Reshjet e deritanishme, nuk e shuajnë dot etjen e të mbjellave - tetova1

Reshjet e deritanishme, nuk e shuajnë dot etjen e të mbjellave


Kategoria: Lajme

Postuar më: Die, Mar 2, 2014

Lexuar: 232 herë



Të mirëpritura, por jo të mjaftueshme. Kështu i vlerësuan ekspertët e bujqësisë, reshjet gjatë 24 orëve të fundit që përfshinë vendin tonë. Sipas agronomëve, dimri i thatë dhe temperaturat relativisht të larta për këtë periudhë të vitit, i kanë shkaktuar dëme kulturave bujqësore, elbit, grurit dhe afionit.

“Kushtet e tilla të motit i prisnim që nga vjeshta. Lagështia e tokës ka rënë në një nivel shumë të ulët, që është e papranueshme. Ne kemi nevojë për më shumë reshje. Në shtresat më të thella të tokës nuk kemi lagështinë e duhur për të mbjellat e vjeshtës dhe për frutat apo vreshtat, të cilat në pranverë kanë nevojë të madhe për ujë. Me këto reshje situata do të përmirësohet deri në një farë shkalle, por mungesa e lagështisë nuk do të zgjidhet “, deklaroi Angjellko Angeleski, këshilltar agrometeorologjik në Entin Hidrometeorologjik .

Ekspertët që konsultuam thonë se që të shuhet etja tek të lashtat, do të nevojiten reshje me rreth 100 litra për metër katror. Parashikimi i sinoptikanëve këtu, nuk është shumë inkurajues.

“Edhe nesër do të kemi reshje shiu, që do të jenë më të mëdha në pjesët lindore të vendit. Të martën do të ketë më tepër periudha me diell, por në fund të ditës mund të presim një valë të re lagështie. Ajo do të sjellë më shumë reshje të shiut, por me intensitet më të dobët. Gjatë natës së kaluar, më shumë shi ka rënë në Gjevgjeli e Mavrovë, nga 17 litra për metër katror”, tha Lençe Rizova, sinoptikane.

Në përgjithësi, bilanci i valës së lagësht mund të arrijë deri në rreth 30 litra ujë një metër katror, që është shumë më pak se nevoja prej 100 litrash. Duket se situatën do ta komplikojë edhe më tej paralajmërimi i Entit Hidrometeorologjik nga ku thonë se, nga mesi i javës së ardhshme priten temperatura mbi 15 gradë celsius. Alsat M