Në Shqipëri dëshirojnë që Nexhipi të luaj për Kombëtaren
Katër golat e tij për Partizanin dhe paraqitjet e suksesshme në fanellën e Partizanit kanë bërë që Nderim Nexhipi të jetë në qendër të vëmendjes tek mediat në Shqipëri. Ditëve të fundit, ai ka dhënë një sërë intervistash, ndërsa së fundmi ka qenë i ftuar, së bashku me mysafirë të tjerë, edhe në një emision sportiv “Bar Sport” që emitohet në Supersport. Një nga opinionistët e njohur sportiv Artan Shyti ka lavdëruar mesfushorin shkupjan për ndeshjet dhe golat e bukur në fanellën e të “kuqve” nga kryeqyteti shqiptar.
“Nderim Nexhipi duhet të luaj për Shqipërinë, andaj duhet nisin procedura për pajisjen me pasaportë “, ka thënë Shyti në emisionin sportiv. Në këtë emision i ftuar ka qenë edhe Dritan Shakohoxha, komentuesi i ndeshjeve sportive në Supersport, i cili ka treguar se derbin Partizani –Tirana (1-1) në stadiumin “Qemal Stafa” ka qenë i pranishëm edhe trajneri i Shqipërisë, De Biasi. Dhe, sipas Shakahoxhës loja e Nexhipit i ka pëlqyer trajnerit të kuqezinjve.
Në anën tjetër, vet Nexhipi është shprehur se për të do të ishte nder të luante për Kombëtaren e Shqipërisë: “Për mua do të ishte një nder të luajë për Shqipërinë. Nëse u nevojitem do të luaja pa asnjë problem”, ka pohuar Nexhipi. /lajm/







