Skuadrat shqiptare kundër ekipeve te kreut - tetova1

Skuadrat shqiptare kundër ekipeve te kreut


Kategoria: Sport

Postuar më: Pre, Mar 28, 2014

Lexuar: 462 herë



Shkëndijën e Tetovës ndeshja e javës së 26-të në kampionatin vendor e pret në Turnovë, me skuadrën që ka të njëjtin emër, që lufton për kreun e renditjes. Dy fitoret e fundit me ekipet kryesuese në renditje, Vardari dhe Rabotnicki, kanë ngritur motivin tek kuqezinjtë të cilët shpresojnë në rezultat pozitiv.
Duke folur për Turnovën, pas ndeshjes me Rabotnickin, Shpëtim Duro kishte deklaruar: “E kam thënë se do të shohim ndeshje pas ndeshje. Patjetër edhe kjo është skuadër kryesuese. Normalisht ne do të shkojmë të luajmë futboll për të arritur dhe marrë maksimumin në këtë takim. Është një takim, është një përballje direkte dhe thash me skuadrën që kam besoj se nuk kam frikë asnjë skuadër”.

Në anën tjetër, Renovën e pret një sfidë e vështirë në “Autokomandë” me Metalurgun, që poashtu ka ambicie të mëdha. Bardhekaltrit kanë humbur katër pikë në Tetovë, duke humbur nga Gostivari (0-1) dhe duke barazuar me Euromilikun (1-1), prandaj në sfidën me Metalurgun duhet patur kujdes të madh. “Kemi pësuar dy goditje në dy ndeshje ku pikët thuajse i kishim të planifikuara, por ja që dështuam. Mirëpo, them se kemi lëshuar raste të pafundme në të dyja ndeshjet, kështu që shpresojmë një gjë e tillë nuk do të na përsëritet edhe ndaj Metalurgut. Pritet të kthehet edhe Emini dhe shpresojmë se do të rrëmbejmë një rezultat të mirë”, tha Qatip Osmani.

Udhëtim të vështirë do të ketë edhe Gostivari, i cili luan si mysafir i Pelisterit në Manastir, por gostivarasit nuk përjashtojnë një surprizë të ngjashme sikur me Renovën.
Të gjitha ndeshjet e ditës së diel do të fillojnë prej orës 16:00./lajm/