Tomografia kompjuterike dhe rezonanca magnetike shërbimet e reja të Spitalit të Tetovës
Spitali klinik i Tetovës prej sot ofron shërbime të reja për pacientët, tomografinë kompjuterike dhe shërbime të rezonancës magnetike. Këto aparate arrijnë vlerën e mbi 3 milion eurove, ndërsa me to fillimisht do të kryhen nga 10 incizime. Spitali i Tetovës, me qëllim të aftësimit të mjekëve për këto intervenime, kohë më parë ka dërguar mjekë për trajnim nëpër disa shtete Ballkanike.
“Këto shërbime i kanë munguar qytetit tonë, sidomos spitalit klinik të Tetovës, dhe është mirë sepse qytetarët nuk do të humbin kohë nuk do ecin nëpër institucione tjera të vendit dhe nuk do iu nënshtrohen harxhimeve shtesë sepse këto shërbime tani do të kryhen në spitalin tonë”, deklaroi Florin Besimi, Drejtor në Spitalin Klinik të Tetovës.
“Personeli duke filluar nga tekniket, radiologët dhe teknologët dhe ne si neurokirurg kemi qenë në institute të ndryshme për trajnim por sido qoftë tani kemi edhe edukator nga shtetet e jashtme që kanë ardhur nga Evropa dhe janë duke punuar me personelin tonë në edukimin e tyre për aparatin”, tha Destan Haliti, kryeshef i neurokirurgjisë.







