuk shajmë, ne jemi fisnik, ne kemi realizuar të drejtat e shqiptarëve”. Marrëzia nuk paska fund! Kjo ma kujton një shprehje të babait tim që e kishte shumë për zemër. Kur dikush gënjente pa pik turpi, im Atë, në sy të gjithëve, dhe jo pa qëllim, i thoshte: “Pse po gënjen burrë, mos gënje”. Ndërsa gënjeshtari në këtë rast i zënë ngushtë reagonte duke thëne: ”Si po më thua ashtu para njerëzve që po gënjej, si s’po të vjen turp të më thuash para njerëzve gënjeshtar”?! Dhe kundër reagimit i tim Atë ishte edhe më i ashpër. “Ty s’po të vjen turp që gjithë kohën po gënjen ndërsa mua u dashka të më vjen turp të të them se je gënjeshtar”?!
Pra, Ali zotnia, duheshka t’na gënjen gjithë kohën pa pikën e turpit dhe na qenka fisnik, ndërsa neve duhet t’na vijë turp t’i themi se: Pse po gënjen dhe qenkemi rrugaç!!!. Ai që gënjen gjithë kohën pa pikën e turpit, qenka fisnik e jo rrugaç, ndërsa ne që i themi gjithë kohën dhe do vazhdojmë t’i themi, “mos i gënje shqiptarët”, qenkemi rrugaç!. Ai që në 2001-shin, na gënjeu se do të na çlironte përfundimisht nga thundra sllavomaqedonase, gjë që na gënjeu, pastaj nga viti 2002-2006 se do të implementoj marrëveshjen e Ohrit, që po ashtu gënjeu shqiptarët se në 2006 PDSH-ja me hyrjen në qeveri paska kthyer proceset mbrapa, ndërkohë që faktet flasin krejt të kundërtën. Nëse diçka u bë për shqiptarët në Maqedoni, në aspektin institucional, ishte pikërisht koha kur PDSH-ja ishte pjesë e qeverisë. Gënjeu pikërisht dhe tradhtoi pas shpine me gjoja marrëveshjen e famshme të Majit, me Gruevskin, ndërkohë që PDSH-ja e kishte mbështetur për muri Gruevskin dhe të gjithë të tjerët. Për këtë që them, kam dëshmi të komunikimit të sekretarit të përgjithshëm të BDI-së atëherë dhe tani Abdylhaqim Ademi me Martin Protuger, shef i kabinetit të Gruevskit atë kohë tani sekretar gjeneral i VMRO-se, ku ky i fundit në emër të VMRO-së, i ofronte hyrje në qeveri BDI-se pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit 2008 dhe ndihmë në procesin zgjedhor, vetëm e vetëm ta shpëtojnë nga presioni i PDSH-së. Aliu gënjeu atëherë, gënjen tani dhe do vazhdon të gënjej gjithnjë. Atë dinë ta bëjnë, ai me të njerëzit e tij. Por nuk çuditem në rastin konkret me Aliun dhe me kompaninë e tij që gënjeshtrën e kanë ushqim për t’u pasuruar, por me ata që i besojnë gënjeshtrës së tyre, disa nga halli e disa nga të qenurit pakurrizor dhe servil të pushtetit.
Çka po ndodh me shqiptarët në Maqedoni, ç’është ky hezitim i madh dhe nënshtrim kaq i madh ndaj gënjeshtrave të paturp të BDI-së dhe Ali Ahmetit. A thua kaq të padenjë qenkemi sa t’i nënshtrohemi një turpi kaq të madh, një gënjeshtari serik i cili vazhdon ta quaj veten fisnik duke gënjyer gjithë kohën pa u skuqur fare. Ne nuk jemi komb që e durojmë gënjeshtrën, ne edhe mund ta falim atë që gabon dhe gënjen, por nuk guxojmë ta tolerojmë me gënjeshtrën e tij e aq me pak ta ndjekim e gënjeshtrën e tij.
Gjykuar sipas një logjike ekonomike, sepse edhe në këtë rast Aliu dhe kompania e tij vazhdojnë të gënjejnë pa pik turpi. Pas çdo procesi bëhet bilanci, qoftë në ekonomi por edhe në politikë gjithsesi. Pra, që nga viti 2002 deri me tani janë plot 12 vjet nga të cilat BDI është më shumë se 10 vite pjesë e pushtetit, ndërsa PDSH-ja ishte 18 muaj. Dhe, nëse bilanci i këtyre 12 viteve të pas konfliktit flet diçka, atëherë flet pikërisht në kohën kur PDSH ishte pjesë e qeverisjes 2006-2008. Pikërisht në atë kohë u sollën vendime të rëndësishme për shqiptarët siç i theksove edhe me lart, me të cilat BDI po prapë pa pikën e turpit mburrej se gjoja ata i paskan bërë. Janë vendimet e qeverisë me data dhe me nënshkrime të ministrave të PDSH që dokumentojnë këtë gjë. Ndërkohë që mbledhjet e qeverise në kohën kur PDSH ishte pjesë e saj, fillonin nga ora 12 dhe mbaronin në orët e hershme të mëngjesit duke mos lejuar asgjë të kalon pa hyrë mirë në llupën e PDSH-së, dhe shpesh herë ndodhte që mbledhjet ndërpriteshin me kërkesë të PDSH-së derisa arrihej marrëveshja. Një rast i tillë ishte me projektiligjin për siguri në komunikacion ku me insistim të PDSH-së dhe kryetarit Menduh Thaçi u arrit që gjuha shqipe të jetë në të gjitha tabelat rrugore, duke filluar nga çdo vendkalim kufitar në të gjithë Maqedoninë, aeroportet e Maqedonisë dhe në të gjitha rrugët nacionale dhe rurale. Pra në mënyrë indirekte rregullonte përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, apo shprehur më mirë i hapte rrugën sjelljes së ligjit për përdorim zyrtar të gjuhës shqipe në nivel të të gjithë vendit. Ky projektligj nuk arriti të shkon asnjëherë në parlamentet sepse patriotet e BDI-së tashme kishin bë ”marrëveshjen e Majit” dhe e shpëtuan VMRO-në nga e keqja që po i vinte nga PDSH-ja. Pyes publikisht patriotet e BDI-së, pse nuk e quan asnjëherë në parlament për miratim atë projektlgjj, por sot e kësaj ditë ka mbetur sirtarëve të qeverisë.. Ndërkohë mbledhjet e qeverisë me BDI-në si pjesë e saj zgjatin jo më shumë se 2 orë. Pra janë vetëm dekor që votojnë projektet e VMRO-së. Mjafton ky si fakt për ta kuptuar mjerimin e tyre. Shto faktin pastaj që sa herë i kujtohet Gruevskit i nxjerr jashtë ministrat e BDI-së nga salla e mbledhjeve të qeverisë se duheshka të konsultohet me ministrat e VMRO-së. Deri këtu kanë degraduar patriotët dhe çlirimtarët gënjeshtar.
Pra për ta mbyll logjikën e bilancit politik në rastin konkret, po përdor një logjikë të një të afërmit tim, i cili më shumë çiltërsi i përgjigjet hutisë që mundohen jo rastësisht patriotet e BDI-së ta servojnë në opinion se gjoja njësoj janë, si BDI si PDSH, ishin të dyja në qeveri dhe asgjë nuk u bë për shqiptarët dhe të dyja janë fajtore. Kjo bëhet për tu përvjedhë gënjeshtra nga dera e vogël dhe me këtë mbase të zhvatin edhe një mandat jo për të përfaqësuar shqiptarët, por për të qenë pjesë e qeverisë. Zaten kështu deklaronte gjithnjë kryepatrioti Ali Ahmeti se ne kemi mandat për të qenë në qeveri, por kurrë nga goja e tij nuk doli fjala përfaqësim. Mbase i vetmi moment kur Aliu dhe kompania nuk gënjejnë. Ata janë në qeveri se duan të jenë dhe jo se duhet ti përfaqësojnë shqiptarët. Ata në fakt nuk përfaqësuan dhe nuk përfaqësojnë asgjë tjetër përveç interesave të tyre të ngushta klanore dhe të bizneseve të tyre.
Pra ishim tek kushoa im. Më shumë logjike ekonomike dhe që lidhet edhe me bilancin politik të shqiptareve në Maqedoni, kushoa im reagon dhe u thotë: E di çfarç po thoni ju. Ta zëmë se BDI dhe PDSH janë dy vëllezër që punojnë në mërgim, njëri më shumë se 10 vite dhe tjetri më pak se 2 vite. Dhe sipas logjikës tuaj këta dy vëllezër duheshka të sjellin njësoj mjete financiare, qenkan njësoj, duheshka në mënyrë të barazvlevshme të kontribuojnë në ekonominë familjare. Jo zotëri, ky është manipulim, ky është mashtrim dhe nuk ju pinë ujë me këto gënjeshtra. Nëse ajo familje është në krizë nuk janë të dy bashkëfajtorë, por ai që ka 10 vite që tallet dhe gënjen dhe në fund mundohet të arsyetohet se vërtetë ne nuk bëmë asgjë për 10 vjet e më shumë, por as ju nuk bëtë më shumë për 18 muaj. Pra krahasimi është krejt banal dhe i palogjikshëm. Prandaj mjaft gënjyet dhe manipuluat me shqiptarët, por hapni rrugën dhe lejoni ata që për 18 muaj bën më shumë se sa bëtë ju për 10 vite e më shumë. Shqiptarët tashmë e kanë kuptuar këtë gjë dhe dinë ta bëjnë dallimin.
Shpresoj mos t’ia lëviz eshtrat të ndjerit Arber Xhaferi, duke sjell në kujtesë një dialog të shkurtër që kisha më të, gjatë kohës se konfliktit në 2001.
Duke qenë se isha i ri në atë kohë dhe reagoja me emocione pothuajse në gjithçka që kishte të bënte me zhvillimet e kohës, z.Arbër më kërkoj të ulemi bashkë të pimë nga një kafe dhe të flasim, dhe më thotë,
Veton, vështirë se do bëhesh ndonjëherë politikan, sepse reagon emocionalisht, kjo të largon mbase nga politika, por të mban dhe të bën shqiptar të mirë.
Shiko me thotë, ekzistojnë 3 kategori njerëzish,
Kategoria e parë janë njerëzit ordiner, ata që merren me thashetheme, që merren me njerëzit dhe me gjithçka tjetër që u del përpara por kurrë me vetveten dhe gjithnjë me të tjerët.
Kategoria e dytë janë shtresa e mesme, njerëz të thjeshtë, edhe intelektual mesatar që merren me punët e tyre, punën e familjes, kujdesen për familjen për të afërmit, pra janë njerëz që kanë një sistem vlerash dhe që respektojnë atë sistem vlerash.
Ndërsa kategoria e tretë janë njerëzit e mëdhenj, superintelektual, të cilët gjithë jetën merren me kauzën, me idenë e projektuar dhe madje i kushtojnë edhe jetën atij projekti. Për këta njerëz nuk janë të rëndësishëm individët, por projekti, kauza është e rëndësishme.
E di që kjo që po të them është e dhimbshme Veton, por për fat të keq ky është realiteti. Në një zhvendosje standardesh sikundër ka ndodh tani, mund të të ndodh qe je në gjumë si patriot dhe zgjohesh nga gjumi si tradhtarë. Prandaj duhet patur shumë kujdes tani, sepse edhe majmunit i ka ardhur radha të bëhet mbret. Por gjithsesi një porosi mund të ta le si një mik i vjetër, kurrë mos e braktis kauzën, kurrë mos u dorëzo para gënjeshtrës dhe kurrë mos e prano për të vërtetë apo mirëqene. Dyshimi është kategoria më e lartë intelektuale. Prandaj gjithmonë dysho tek njerëzit ordiner dhe gjithmonë besoj Kauzës, besoj idesë sepse ajo të kthjellon nga të gjitha dyshimet. Besoj njeriut që i prin asaj kauze, sepse nuk gabon, nuk gënjehesh.
Pra të dashur lexues, unë as atëherë kur reagoja emocionalisht as tani nuk kam braktisur kauzën dhe kurrë nuk do ta braktis, sikundër kurrë nuk do ta pranoj gënjeshtrën për të vërtetë dhe kurrë nuk do ketë fuqi që do mund të më ndalon ta them të vërtetën dhe gënjeshtarit t’i them gënjeshtar. Shapin nga Sheqeri e kam patur të ndarë gjithmonë, sikundër e kam patur të ndarë gjithmonë gënjeshtarin nga njeriu që ndjek dhe i prin Kauzës. Prandaj është momenti i fundit që shqiptarët të ndalojnë njëherë e mirë këtë gënjeshtër të madhe që po na e servir BDI me Ali Ahmetin dhe t’i kthehen kauzës, t’i besojnë njeriut që i prin kësaj Kauze, ti kthehen PDSH-së ashtu si në vitin 1998-1999 ku çdo shtëpi e shqiptarëve të Maqedonisë ishte shtab i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Partisë Demokratike Shqiptare. Kujtojeni vetëm për një çast atë periudhe se kush ishte PDSH, çfarë bëri PDSH për luftën e Kosovës, cila ishte Kauza e PDSH-së, besojeni atë Kauzë dhe do kthjelloheni nga çdo lloj dyshimi dhe do liroheni nga gënjeshtra. Me fitoren e PDSH-së nuk fiton PDSH-ja, fiton Kauza, fitojnë shqiptarët. Shkon në vend amaneti i Arbër Xhaferit.
E kemi ne në dorë zgjidhjen, a do pranojmë të vazhdojmë të gënjehemi apo do t’i kthehemi Kauzës, t’i kthehemi kombit, t’i kthehemi vetvetes. Është momenti i fundit t’i kthehemi Kauzës, t’i besojmë asaj dhe jetësojmë atë të gjithë së bashku.








