Komuna e Tetovës me ëmbëlsira dhe lëngje priti përfaqësuesit e RDSH
Sot para objektit të komunës së Tetovës u mbajt konferencë për shtyp nga ana e RDSH në Tetovë. Pa dashur të komentojmë përmbajtjen e tekstit të lexuar, njoftojmë opinionin e gjerë që komuna e Tetovës si njësi e vetqeverisjes lokale ju takon të gjithë qytetarëve dhe është e hapur ndaj të gjithë qytetarëve, bile edhe atyre që për shkak të bindjes së gabuar apo mungesës së informacionit drejtohen në adresë të gabuar.
Nisur nga parimi i lartëpërmendur , rinisë së mbledhur para komunës i ofruam të futet brenda objektit të komunës që të mund ta dëgjojmë ndërlidhjen e komunës së Tetovës me qëllimin e veprimit të sotëm të RDSH mirëpo rinia e pranishme refuzoi të na qartësojë këtë veprim . Gjithsesi që kemi mirëkuptim për moshën e të pranishmëve dhe faktin që ata manipulohen lehtë ndërsa përgjegjësia për veprimet e tyre gjithmonë bie mbi supet e atyre që i manipulojnë.
Të vetëdijshëm që gjendemi në fushatë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2014 dhe faktit që RDSH është formacion politik, supozuam që ndoshta të rinjtë kishin ardhur të vizitonin kandidatin për president të PDSH, mirëpo i njejti edhe pse në orar të punës nuk gjendej në vendin e tij të punës.
Komuna e Tetovës ka dëshmuar që punon në drejtim të ngritjes së kredibilitetit të institucionit në sy të qytetarëve ndërsa duke marrë parasysh rethanat ekonomike, politike dhe sociale këtë e bën kryesisht përmes tentimit për të depolitizuar institucionin duke treguar tolerancë të madhe dhe duke dhënë kohë adaptimi punëtorëve, qytetarëve dhe partive politike ndaj idesë që ky institucion nuk është pronë e askujt, egziston për ti shërbyer qytetarët, funksionon në bazë të ligjit dhe akteve të brendshme dhe nuk i shërben interesave të ngushta të individëve apo grupeve politike.
Të vendosur në qëllimin tonë ne do të vazhdojmë të funksionojmë në mënyrë të njejtë edhe në kohë të fushatës për zgjedhje presidenciale, fushatës për zgjedhje parlamentare si dhe fushatës për zgjedhje të ardhshme lokale. Të vetëdijshëm që ky është një koncept i ri i funksionimit besojmë që koha do të dëshmojë dhe qytetarët pa dallim të përkatësisë tyre politike do ta vlersojnë që interesi i përgjithshëm është gjithsesi mbi interesat e grupacioneve politike të cilat duhet të zhvillohen dhe realizohen në adresa tjera dhe mënyra tjera.
/Shërbimi për informim i Komunës së Tetovës/







