Duro: Ky sukses i barabartë me titullin e kampionit - tetova1.com

Duro: Ky sukses i barabartë me titullin e kampionit


Kategoria: Sport

Postuar më: Hën, Maj 19, 2014





Festë e madhe ka mbretëruar në stadiumin e qytetit në Tetovë, pas përfundimit të ndeshjes Shkëndija-Pelister 4-0. Mbi 5 mijë tifozë të futbollit kanë qëndruar në tribuna, duke pritur edhe përfundimin e takimit në sfidën Bregallnica-Vardar 0-0, dhe pastaj ka shpërthyer festa, ndërsa tifozët kanë pushtuar terrenin, duke ndarë gëzimin me lojtarët. Trajneri Shpëtim Duro pas ndeshjes ka theksuar:

“Është një sukses i madh për ne, mund ta konsideroj edhe sikur kemi fituar titullin, pasi dihet mirëfilli se në cfarë pozite kemi qenë ne fund të sezonit vjeshtor. Falë punës së palodhshme të kryesisë, lojtarëve dhe stafit teknik ne ia arritëm të luajmë në Europë. Ky është edhe një sukses i imi, pas titullit që fitova me Skënderbeun. Tani Shkëndijën e presin përgatitjet për garat eliminatore në Ligën e Europës”, tha Duro. Këtij të fundit me siguri drejtuesit e klubit do t’i ofrojnë vazhdimin e bashkëpunimi me kuqezinjtë e Tetovës.

Ndryshe, diku në gusht të vitit të kaluar pronari i kompanisë ‘Ecolog’, Lazim Destani, pranoi të hyjë si sponsor kryesor në skuadër duke premtuar një ‘Shkëndijë Europiane’, mirëpo askush nuk kishte mundur të paramendojë se do të thyhen të gjithë parashikimet dhe ‘kuqezinjtë’ që në sezonin e parë nën drejtimin e kësaj kompanie do të shohin veten në kualifikimet për Liga Evropa. E nisur me një ekip të mbledhur me urgjencë, por që dha shpirtin në sezonin vjeshtor për të mbrojtur sipas mundësive nderin e ekipit, dhe me disa ndryshime rrënjësore në merkaton e janarit, Shkëndija arrin kulminacionin në xhiron e fundit kur mund 4:0 Pelisterin dhe në kombinim me barazimin 0:0 të Vardarit me Bregallnicën në Shtip, ‘kuqezinjtë’ sigurojnë Evropën.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net