Skema e Ali Ahmetit - tetova1

Skema e Ali Ahmetit


Kategoria: Opinione

Postuar më: Die, Mar 2, 2014

Lexuar: 697 herë



Sami NEZA

Nëpërmjet kësaj oferte, ai i fton mbështetësit e vet për një bashkëpunim më të thellë politik mes qytetarëve të Maqedonisë, duke tentuar të mjegullojë kufijtë mes dy etnive kryesore.

Ali Ahmeti duket se po ia del të provokojë zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi koalicioni i partive maqedonase në pushtet nuk pranoi kërkesën e tij për një president konsensual.

Zgjedhjet parlamentare mund të mbahen në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, ndërkohë që raundi i parë për të zgjedhur Presidentin e Maqedonisë do të mbahet më 13 prill.

VMRO-DPMNE deklaroi të shtunën se është gati për zgjedhje parlamentare, ndërsa kritikoi qëndrimin e aleates së saj shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, për kërkesën e saj.

Ndryshe nga herët e tjera, kur forcat politike shqiptare në zgjedhjet presidenciale në Maqedoni janë futur në garë ose me një kandidat të përbashkët, ose me kandidatë më vete, kësaj here BDI luajti në një zonë krejt tjetër.

Ahmeti kërkoi daljen me një kandidat konsensual, jo tashmë thjesht mes partive shqiptare, por avancoi edhe më tutje, konsensus mes partive maqedonase dhe asaj shqiptare në koalicionin qeveritar për një figurë të përbashkët që do të drejtonte Presidencën maqedonase. Lëvizja e Ahmetit theu disa tabu tradicionale.

Së pari ai doli nga qerthulli i të bërit politikë vetëm si etni duke synuar një lojë më homogjene politike, ku në skema të përbashkëta të përfshiheshin edhe maqedonasit, edhe shqiptarët.

Nëpërmjet kësaj oferte, ai i fton mbështetësit e vet për një bashkëpunim më të thellë politik mes qytetarëve të Maqedonisë, duke tentuar të mjegullojë kufijtë mes dy etnive kryesore.

Kështu, ai nuk u ndahet parimeve të Marrëveshjes së Ohrit për një shtet të shqiptarëve dhe maqedonasve, por as e lë atë marrëveshje të qetë, duke testuar me këtë rast gatishmërinë e aleatëve të tij maqedonas për një përfshirje me shqiptarët në të njëjtën garë.

Maqedonasit dhe shqiptarët nuk kanë pasur më parë slogane të përbashkëta, siç ishte mundësia të kishin përgjatë kësaj gare presidenciale me një kandidat të përbashkët.

Nëse do të ndodhte kështu, raportet shqiptare maqedonase do të ngriheshin në një nivel më të lartë emancipimi, duke rritur edhe difuzionin mes dy palëve edhe për çështje të tjera në të ardhmen.

Së dyti, ndërsa doli nga qerthulli i politikës si etni ai zhvlerësoi garat e mëhershme të shqiptarëve në zgjedhjet presidenciale si mjete përmes të cilave shqiptarët vetëm vetëtestoheshin, por nuk testonin dot sistemin dhe nuk testonin dot palën tjetër.

Në zgjedhjet presidenciale kandidati shqiptar ka dalë i treti, duke mos mundur të ndikojë realisht garën dhe ndërkohë duke e kthyer në një rutinë votimin për të, pa rrjedhime të mëvonshme në jetën politike të Maqedonisë, që mund të kontribuonin në përmirësimin e cilësisë së jetës së shqiptarëve në këtë vend.

Pas këtij qëndrimi të partisë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoni, shqiptarët janë të detyruar të mos e ulin më stekën, por të këmbëngulin për stekën më të lartë.

Kjo stekë më e lartë mund të mos lidhet direkt me emrin e Presidentit, por me konsensusin për Presidentin. Ky konsensus do të lidhet me emra të tjerë që drejtojnë qeverinë apo Parlamentin. Skema e mëhershme, kandidat shqiptar të përbashkët, nuk trazonte ujërat e Maqedonisë, por vetëm të shqiptarëve atje.

Versioni i Ahmetit për Presidentin lëviz ujërat dhe freskon idetë dhe qëndrimet e shqiptarëve në funksion të avancimit të tyre edhe si votues, edhe si lojtarë, jo më mes veti, por me të gjithë të tjerët.

PDSH e ka konsideruar këtë lëvizje të Ahmetit dhe BDI-së si të paqartë, por ndërkaq alternativa e tyre ndaj asaj të Ahmetit ishte ajo e vjetra, dalja me një kandidat të përbashkët, i cili ka të mirën se shfaq faktorin shqiptar në këtë garë, por, nga ana tjetër, mbetet vetëm në zonën e “celebrity”, pa hyrë në termat racionalë të përfitimit politik prej garës brenda zonës së pushtetit.

PDSH do të kandidojë me Iljaz Halimin, një personalitet politik të shqiptarëve të Maqedonisë. Në kushtet e kompromisit do të ishte e mundur që partitë shqiptare bashkë të shtonin nivelin e kompromisit në kurriz të cilësisë së kandidatit, siç ndodh shpesh në Shqipëri apo në Kosovë.

Ahmeti ka dalë prej kësaj skeme prej kohësh. Ai konsideron se shqiptarët duhet të jenë pjesë e tortës së madhe, dhe jo thjesht të tortës së tyre.

Ka shumë mundësi që në raundin e dytë të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare.

Ahmeti është akuzuar edhe për një lojë politike përmes së cilës të provokohen zgjedhje parlamentare që janë në interes të aleatëve të tij maqedonas në qeveri.

Nuk ka dyshim që një lëvizje politike e guximshme të krijojë hapësira për të tjera të këtij niveli.

Kërkesa e Ahmetit u jep kuptim në fakt atyre zgjedhjeve, dhe është ndoshta e vetmja parti që u jepte kuptim duke i nxjerrë nga manovrat e lehta mes partive politike dhe duke i vënë në shtrat tjetër, atë të ballafaqimit të statusit të shqiptarëve dhe maqedonasve.

Nëse një parti politike shqiptare ia del të luajë fort për ato zgjedhje, rezultati i përkthyer në pushtet do të jetë më i madh dhe më i dobishëm. /Panorama/