Gjahu pas ‘punëtorëve hallexhinj’ shqiptar në Pollog
Ministria e Punëve të Brendshme ka arrestuar shtetas shqiptarë në rajonin e Pollogut, të cilët po punonin në mënyrë ilegale.
Sipas njoftimit të bërë, në aksionin e gjërë të ndërmarrë në vendbanimet e rajonit të Tetovës dhe Gostivarit janë arrestuar disa shtetas shqiptar, që po punonin në mënyrë ilegale dhe të palajmëruar për vendqëndrim apo edhe për leje pune.
Ata janë arrestuar në orët e hershme të mëngjesit dhe se bëhe fjalë për persona të moshave prej 18 deri 48 vjeç. Shtetasit shqiptarë kanë pranuar se po punonin punë krahu në këtë zonë, sidomos në këtë periudhë të sezonit të punëve në bujqësi, blegtori dhe ndërtimtari.
Ata i janë dorëzuar policisë kufitare dhe se pritet vendimi për deportimin e tyre dhe dhënien e ndalesave për hyrje në Maqedoni. Fundjavën e kaluar u ndaluan 12 shtetas të tjerë shqiptarë në rajonin e Gostivarit, gjithashtu me punë të tilla.
Banorët e kësaj zone akuzojnë këto aksione policore duke theksuar se punëtorët nga Shqipëria janë krahu i punës për rajonin e Pollogut, i cili është i boshatisur nga rinia që ka ikur drejt vendeve evroperëndimore.








