Osmani: ‘Mjaft më pasivitet të diasporës, të kërkojmë llogaridhënie’
Në njërën nga sallat e hotelit ku mbahej tubimi për promovimin e kandidatit të RDK-së për deputet nga diaspora, një numër të rinjsh e të rejash qëndronin para disa kutive dhe aparateve të fotokopjimit. Ata i nxisnin të pranishmit që të regjistrohen për të qenë në listat zgjedhore. Sepse, zgjedhjet e jashtëzakonshme për Parlamentin e Maqedonisë mbahen në fund të prillit dhe nëse nuk je regjistruar nuk ke të drejtë të marrësh pjesë në to. Kështu tërheqin vërejtjen këta aktivistë të RDK-së, duke u përkujtuar të tubuarve se regjistrimin mund ta bëjnë vetëm deri më 30 mars. “Prandaj, shpejtoni…”
Gjatë kësaj kohe, në sallën tjetër, para një numri të madh bashkatdhetarësh, Enver Osmani po shpaloste programin e tij zgjedhor si kandidat i RDK-së për deputet nga diaspora.
“Të mos e harrojmë veten” ishte njëra ndër motot që E. Osmani e përsëriti disa herë gjatë fjalimit të tij programatik. Me këtë moto, siç sqaroi ai, synohet këmbëngulja në rolin më aktiv të diasporës, rol që nuk bën të kufizohet vetëm në dhënie parash.
“Ne, diaspora, me dërgesat tona mbushim rreth një të tretën e buxhetit të Maqedonisë dhe megjithatë heshtim, nuk reagojmë pse ato para keqpërdoren ose shkojnë jashtë regjioneve ku jetojnë shqiptarët. Është koha të kërkojmë llogaridhënie! Të ndihmojmë vendlindjen por edhe të mendojmë për vete, për jetën tonë këtu”, ka apeluar kandidati për deputet nga Zvicra, Enver Osmani.
Ai, gjatë fjalës së tij është ndërprerë disa herë me brohoritje dhe me duartrokitje nga publiku në sallë. Diaspora duhet të gëzojë një status Special në Maqedoni, ka theksuar Osmani, duke kërkuar që të mos maltretohen bashkatdhetarët tanë të cilët për një certifikatë duhet të shkojnë në Maqedoni, ndërkohë që një pune e tillë e vogël mund të bëhej pa problem në ambasadë. Maltretime tjera ata pësojnë gjatë hyrjes në territorin e Maqedonisë, ku, në vend të mikpritjes dhe mirënjohjes, u duhet të përbalen e arrogancën e zyrtarëve.
Duke qenë edhe vetë ekspert i integrimit, Enver Osmani ka bërë thirrje për integrim të shqiptarëve të Maqedonisë në shoqërinë zvicerane. Por integrimi nuk nënkupton asimilimin, ka thënë ai, duke vënë theksin në ruajtjen e vlerave kombëtare.
Osmani ka folur edhe për probleme të tjera që lidhen me raportet në mes të mërgimtarëve dhe vendit të tyre të prejardhjes, si investimet, rregullimi i dokumentacioneve, nostrifikimi i diplomave etj. Ai ka premtuar se, nëse do ta fitojë të besimin e diasporës, do të shfrytëzojë njohjen e realitetit në Zvicër për të lehtësuar gjendjen e mërgimtarëve dhe për të vendosur lidhje në mes të Zvicrës dhe Maqedonisë.
“Unë jam i juaji, jam si ju”, ka thirrur disa herë Enver Osmani, duke vënë theksin në njohjen e problemeve të diasporës, probleme të cilat janë edhe të tij, dhe të cilat do të vihen më mirë në rrugën e zgjidhjes duke e zgjedhur për deputet një njeri të tillë.
Nga ana e tij, kryetari i RDK-së, Rufi Osmani e ka prezantuar kandidatin e partisë së tij për deputet të diasporës si një intelektual të angazhuar e me bagazh të madh të njohjes së sistemeve si në Zvicër ashtu dhe në Maqedoni. Prandaj, si i tillë, Enver Osmani është kandidati i duhur për diasporën shqiptare të Maqedonisë, ka thënë Rufi Osmani.
Ai nuk ka harruar as kritikat ndaj partive shqiptare të Maqedonisë që kanë qenë ose që janë sot në pozitë. Sipas tij, ato nuk kanë punuar në avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Përkundrazi, janë zënë në rrjetin e korrupsionit që e kanë thurur edhe vetë, prandaj nuk kanë vullnet e as mundësi të punojnë për popullin që i ka zgjedhur. Por, ka theksuar Osmani, ka shpresa që kjo gjendje të përmirësohet, duke zgjedhur ata që kanë vullnetin dhe përkushtimin e duhur gjegjësisht që nuk janë korruptuar.
Shumë nga të pranishmit në vazhdim kanë shtruar pyetje, kryesisht lidhur me aktualitetin politik në Maqedoni dhe trajtimin e keq të diasporës, të cilave u janë përgjigjur kryetari i RDK-së Rufi Osmani dhe kandidati për deputet, Enver Osmani.
Të dy folësit kanë përsëritur apelin drejtuar diasporës shqiptare të Maqedonisë (dhe jo vetëm votuesve të RDK-së), që të marrin pjesë në mënyrë sa më masive në zgjedhjet parlamentare që mbahen më 27 prill në Maqedoni. /albinfo/







