Në disa fshatra të Likovës nuk lejohet hapja e shtabeve të BDI-së - tetova1

Në disa fshatra të Likovës nuk lejohet hapja e shtabeve të BDI-së


Kategoria: Lajme

Postuar më: Mër, Pri 2, 2014

Lexuar: 1 118 herë



Aktivistë të revoltuar të BDI-së nuk kanë lejuar hapjen e shtabeve të kësaj partie në fshatrat Hotël dhe Vishticë të kësaj komune, njoftojnë për “lajmpress.com” aktivistë nga këto fshatra.

Ata kanë mbajtur premtimin për pezullim të aktiviteteve të këtyre dy nëndegëve gjatë zgjedhjeve parlamentare të këtij viti, të pakënaqur që kryesia partiake nuk ka përfilë propozimin e tyre që në listën e kandidatëve të BDI-së në njësinë numër 2 të jetë edhe Rijad Shaqiri nga fshati Hotël.

Burimet tona thonë se të martën ka pasur edhe tensione në këto dy fshatra, për shkak të insistimit të disa “përfaqësuesve të degës” që me çdo kusht të hapin shtabe. Tensionet kanë përfunduar pa ndonjë incident serioz. Aktivistë të BDI-së thonë se Hotla dhe Vishtica nuk janë fshatrat e vetme ku ekzistojnë pakënaqësi ndaj listës së kandidatëve të BDI-së në njësinë numër 2. Pakënaqësi janë shënuar edhe te një pjesë e anëtarësisë së nëndegëve në Mateç, Alizarë, Nakushtak dhe Ropalcë.

Pakënaqësi ndaj BDI-së kanë shprehur edhe kumanovarët, respektivisht tifozët “Ultras Ilirët” për shkak të prezencës në listë të Artan Grubit, të cilin e fajësojnë për incidentin e vitit të kaluar kur ata u sulmuan nga tifozët e KF Shkupit.