Prej të thënës në të bërë një det i tërë
Miftar Ziberi
Për sa i përket kërkesës së drejtuesve të Shkollës Fillore “Kirili dhe Metodi” për ndërtimin e një mbikalimi në rrugën Industriale të Tetovës ku do të kalonin lirshëm nxënësit e shkollës së lartpërmendur rrugën në fjalë i ngjan proverbit popullor “Prej të thënës në të bërë një det i tërë” me fjalë të tjera ky mbikalim nuk do të ndërtohet asnjëherë pasi Krye-shefi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë Faredin Zenuni thotë: autoritetet e Shkollës Fillore “Kirili dhe Metodi” duhet që krahas kërkesës në SPB-në e Tetovës të dërgohet edhe një kërkesë tjetër në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe një tjetër në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve dhe duke marr parasysh zvarritjen e punëve që bëhet në ministritë e lartpërmendura pa hamendje mund të them se realizimi i punës në fjalë i ngjanë një proverbi tjetër popullor shqiptar që thotë: “Prit gomar se do dali bar”.
Meqë puna qëndron kështu unë kujtoj se për t`a zgjidhur problemin e Shkollës Fillore “Kirili dhe Metodi” duhet që Komuna e Tetovës krahas mjeteve sinjalizuese të caktoj edhe dy persona kujdestar të pajisur me tabela për ndaljen e automjeteve dhe të kenë të veshur jelek fluorescent (që të duken më mirë) me qëllim që kur nxënësit e shkollës të kalojnë rrugën, personat kujdestar duhet të kyçin ngjyrën e kuqe të semaforëve dhe në të njëjtën kohë të ndalin komunikacionin me tabelën e nevojshme për këtë qëllim dhe njëkohësisht duhet që t`i shoqërojnë nxënësit deri në anën tjetër të rrugës.
Komuna e Tetovës ka kyçur shumë persona për parkimin e rregullt të automjeteve nëpër qytet dhe me që është kështu atëherë ajo duhet ti caktoj edhe dy individ të cilët do t`u ndihmonin nxënësve të Shkollës Fillore “Kirili dhe Metodi” për të kaluar pa pengesa dhe pa aksidente rrugën në vendin problematik. Kujtoj se fëmijët tonë vlejnë më shumë se parkimi i rregullt i veturave…
Nëse Komuna e Tetovë nuk e bën këtë gjë atëherë unë kujtoj se problemin në fjalë duhet t`a zgjidh vet drejtori i shkollës Satki Ismaili i cili duke i marr dy tabela për ndaljen e automjeteve dhe dy jelek fluoreshent nga policia dhe le të caktoj (nga vetë prindërit e nxënësve të kësaj shkolle) për çdo ditë nga dy persona kujdestar të cilët do t`u kishin ndihmuar fëmijëve të vetë gjegjësisht nxënësve të kësaj shkolle për t`a kaluar rrugën pa asnjëfarë problemi.







