Vardari mundësi e mirë për t’iu rrikthyer fitoreve
Shkëndija këtë fundjavë ka në program transfertë të vështirë me Vardarin në Shkup, në kuadër të xhiros së 23-të në Ligën e Parë të futbollit në vend. Renditja e dobët në përfundim të rrethit të dytë bëri që ekipi të ketë orar të vështirë në raundin e tretë të garave, mirëpo njëkohësisht kjo është një mundësi e mirë që skuadra të tregojë potencialin e vërtetë pikërisht përballë ekipeve të kreut. Pengesa e parë në këtë drejtim është kampioni në fuqi, Vardari. Pas fitores përballë Makedonija Gj.P. në start të sezonit pranveror, Shkëndija u mund nga Euromilku dhe barazoi pa gola me Renovën, kështu që derbi me Vardarin shihet si mundësi e shkëlqyeshme për të kërkuar rrikthimin në rrugën e fitoreve. Në skuadër të gjithë janë të vetëdijshëm se do të jetë përballje e vështirë, mirëpo në të njëjtën kohë besohet në kualitetin që posedon skuadra dhe me maksimumin e secilit ‘kuqezinjtë’ kërkojnë rezultat pozitiv. Stafi teknik nuk ka problem me futbollistë të lënduar apo mungesa për shkak të kartonëve, kështu që do të mund të llogarisë në ekipin më të mirë. Për dallim nga deshja me Renovën, në skuadër kthehet Useini që pushoi për shkak të kartonëve dhe Zhunior që është rekuperuar nga lëndimi, ndërsa në listën e futbollistëve për takimin me Vardarin ka hyrë edhe Demir Imeri, që duket se ka lënë pas dëmtimin nga takimi i fundjavës së shkuar. Përballja Vardari-Shkëndija do të zhvillohet të dielën në stadiumin ‘Filipi i Dytë’ në Shkup, me fillim në orën 16:00.
Lista e 18-të futbollistëve të grumbulluar për takimin me Vardarin:
Artim Pollozhani, Astrit Fazliu, Ardian Cuculi, Bojan Vrucina, Bunjamin Shabani, Egzon Bejtullai, Elvir Nurishi, Egzon Belica, Jasir Selmani, Hadis Velii, Muhamet Useini, Mensur Kurtishi, Marko Jovanovski, Nuri Mustafi, Yordan Miliev, Demir Imeri, Valmir Alili, Zhunior.
Burimi: KF Shkëndija







