Partitë shqiptare nuk meritojnë më shumë se 25 deputetë - tetova1

Partitë shqiptare nuk meritojnë më shumë se 25 deputetë


Kategoria: Lajme

Postuar më: Enj, Mar 20, 2014

Lexuar: 308 herë



Deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të kalojnë edhe një muaj e gjysmë, mirëpo të gjitha vlerësimet e analistëve dhe publiçistëve, flasin se në Parlamentin e ardhshëm do të ketë më pak “gjak” shqiptari.

Edhe pse thonë se nuk preferojnë të bëjnë “profeci”, analistët thonë se në bazë të logjikës së shëndoshë dhe në bazë të punës që kanë bërë, partitë shqiptare nuk meritojnë të kenë më shumë se 25 deputetë.

“Duke u nisur nga disa faktorë politikë dhe socio-ekonomik, kam përshtypje se numri i deputetëve shqiptarë do të ulet në përbërjen e re parlamentare. BDI e cila merr mandatin prej shqiptarëve vazhdimisht dhe qeverisë gati 12 vite, hiç dy vitet e PDSH-së (2006-08), në të gjitha ciklet zgjedhore ka marrë besimin e shqiptarëve për implementim të MO-së dhe për integrimin e vendit që si rezultat të fundit do të kishte përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë, por pritjet dhe rezultatet nga qeverisja e tyre janë zhgënjyese, sidomos në mandatin e fundit kjo ka arritur kulminacion. Më pas, kërkesa për zgjedhje të parakohshme nuk përkon aspak me realizimin e këtyre kërkesave shqiptare por vetëm sa për të plotësuar cenzusin i cili i shërben zgjedhjes së presidentit të ri, sipas tyre jokonsensual. Andaj, mendoj se qytetarët shqiptarë janë mjaftë të vetëdijshëm për këtë lojë mashtruese dhe do të mundohen të përçojnë mesazhin, kryesisht nëpërmjet mosdaljes në zgjedhje ose prishjes së fletëvotimit. Sa i përket PDSH-së, ajo nuk ka luajtur as rolin më të vogël opozitar, nuk ka shfaqur asnjë ide dhe koncept të qartë politik në të cilin shqiptarët do të besonin, aq më shumë kur bëhet fjalë për liderin e tyre Menduh Thaçin, veprimet e të cilit nuk i parashikon askush. Andaj, një parti me një lider të tillë, pa ide, pa koncept dhe hakmarrës ndaj njerëzve të vet të suksesshëm, nuk e votojnë dot shqiptarët, pos “luanët” e tij të cilët dita-ditës i ikin nga strofulla partiake. Për këtë shkak mendoj se shqiptarët në përgjithësi por edhe anëtarët e simpatizuesit e PDSH-së do të duan të dërgojnë mesazhin se një parti e tillë në këso përbërje strukturore nuk është e pranueshme për ta”, thotë për “Lajm”, analisti Afrim Gashi, duke sqaruar arsyet se pse mendon se numri i deputetëve shqiptarë do të ulet në përbërjen e re edhe pse nuk preferon të ndodhë di;a e tillë. Ai nuk përjashton edhe mundësinë që numri i shqiptarëve të shënojë rritje, por thotë se kjo mund të ndodhë vetëm në sajë të parregullsive zgjedhore (vjedhjes së votave dhe shantazhimit) dhe në rast të ndonjë rrethane të re me përmasa më të mëdha, që do të ndikonte në ndryshimin e këtyre indikatorëve mbi të cilët bazohet analiza në fjalë.

Edhe analisti Petrit Saraçini vlerëson se numri i mandateve shqiptare në Kuvend do të zvogëlohet, për shkak ët rënies konstante të interesimit të shqiptarëve për të votuar. “Numri i deputetëve shqiptarë varet nga dy gjëra - e para, nga ajo se sa do të dalin votuesit dhe simpatizuesit e partive shqiptare në zgjedhje, por edhe nga ajo se sa do të jetë përqindja e daljes e qytetarëve tjerë. Në ciklet zgjedhore të fundit vërehet një trend i zvogëlimit të votimit të shqiptarëve, që në kushte të daljes së madhe të maqedonasve e të tjerëve në zgjedhje rezultoi me numër më të vogël të deputetëve, apo edhe humbje të ca komunave dhe vendeve për këshilltarë”, vlerëson Saraçini, gazetar dhe aktivist.

Edhe politikologu Deniz Memedi, nuk prêt numër më të madh të deputetëve shqiptarë pas zgjedhjeve të 27 prillit.

“Duke u nisur nga përvojat që kemi pas nga zgjedhjet e kaluara parlamentare sidomos nga zgjedhjet e fundit ekziston mundësia reale që të kemi përsëri numër të vogël të deputetëve nga ajo që realisht duhet ti kemi në parlament. Pretendimet e partive politike shqiptare sidomos të atyre me kapacitet me të vogël/ulët garues që të garojnë individualisht në zgjedhje, automatikisht përgjysmon votat që drejtpërdrejt ndikon në numrin e deputetëve”, thekson Memedi.

Tahiri: Vetëm diaspora mund ta rrisë numrin e deputetëve shqiptarë

“Aritmetika zgjedhore dhe konstelacioni i forcave politike shqiptare, nuk garanton rritje të numrit të deputetëve shqiptarë, rritje kjo e cila ndjeshëm mund të ndikojë në rritjen e peshës së subjektit shqiptar në qeveri. Mundësia e vetme e tejkalimit të vetëm të numrit të deputetëve është fitorja e mundshme e njërit nga deputetët shqiptarë në diasporë, me gjasë në Evropë. Shpërndarja e votave në bllokun politik shqiptar në mes BDI-së në pushtet dhe PDSH-së në opozitë dhe dalja me lista të veçanta edhe e RDK-së në zgjedhjet parlamentare, tregon qartë se nuk mund të pritet ndonjë ndryshim i numrit të përfaqësuesve shqiptarë në Kuvend, edhe pse mendoj se përveç sasisë vëmendje e veçantë duhet ti kushtohet cilësisë së deputetëve të zgjedhur”, thotë për “Lajm” profesori universitar, Sefer Tahiri.

Bilalli: Numri i shqiptarëve, varet edhe nga përqindjet e maqedonasve

“Sistemi është i tillë që vështirë mund të supozohet. Numri i listave për deputet e dikton edhe numrin e mundshëm të deputetëve shqiptarë. Por nga ana tjetër varet se sa lista deputetësh janë nga pala maqedonase, nëse edhe ata kanë numër të madh listash atëherë ka humbje edhe nga ajo pjesë, që i bie se ka humbje ne dy anët, edhe arrihet një baraspeshë”, thotë për “Lajm”, profesori universitar Mersel Bilalli.