Tetovë, Kremtimi i ditës ndërkombëtare të ekologjisë (FOTO)
Sot kryetarja e Komunës së Tetovës, znj. Teuta Arifi morri pjesë në aktivitetin ekologjik që u organizua për kremtimin e ditës botërore të ekologjisë dhe ngritjes së vetëdijes së qytetarit për ambient më të pastër. Organizimi i këtij aktiviteti ekologjik është në kornizat e fushatës ekologjike “Pranvera e Gjelbër” të organizuar nga Komuna e Tetovës dhe projektit “Së bashku për një Tetovë të pastër”. Në këtë aktivitet ishin të kyçur gjithsej 90 nxënës të shkollave fillore, 50 nxënës të shkollës së mesme Ekonomike dhe punëtorët e NPK “TETOVA” Tetovë. Nxënësit marshuan me pankarta duke bartur mesazhe për ngritjen e vetëdijes qytetare për një ambient më të pastër, një pjesë e tyre vizatuan punime me temë “Të mbrojmë ambientin”, grupi tjetër krijoi objekte nga materialet e reciklueshme, kurse 10 nxenës nga shkolla e muzikës performuan në sheshin Iliria. Të punësuarit e NPK Tetova pastruan bulevardet kryesore, atë të Ilindenit dhe bulevardin Iliria, dhe asistuan më të vegjlit në mbjelljen e trëndafilave në hapësirën e gjelbër para Pallatit të Kulturës në Tetovë.
Paralelisht me këtë aktivitet, Кëndi Amerikan në Tetovë në bashkëpunim me Komunën e Tetovës, Universitetin Shtetëror të Tetovës, Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë dhe shkollat e mesme të Tetovës, organizuan shëtitje me biçikleta me moton “Tetova Bike Tour”. Qëllimi i këtij organizimi ishte për të dhënë një mesazh që qytetarët të shfrytëzojnë biçikletat nëpër qytet, dhe për të kontribuar në lehtësimin e komunikacionit të stërngarkuar. Të kthehet tradita e biçikletave në qytet duke kontribuar të gjithë që në universitete, shkolla të krijohen vende të posaçme për bicikleta si dhe trasë të caktuar nëpër rrugët e qytetit.







