BDI synon rikthimin e ministrive të mëparshme - tetova1.com

BDI synon rikthimin e ministrive të mëparshme


Kategoria: Lajme

Postuar më: Pre, Maj 16, 2014





Në përbërjen e ardhshme të kabinetit qeveritar, Bashkimi Demokratik për Integrim synon të rikthejë ministritë me të cilat ka udhëhequr në qeveritë paraprake. Në mesin e tyre bëjnë pjesë edhe Shëndetësia, Arsimi, Puna dhe Politika Sociale dhe dikastere të ngjashme, ndërsa përveç tyre - kjo parti duket se do të udhëheqë për herë të parë edhe me resor që nuk i ka pasur deri më tani. Sipas informative jozyrtare të cilat qarkullojnë në opinion, për të cilat pretendohet se burimin e kanë tek liferimet brendapartiake, Bashkimit Demokratik për Integrim do t’i takojnë edhe në këtë mandate dy poste të zëvendëskryeministrave, por me një ndryshim të vogël. Në vend të sekretariatit për eurointegrime, BDI do të fitojë zëvendëskryeministrin për ekonomi, por në këtë funksion do të qëndrojë personi i njëjtë, Fatmir Besimi, i cili deri tani udhëhiqte me eurointegrimet. BDI do të marrë edhe sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Nga katër ministritë, të cilat sipas informative jozyrtare qarkullojnë në opinion, tre pritet të jenë dikastere që nuk kanë qenë në menaxhim të kuadrove të BDI-së në përbërjen e fundit. BDI thuhet se do të rikthejë Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, atë të Bujqësisë, ndërsa dilemat për dikasterin e tretë mbeten mes Arsimit dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Ministria e katërt me të cilën do të drejtojë partia shqiptare në pushtet, do të jetë ajo e Vetëqeverisjes Lokale. Nëse do të rikthejnë Ministrinë e Shëndetësisë, atëherë në krye të këtij dikasteri, jozyrtarisht thuhet se pritet të ulet kuadër i Tetovës, ku përmendet emri i kryetarit të Degës së BDI-së në këtë qytet, Atilla Rexhepi, aktualisht drejtor i Qendrës Klinike në Tetovë. Por, nga BDI zyrtarisht askush nuk jep të dhëna lidhur me ambiciet dhe planet e kësaj partie për hisen që do të fitojë në pushtetin ekzekutiv. Zëdhënësi i kësaj partie, Bujar Osmani, vetëm se ka përsëritur qëndrimin e kumtuar edhe ditë më parë nga partia e tij, se aktualisht grupet negociatore janë të përqendruara në harmonizimin e platformës qeverisëse, duke thënë se ndarja e dikastereve do të jetë tema e fundit që do të hapet. “Ende nuk kemi filluar bisedimet për ndarjen e resorëve. Gjitha shkrimet në media të caktuara janë të pabaza”, ka thënë Osmani.

/Arben Zeqiri/

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net