Ndërpritet ndeshja Drita-KF Shkupi, ‘Shvercerat’ përleshën me policinë
Derbi i dy skuadrave shqiptare në ligën e dytë futbollistike të Maqedonisë ndërmjet Dritës dhe Shkupit është ndërprerë. Në minutën e 19-të të ndeshjes sulmuesi i Dritës Armir Aliu pas një dueli me mbrojtësin mysafir, Mevlan Adili në afërsi të zonës së rreptësisë në një teren me baltë është rrëzuar, ndërsa referi kryesor Faton Mustafi ia tregoi kartonin e kuq.
Të pakënaqur nga ky vendim disa tifozë të KF Shkupi, të cilët kishin ardhur për ta mbështetur skuadrën e tyre, kanë shkaktuar tension në shkallët e stadiumit, duke hyrë edhe në terren. Një pjesë e futbollistëve mysafirë janë munduar që t’i qetësojnë “Shvercerat”, por vështirë ia kanë dalur.
Pas kësaj ka pasuar një përleshje midis tifozëve dhe policisë dhe si pasojë e zënkës disa tifozë të KF Shkupi janë arrestuar.
Treshja e referëve kishte hyrë në dhomat e zhveshjes dhe nuk e vazhdoi ndeshjen, as pas 30 minutave pritjeje.
Tani i mbetet përgjegjësve në FFM të merren me këtë rast.
Mirëpo, një fakt është për tu habitur, se si Komisari garues edhe në ndeshjen e parë në Çair edhe tani në Bogovinë ka caktuar të njëjtin arbitër, ndërsa ironia për të qenë edhe më e madhe është se si FFM-ja në ndeshjet mes ekipeve shqiptare për të ndarë drejtësinë cakton treshe shqiptare! /lajm/






