“Shkupi 2014” do të zgjasë deri më 2018?
Projekti “Shkupi 2014”, i cili ndryshe quhet edhe kancer i buxhetit të shtetit, nuk do të përfundojë në vitin 2014, por do të vazhdojë deri në vitin 2018, njoftojnë për “Lajm” burime të mirinformuara.
Sipas tyre, projekti më i madh që realizohet gjatë mandatit të koalicionit VMRO-BDI, do të mbajë emrin “Shkupi 2014”, mirëpo shifra dhjetëra milionëshe dhe qindramilionëshe, sipas të gjitha gjasave do të vazhdojë të gllabërojë deri në vitin 2018.
Ky projekt antishqiptar, që ka marrë përkrahje të madhe prej votuesve shqiptarë, sipas disa kalkulimeve, deri tani ka kushtuar rreth 500 milionë euro. Vazhdimi i ndërtimit të tij paraqet respekt të vullnetit të shumicës shqiptare në Maqedoni, të cilët vazhdimisht në ciklet e fundit zgjedhore bindshëm përkrahin partinë gjatë mandatit të cilës janë realizuar edhe projekte tjera antishqiptare, si “Enciklopedia”, rasti “Monstra”, vrasja e ish ushtarëve të UÇK-së, e kështu me radhë.
Ky projekt ka filluar të ndërtohet që nga viti 2010. Është projekt i madh i propozuar nga VMRO-DPMNE dhe i aplikuar nga qeveritë e deritanishme. U emërua Shkupi 2014, sepse pritej që të mbaron pikërisht në po këtë vit. Megjithatë zyrtarisht ende nuk ka të dhëna se kur mbaron projekti në fjalë.
Gazeta Lajm ka tentuar që të kontaktojë organet kompetente shtetërorë për të kërkuar përgjigjen se kur mbaron projekti qeveritar “Shkupi 2014”. Nga Ministria e Kulturës u përgjigjën se ky projekt nuk është nën kompetencat e tyre dhe na drejtuan tek Komuna e Shkupit. Komuna e Shkupit nuk e njeh si të vetin këtë projekt andaj na dhanë adresën e Komunës Qendër, prej ku na informuan se “Shkupi 2014” nuk është as e Qendrës as e Zhernovskit, përgjigje në këtë pyetje duhet të jep vetëm qeveria.
Edhe analistët shqiptarë janë të mendimit se ky projekt do të vazhdoj më tutje.
“Shkupi 2014 është larje parash, dhe jo rastësisht nuk ka fillim dhe mbarim të caktuar, ja tash do të fillojnë me fontanë të re, ndërkohë nuk i dihet me çka tjetër do të vazhdojnë. Janë paraparë edhe figura shqiptare të ndërtohen dhe ende nuk kane filluar, nuk dihet a i kane paguar ende a jo. Ky fenomen do të vazhdoj edhe më tutje, duke ngritur figura të vdekurve për t’i nënshtruar të gjallët” ka thënë për “Lajm” profesori universitar Mersel Bilalli.
“Projekti Shkupi 2014 nuk do të mbarojë asnjëherë, sepse ai projekt bart themelimin e identiteti maqedonas duke përvetësuar figurat kombëtare të kombeve të tjerë. Projekti filloj për 2-3 përmendore dhe vazhdojë me dhjetëra. Projekti do shtrihet në të ardhmen edhe në Tetovë, Gostivar, Strugë dhe Dibër. Në këtë gjendje të mjerueshme që ndodhen shqiptarët në Maqedoni nuk mendohet më për asimilim të shqiptarëve se procesi veç ka filluar me ritme të shpejta, apo për “Shkupi 2014”, por për barkun bosh”, shprehet Arben Llalla, publicist dhe historian.
Fillon ndërtimi i fontanës pesë milionëshe
Përveç fontanes me tre milion eurot do të vendosen pllaka të reja guri në disa pjesë të sheshit, ulëse, shporta mbeturinash dhe ndriçim special. Fontana e ujit do të jetë me dimensione prej 20 metra me 10 metra dhe se ajo do të vendoset në hapësirën midis Urës së Gurit dhe përmendores së Aleksandrit të Madh. Fontana do të jetë me pllaka speciale graniti si dhe ndriçim special që do të ketë një kosto të lartë për mirëmbajtje. Projektin do ta punojë kompania “Transmet” nga Shkupi, e cila ka fituar tenderin. Një pjesë e mjeteve janë siguruar nga Qyteti i Shkupit, dhe pjesa tjetër nga Qeveria.
Derisa po vazhdon realizimi i këtij projekti të radhës, tashmë kanë ngelur të parealizuara tre përmendoret e personaliteteve historike shqiptare, që po presin vite të tëra për t`u vendosur, edhe atë në pjesët më pak të ekspozuara të sheshit qendror të Shkupit. Komuna Qendër kishte informuar se përmendoret e Nexhat Agollit, Josif Bagerit dhe të Pjetër Bogdanit do të vihen deri në fund të vitit 2012, por ky vendim akoma nuk është realizuar.
Nga partitë shqiptare nuk ka pasur ndonjë reagim për koston e fontanës, kur dihet se shumica e vendbanimeve apo pjesa tjetër e Shkupit, përballet me probleme elementare infrastrukturore.







