Vasalitetidhe kryeneçësia virusi që përçan shqiptarët
Nga Arben LLALLA
Gjithnjë partitë shqiptare në Maqedoni disa kohë para se të mbahen zgjedhjet çirren për unifikimin e votës shqiptare, por kur vjen puna për të biseduar në tavolina ata e braktisin me mendjemadhësi nismë pa filluar. Kështu ndodhi edhe në këto zgjedhje të parakohshme, shumë lider bërtisnin për votë të bashkuar, por që ua kishin me hile njeri-tjetrit prandaj nuk u arrit asnjë koalicion midis partive shqiptare, qofshin të mëdha apo të vogla. Por përse janë kaq të përçarë keqani partitë shqiptare? Sepse çdo iniciativë që do të marrin shqiptarët në Maqedoni është i destinuar të dështojë për arsye se zbulimi dhe kundërzbulim sllav me vasalët e tyre shqiptar do të punojë që bashkimi ynë politik mos të arrihet.
Problemi i mos unifikimit të votës shqiptare ka shkaqet e veta, një ndër to është kryeneçësia që i karakterizon shqiptarët, në veçanti liderët. Por edhe futja në çdo parti të vasalëve dhe shërbëtorëve të agjenturave sllave të përgatitur ndër vite për tu aktivizuar në kohën dhe vendin e duhur.
Problemi i bashkimit apo gjuhës së përbashkët të partive politike shqiptare në Maqedoni ka bërë që klasa politike të mos kenë një program koordinimi afat gjatë për zgjidhjen e problemeve që ndeshin shqiptarët këtu. Inatet personale të liderëve partiak reflektohen në inate kolektive partiake. Mëritë për UNIN, KRYENEÇËSINË INDIVIDUALE, kanë çuar në acarimet e thella midis kokave të politikës shqiptare në Maqedoni dhe më gjerë, duke bërë që shpeshherë shqiptarët të jenë të papërgatitur përballë ndryshimeve të mëdha politike që po ndodhin në Europë dhe Ballkan. Ajo çka është shqetësuese sot për mendimin tim, janë marrëdhëniet e acaruara që ekzistojnë midis liderëve dhe që transmetohen tek anëtarësia e thjeshtë partiake.
Sot më shumë se kurrë kërkohet që liderët e partive politike të zhvishen nga paragjykimet, të jenë më seriozë, të ndahen nga padronët politik maqedonas edhe të të tjerëve. Të shikojnë mundësinë e krijimit të Këshillit për koordinimit e politikës shqiptare midis partive, shoqatave, të iniciativave qytetare etj. Për të realizuar qëllimet e të drejtave të shqiptarëve, të zgjidhjeve përfundimtare të çështjeve të gjuhës, flamurit, invalidëve të luftës së 2001 etj. Liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni duhen të çlirohen nga ndikimet e partive politike në Shqipëri dhe Kosovë, por të funksionojnë në mënyrë Institucionale, pra nëpërmjet funksionimit shtetëror. Sepse injorimi i strukturave shtetërore do të shfrytëzohet nga politika përçarëse sllavo-greke. Ka ndonjë lider partie që çirret se është më “patrioti”, një tip i veçantë i politikanit shqiptar është edhe ai lider që kur shikohet në pasqyrë i duket vetja Skënderbe dhe është i vetdashuruar në pamjen e reflektimit të pasqyrës së tij, por në të vërtetë këta janë plehra të shëmtuara të shoqërisë sonë. Sepse burrat e shquar punojnë për kombin, e këta punojnë për tu pasuruar vetë me gjithë farefisin e tyre.
Ka ndonjë lider partie që çirret se është më “patrioti” se paska luftuar me armë në tre luftëra, qenka patrioti që punon për “Shqipërinë dhe shqiptarët” e natyrisht ëndërron që një ditë emri i tij të shkruhet përkrah burrave të shquar të kombit shqiptar si Skënderbeut, Hasan Prishtinë, Fan Nolit, Faik Konicës, Frashëllinjëve, Ismail Qemailit, Adem Jasharit etj., etj. Kjo është e drejta e çdo kujt të mendojë si të dojë. Por radhitja në listën e emrave të lartpërmendur nuk bëhet duke hedhur gurin dhe fshehur dorën. Duke dalë shpëtimtar i një qeverie në momentin kur ajo është mospërfillëse ndaj kërkesave themelore të shqiptarëve. A nuk ishit ju zotërinj që donit ti vinit flakën këtij shteti?! Qëllimi juaj tanimë është i qartë. Ju kërkuat vetëm të amnistoheshit, por që shumë të tjerë e humbën këtë amnisti që fituat ju, duket se nuk ju brengos fare. Prandaj jeni kaq të heshtur dhe kaq të dëgjueshëm në një moment kur rrezikohet qeveria e Maqedonisë, por jo edhe kur rrezikohen të drejtat e shqiptarëve.
Por do t’ju thosha këtyre “patriotëve” që më shumë kanë përfituar nga gjaku i dëshmorëve, që shkelin mbi betimin se burrat e shquar e shkrinë pasurinë për çështjen kombëtare, ndërsa sot ndodh e kundërta në emër të patriotizmit dikush pasurohet. Burrat e shquar punuan për kombin, e këta punojnë për tu pasuruar vetë. Ata ishin lisa, patriotët e sotëm janë filiza. Ata ishin burra, ndërsa këto të sotmit janë meshkuj. Ata u shquan për patriotizëm, kurse integristët po shquhemi për karrierizëm.
Meqenëse disa politikan të këtushëm janë të ndjeshëm ndaj opinioneve të mia, mund të jenë të qetë e të mos shqetësohen nëse mizën nuk e kanë nën kësulë.
Në këtë shkrim mund të flisja edhe me fakte më konkrete, por interesi kombëtar e kërkon që të bashkohemi dhe jo të përçahemi.
I shkruaj këto rreshta dhe mendime për ata që kanë mend e duan mend, e jo për ata që nuk kanë mend e nuk duan mend, dhe mbi të gjitha këto sigurisht “ia them nuses që t’i dëgjojë vjehrra”. Dhe në këtë rast “vjehrra” është udhëheqja politike e shqiptare në Maqedoni që i uroj të mos ketë “vesh të rëndë” këtë herë përpara ndryshimeve të mëdha që po ndodhin në riciklimin e politikave ndërkombëtare.
ot







