Reforma njerëzore
Nazim RASHIDI
Kur Ziadin Sela fitoi në Strugë zgjedhjet për kryetar komune shumë vetë nuk kuptuan mesazhet që vinin nga elektorati, dhe këto ishin se struktura e votuesve (dhe e vetë partive) nuk është më ajo tipikja ku një “diktat” i çfarë do lloji do të mund të përcaktonte se ku do të shkonte vota. Nuk është momenti për të bërë analizën e zgjedhjeve lokale, por esenca është se pakënaqësia nga një strukturë e caktuar politike bëri që ky elektorat “i ri” të ndëshkojë. Është po e njëjta frymë dhe i njëjti reagim që vjen edhe tani me vetë zhvillimet brenda PDSH-së rreth listës zgjedhore, komunikatat e degës, etj. që ndodhin në Strugës. “Rebelimi” i tyre nuk mund të shihet thjeshtë si një reagim ndaj një vendimi të brendshëm partiak por është edhe shprehje e një mentaliteti të ri politik dhe për tej tij, të cilin nuk e le që nuk e le të dalë në sipërfaqe lidershipi i partisë. Koha e humbësve ka kaluar. Të tillët megjithatë po riciklohen nga lidershipet si të njërës parti ashtu dhe të tjetrës, ndërkohë që sprovat ata i kanë kaluar, madje keq shumë (dhe normale cila do të jetë logjika, të rinjtë e cilës do parti, në mos gjë tjetër, kanë të paktën me vete ndryshimin që ua sjell mosha) sa që nuk do të pranojnë të mbështesin jo thjeshtë diktatin nga lartë por as zgjedhjet e kuadrove për të cilët elektorati ka dhënë mendime negative në të kaluarën. Nuk dua të merrem me probleme dhe hollësira të brendshme partiake, të cilat jam i bindur që kanë dramat e tyre të mëdha, por ato që dalin në opinion tingëllojnë triviale dhe që shpesh në fokus kanë interesat personale. Ajo për të cilën ia vlen të analizohet rasti “Strugë”, është se na mundëson të shihen diskrapancat që shkaktohen mes popullit, sovranit (qoftë ky edhe shumë i përcaktuar politikisht) dhe lidershipeve. Është pa sens që në analiza politike të merresh me opozitën rreth situatave problematike shoqërore, politike dhe të tjera, por është po aq pa sens edhe sjellja e saj e cila me konfuzionin që shkakton shuan çdo mundësi për presion pushtetit. Një përgjegjësi e madhe kjo shoqërore për ti dhënë shtysë proceseve por po aq e madhe është në dështimin e saj. Nga ana tjetër, komod në pozicionin e saj, partia në pushtet mbetet pre e kalkulimeve të brendshme partiake duke mos pasur mundësi për ti çuar në pension të gjithë ata që me votën e qytetarëve kanë marrë mesazhe të qarta: ndëshkimin në zgjedhje. Për këtë arsye i gjithë presioni bie tek lidershipi dhe vendimet që ata sjellin të cilat vendime tashmë shkaktojnë reagime në terren, si me rastin e degës së PDSH-së që mund të duket minimal, por që efektet do t’i ketë në zgjedhje, ashtu dhe me rezultatin zgjedhor për BDI-në në Strugë në zgjedhjet lokale. Dhe në të dyja rastet habitesh dhe nuk ndalesh dot se si ka mundësi që sërish ofertat politike nuk bazohen tek risia, aftësia, inovacioni i mendimit, origjinaliteti i ofertave, nevojat e kohës por tek “lojërat” dhe kapriçot e lidershipeve lokale apo qendrore. Më keq ende tek interesat banale të individëve që e i konsiderojnë partitë pashallëqe dhe jo hapësirë për artikulimin e problemeve dhe zgjidhjen e tyre. Nga ana tjetër stadi i zhvillimit shoqëror po ec me një shpejtësi më të madhe se sa ai politik, por politika e kapur nga ata që gjithë përfitimin jetësor, statusin shoqëror apo dhe përparimin e shohin duke qenë vetëm në politikë, nuk lejojnë edhe zhvillimin e saj. Politikanët përparimtare në fakt janë lider të zhvillimit, por si mund të ndodh kjo në rastin tonë? Burimet njerëzore partiake shpesh lënë dramatikisht shumë për të dëshiruar dhe më keq akoma, kur ata marrin pozicione vendimmarrëse gjithçka pëson kthim (sigurisht që ka edhe përjashtime) duke shkaktuar zhgënjime. Një politikë e përgjegjshme do të ishte sensitive ndaj reagimeve të njerëzve, sepse ajo (do të duhej) të ishte në shërbim të tyre. Koncept të cilin klasa politike nuk e ka. Tek ne gjithçka është e kundërta, me politikë shihet vetëm përfitimi banal dhe jo përgjegjësi për punën që bën. Në një situatë të tillë vinë zhgënjimet, e megjithatë aq miope është politika sa nuk po lejon as zhvillimin e vetes. Tani si asnjëherë më parë është momenti kur skenës politike mund t’i krijohej një shok kualiteti duke krijuar hapësira për inovacione të cilat si vitaminat do ti jepnin energji dhe vitalitet trupit politik. Nuk kam qenë dhe nuk jam për tu hedhur puna e bërë më parë, të gjithë me një guralec ose shkëmb kontribuojnë në ndërtimin e kalasë tonë të përbashkët, por kombinimi i vlerave të reja të shoqërisë me ata më të përvojëshmit do të sillte atë cilësi të munguar, qoftë të debatit dhe sidomos të veprimit politik. Në rrethanat dhe struktura aktuale politike, këtë përgjegjësi e ka lidershipi i partive, i cili megjithatë zgjedh veten, dhe jo të ardhmen. Këto zgjedhje në Maqedoni do të sjellin tendenca të reja. Shumë kush nga politika do të marrë mesazhe më të qarta, pa çka se do ti lexojë sipas interesit të vet. Elektorati me dinamikën e tij dhe me mentalitetin e një brezi tjetër do të reagojë në mënyra të cilat do të lënë shumë vend për analiza për politikën (nëse i bën kuptohet). Nëse e shikoni në fjalor fjalën “reformë” domethënia e saj është “përmirësim ose ndërhyrje për të ndryshuar atë që është e keqe, e korruptuar, e papëlqyer…” pikërisht ato gjëra për të cilat njerëzit reagojnë, pikërisht arsyet se pse lidershipi do të duhej të sillte “gjak të ri”, reformator, jo thjeshtë për veten por për proceset dhe zhvillimin e të gjithëve në emër të të cilëve kërkon mbështetje në zgjedhje. Një reformë njerëzore me burime të përputhshme me kohën ku betejat politike nuk janë më vetëm fjalë boshe por koncepte politike, ligjore, etike, tek të cilat besohet dhe të cilat bazën e kanë tek dija, aftësia, përkushtimi, inovacioni, origjinaliteti,… Europa! (KOHA)








