Borxhi bllokon 10 shkolla në Strugë
Afërsisht rreth 1.23 milionë euro është borxhi i akumuluar i 11 shkollave fillore dhe 2 të mesme të Strugës ndaj palëve të treta, konfirmojnë nga pushteti vendor. Si pasojë e kësaj performanc të vështirë financiare rezulton që tashmë 10 shkolla të funksionojnë me xhirollogari të bllokuar përveç dy shkollave të mesme dhe shkollës fillore ”Nuri Mazari” të Dollogozhdës. Nga Komuna e Strugës për këtë situatë të vështirë financiare fajësojnë borxhet e trashëguara në vite si mos ndërhyrjen e pushtetit qendror, i cili nuk ka gjetur mekanizëm që nëpërmjet bllok donacioneve të kontribuojë në tejkalimin e kësaj situate e cila do të vështirësohet edhe më shumë sipas tyre në rast se nuk ndërhynë qeveria me mjete shtesë në këtë drejtim. Suria Rashidi, përgjegjës për arsim dhe kulturë në Komunën e Strugës, gjendjen e disa shkollave fillore në aspektin financiar e përshkruan si afër kolapsit, sepse, sipas tij, tashmë disa shkolla nuk mund të paguajnë transportin e nxënësve, harxhimet e nxehjes qendrore dhe mbi të gjitha nuk mund të bëjnë asnjë veprim financiar për nevojat imediate të tyre. “Padyshim që gjendja si pasojë e borxhit të trashëguar në vite nga administrata e kaluar është problematike në disa shkolla fillore dhe mund të thuhet apo të përkufizohet tejet e vështirë, sepse realisht ato nuk disponojnë mjete për funksionimin e tyre normal duke filluar nga transporti, ngrohja apo edhe për nevoja të tjera që duhet për një aktivitet normal. Ne për këtë gjendje e cila mund të keqësohet në të ardhmen i kemi informuar strukturat përkatëse të pushtetit qendror të cilat duhet të gjejnë zgjidhjen, sepse me arsimin nuk mund dhe nuk duhet të luhet”, përfundon Rashidi. Sipas të dhënave paraprake shkolla e mesme “Ibraim Temo” rezulton me rreth 300 mijë euro detyrime, ndërsa pas saj vjen shkolla fillore ”Vëllezërit Milladinovë” me rreth 250 mijë euro. Më së shumti mungesa e mjeteve po penalizon shkollat në mos pasjen e parave të mjaftueshme për ngrohjen, transportin apo dhe për investimet e domosdoshme për mirë mbajtjen e godinave shkollore, për arsye se pjesa më e madhe dotacioneve shkon për paga. Ndërkohë, mjetet e parashikuara për harxhimet janë të pamjaftueshme dhe mbulojnë vetëm pesëdhjetë për qind të harxhimeve reale që kanë shkollat gjatë një viti. E gjithë kjo situatë problematike që po vazhdon prej disa vitesh ka nxitur debate dhe polemika të shumta por deri tani zgjidhja nuk është dukur ndërsa nga ana tjetër hendeku i borxhit të akumuluar është thelluar. Ndërkohë, e gjithë kjo situatë e vështirë financiare po reflektohet për keq edhe në kompanitë transportuese të cilat ankohen se nuk po paguhen për punën e tyre prej vitesh. (P.L.)








