Saraçini: Jam i pastër, dokument i pavlefshëm - tetova1

Saraçini: Jam i pastër, dokument i pavlefshëm


Kategoria: Lajme

Postuar më: Pre, Mar 21, 2014

Lexuar: 302 herë



Ministri i Ekonomisë Valon Saraçini, i demantoi ‘akuzat’ e sotme të PDSH-së nëpërmjet një konference për shtyp.
Mandatin tim 30 mujor e kam kryer me ndershmëri më të madhe. Nuk lejoj që në asnjë moment të njolloste emri im dhe i të punësuarve në dikasterin tim nga deklaratat e tilla paushalle të PDSH-së. Do të përballemi në gjykatë dhe përmes rrugëve institucionale do të vërtetohet nëse ekziston çfarëdo dokumenti që me plot përgjegjësi e them se është i pavlefshëm dhe nuk ka asgjë konkrete në të përpos një shkrimi. Nëse ka diçka konkrete PDSH le të reagojë në gjykatë. Ndërsa unë do të ngrej padi penale private” tha sot Saraçini.

………………..
FR - BDI: Akuza të kota të PDSH-së

Në vijim mund ta lexoni reagimin e plotë të Forumit Rinor të BDI-së, lidhur me akuzat e PDSH-së për korrupsion ndaj ministrit të ekonomisë, Valon Saraçini:
“Të kota dhe të pashpresa janë sulmet e motivuara me qëllime të ulëta, ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim dhe ndaj zyrtarëve të saj. Akuzat nga më qesharaket dhe pretendimet nga më të pabazat, nuk po bëjnë gjë tjetër veçse po e rikonfirmojnë PDSH-në si promotorin e përdhosjes së komunikimit dhe të debateve politike.
BDI ka dhe do të ketë në përcaktimet e saj debatin mbi idetë, mbi projektet dhe mbi ofertën politike, dhe nuk mund të rri e qetë përballë tentimit për vendosjen nga PDSH, të standardit më të keq të komunikimit publik: SPEKULIMIN dhe SHPIFJEN.
E gjithë kjo karrikaturë politike që PDSH po na shfaq këto ditë, ka vetëm dhe vetëm një qëllim: shtrembërimin e perceptimit publik mbi modelin e qeverisjes të BDI-së.
Kjo është dhe arsyeja që sulmeve të PDSH-së u mungon komponenti krahasimor. I krahasimit të dy modeleve. I kritikës sipas modelit të vet. Sepse modeli i PDSH-së nuk është për t’u krahasuar. Ai është për t’u dënuar.
Ky është fakt që nuk mohohet, sepse nuk ka shqiptar të mos e njohë qeverisjen plëngprishëse të PDSH-së. Qeverisjen e abuzimit me detyrën, e korruptimit deri në skajet e fundit, e privatizimit deri në banalitet të institucioneve të shtetit.
Nuk ka shqiptar që mund të ketë harruar veprimet kriminale të ministrave të PDSH-së, nami për të cilët shkon përtej kufijve tanë.
Si mund të harrojmë, na thoni, arrestimin për korrupsion të ish-ministrit të Ekonomisë nga radhët e këtij subjekti, Besnik Fetai, i cili do të kapej nga policia e një shteti fqinj, në tentimin për t’u arratisur dhe për të marrë bashkë me vete edhe turpin e PDSH-së. Ai do të kthehej ama me pranga në duar, si simbol i korrupsionit ku ishte zhytur kjo parti.
Nuk ka shqiptar që mund të mos e dijë as aferën e ryshfetmarrjes gjithashtu të ish-ministrit të Ekonomisë, z. Fetai, i cili do të akuzohej publikisht nga zëvendësi i tij se, kish marrë nën dorë as më pak e as më shumë se gjysmë milioni marka gjermane, për t’i lejuar një kompanie importin pa doganë.
Ky është modeli i punës i PDSH-së?
Kjo është partia me zyrtarë të arrestuar për korrupsion, që kritikon sot?
Ministria e Ekonomisë por dhe çdo institucion tjetër nën drejtimin e BDI-së, rezulton me arritje që asnjë konferencë për shtyp e PDSH-së nuk mund t’i zhvlerësojë. Kjo që themi sot, do të konfirmohet më 27 prill. “