Teuta Arifi takohet me artistët dhe arkitektet e qytetit
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, sot mbajti një takim pune me artistë e arkitektë të qytetit, për të diskutuar mbi qasjen performative ndaj qytetit, në veçanti mbi idenë për estetizim të hapësirave publike. Në takim, të pranishmit ndanë ide dhe përvoja të cilat do të kontribuonin në përfaqësimin e denjë vizual të qytetit. Si nevojë thelbësore u parashtrua pasja e një strategjite të përgjithshme për qytetin, ku rregullimi dhe organizimi estetik i tij do të ishte pjesë e një plani të pergjithshëm apo tërësor.
Një plan i tillë, i cili do reflektonte një imazh të plotë të qytetit, padyshim do e lehtësojë procesin e ndërtimit të një harmonie urbane dhe arkitektonike të qytetit. Nëndërkohë, me ide më konkrete dhe propozim-projekte pritet të mbulohen disa iniciativa më afat shkurtëra, të cilat do ndihmojnë në rregullimin estetik të disa pjesëve kyçe të qytetit, me qëllim që dinamika e punës të mos ndalojë dhe nevojat më emergjente të qytetit të përmbushen. Qasja e Komunës së Tetovës në këtë proces është pro aktive, duke synuar në përfshirjen gjithnjë e më të gjërë të ekspertëve estet dhe çmues të estetikës urbanistike, kontributi i të cilëve padyshim do bëjë të mundur ndërtimin e imazhit artistik të qytetit tonë.







