Vërshimet në Ballkan, a rrezikojnë që Maqedonia të përfshihet nga tërmete?!
Përmbytjet që kanë goditur shumë vende të Ballkanit por edhe shirat e vazhdueshëm në Maqedoni, nuk do të shkaktojnë tërmete të ngjashëm me atë të vitit 1963. Kështu vlerësojnë nga instituti sizmologjik duke theksuar shirat e vazhdueshëm të asaj periudhë më tepër kanë qenë të rastishme se sa të kenë shkaktuar lëkundjet e tokës.
“Në Shkup në vitin 1962 ka pasur vërshime të mëdha. Në vitin 1963 ka pasur tërmet dhe shumica prej qytetarëve këtë e lidhin me vërshimet. Këto dy fenomene nuk mund të kenë lidhshmëri mes vete, për shkak se tërmeti është paraqitje tektonike që ndodh thellë në koren e tokës për shkak të lëvizjes së masave të mëdha tektonike në të ashtuquajturat zonat e çara të tokës. Në Maqedoni dihet se në të kaluarën ka pasur vërshime dhe shira të këtilla mirëpo ato janë në sipërfaqe, kështu që njëra me tjetrën nuk kanë lidhshmëri”, tha Golubka Necevska Cvetanovska, zv/drejtore e Institutit për sizmologji.
Por ndryshe nga ekspertët më të moshuarit thonë se gjithçka është e mundur.
“Ajo është punë e Zotit, por sipas të thënave të njerëzve më pleq që kanë qenë më herët, ata kanë thënë se pas një kohë përsëri do të paraqitet por nuk e caktojnë ditën, orën kur do të ndodhë. Por, do të bëhet”.
”Ka mundësi. Tek ne për fat të mirë nuk kemi vërshime të tilla mirëpo në Bosnje dhe Serbi, ka mundësi”
“Vetëm një Zot e di këtë gjë. Ne nuk e dimë. Ne mund të themi çfarëdo mirëpo nuk mund ta dimë”, thonë qytetarët, njofton Alsat-M.
Ndërkohë, sinoptikanët nga dita e nesërme paralajmërojnë stabilizim të motit dhe temperatura të larta që do të arrijnë deri në 32 gradë.
“Në vendin tonë do të kemi mot stabil, me diell dhe dukshëm më të ngrohtë me temperatura në rritje të vazhdueshme. Prej mesit të javës së ardhshme presim temperatura prej 26 deri në 32 gradë, që janë temperatura më se normale për këtë periudhë të vitit”, u shpreh Lençe Rizovska, sinoptikane.
Sinoptikanët thonë se në ditët e fundit të muajit mund të ketë paraqitje të shiut por me instensistet të dobët.








