Shkëndija mysafir i EuroMilkut, Renova mirëpret Gostivarin
E diela në futbollin vendor është e rezervuar për ndeshjet e javës së 21-të në elitën e futbollit vendor. Shkëndija që e nisi më këmbë të mbarë sezonin pranveror duke mundur Makedonija Gjorçe Petrovin në Tetovë, të dielën sërish do të përballet me një skuadër tjetër shkupjane, atë të EuroMilkut, kësaj rradhe në transfertë.
Njëjtë sikurse Shkëndija, edhe EuroMilku kishte shënuar fitore në ndeshjen e parë të gjysmësezonit të dytë duke mundur Gostivarin në transfertë.
Që të dyja skuadrat kanë nga 26 pikë, ndërsa EuroMilku vetëm falë gol-averazhit më të mirë ndodhet një pozitë më lartë se Shkëndija, skuadër kjo që shpreson të vazhdojë me rezultate pozitive, edhe pas kësaj jave dhe se do ti hakmerret Euromilkut për disfatën nga ndeshja e parë në Tetovë, kur me 06 tetor të vitit 2013-të, EuroMilku kishte mundur “kuqezinjtë” me rezultatin 3:0.
Në rradhët e Shkëndijës, pas pauzës dy ditore dhe terapisë së nevojshme, kthehet Muhamed Useini, ndërsa edhe kroati Bojan Vruçina pas pushimit një ditor të ditës së enjte, ditëve të fundit ka ushtruar me intenzitet maksimal, ashtu që edhe ai pritet të jetë i gatshëm për këtë sifidë.
Renova e Qatip Osmanit kundër ekipit të fundit në tabelë, Gostivarit do të kërkojë fitoren e parë në sezonin pranveror, me të cilën fitore do të kishte ruajtur pozitën e 6-të, në të cilën ndodhet aktualisht.
Rabotniçki do të ketë një transfertë të vështirë përballë Bregallnicës, duke pasur parasysh se skuadra nga Shtipi në ndeshjen e parë të sezonit pranveror mundi kampionin e gjysmësezonit të parë, Turnovën, skuadër kjo që në teren vendas do të mirëpret Metalurgun.
Në lagjen e Gjorçe Petrovit, Makedonija në derbin e pjesës së poshtme të tabelës së klasifikimit, do të mirëpret Napredokun, ndërkohë derbi i javës do të zhvillohet në stadiumin “Filipi i Dytë” ku mejdanin do të ndajnë dy rivalët e përbetuar, Vardari dhe Pelisteri.
/infoSport/
LPFM – Java 21
14:00
Bregallnica v Rabotniçki
EuroMilk v Shkendija
Makedonija Gj.P. v Napredoku
Renova v Gostivari
Turnova v Metalurgu
17:00
Vardari v Pelisteri






