Duro vendos të vazhdojë karrierën në vendlindje!
Drejtuesit e klubit dhe trajneri shqiptar Shpëtim Duro kanë vendosur që të ndahen në mënyrë miqësore, pasi që së bashku bënë sukses historik duke kapur kualifikim në eliminatoret e Liga Evropës, në një sezon kur rrezikohej rënia në kategorinë e dytë.
Deri te ndarja ka ardhur pasi që trajnerit i skadoi kontrata gjashtë mujore me Shkëndijën, ndërsa ndërkohë Duro mori ofertë të favorshme nga vendlindja. Pas një bisede të hapur dhe të sinqertë me drejtuesit e Shkëndijës, në të cilën Duro sqaroi situatën e krijuar dhe dëshirën e tij personale, ai mori vendimin që të firmosë me Partizanin. Gjithsesi kjo ndarje është vetëm në aspektin profesional, pasi që Shpëtim Duro mbetet mik i afërt i Shkëndijës. Ai erdhi në ekip si mik dhe padyshim largohet si i tillë. Duro do të mbahet mend si trajneri që mori drejtimin e skuadrës në një situatë të vështirë dhe më pas ndihmoi që ekipi të ringjallet dhe me seri të jashtëzakonshme në pranverë në xhiron e fundit të sigurojë pjesëmarrje në kualifikimet për Liga Evropa. Duro Shkëndijën e drejtoi në 17-të ndeshje kampionale, duke arritur 11-të fitore, 4 barazime dhe vetëm dy humbje dhe me një gol diferencë pozitive me 34 gola të shënuar dhe vetëm 8 të pranuar.
Drejtuesit e Shkëndijës shfrytëzojnë këtë mundësi që të faleminderojmë teknikun Shpëtim Duro për gjithë kontributin e dhënë në periudhën që drejtoi ekipin, duke i dëshiruar shumë shëndet dhe suksese me ekipin e tij të ri.
Ndërkohë këto ditë do të mësohet emri i trajnerit të ri, i cili do të zëvendësojë Shpëtim Duron dhe do të drejtojë ekipin në kualifikimet për Liga Evropa dhe në sezonin e ri garues.
/kfshkendija.com/








