Foli Policia: Kthehuni atje ku e keni vendin!!!
|
Irfan Agushi
Fotografia, e cila flet më mirë se çdo analist, historian, politikan dhe njohës i kësaj cope tokë, që quhet Maqedoni.
Shkoni, se atje e keni vendin. Aty në „geto“! Pjesën tjetër të qytetit.
Atë për të cilën e keni patjetër të paguani edhe ju, mos e prekni. Ajo na takon „neve“ dhe „disave“ nga ju.

Aty mund të qëndrojnë, vetëm ata për të cilët ju vraponi, ziheni dhe hidhëroni mes veti. Pra prisheni me shokë, vëllezër, motra e miq. Ata që ju i votuat, ata i mbrojmë „ne“. Prandaj ikni atje ku e keni vendin, dhe mos na i shqetësoni, patriotët tanë, të cilët i vendosëm falë politikës „qytetëruese“ të partive shqiptare. Pra mos na e shqetësoni carin Dushan, e mbretin Samoil.
A nuk e shihni se nuk keni asnjë mbrojtje. Pse dilni në protesta, kur nuk ka kush e thotë një fjalë në dobinë tuaj. A nuk e shihni se ata, për të cilët ju betoheni, nuk dëshirojnë të ndëgjojnë. Madje shumë shpejt do ju bëjnë juve fajtorë se sulmuat policinë. Ju ishit ata që inicuat problemin, ju ju ju dhe vetëm ju, do të dilni fajtorë.
Dhe që është më e keqja, ashtu siç jemi mësuar të ndëgjojmë edhe më herët. Protestat, kanë një prapavi tjetër, ata i organizoi nëntoka serbe, greke, bullgare, ect. Ata nuk e duan stabilitetin e vendit.
Pra ky do të jetë epilogu i zhvillimit të ngjarjeve në vazhdim. Ky do të jetë vlerësimi i shumë njerëzve të shitur, që dëshirojnë ta minimizojnë mesazhin më të madh të shqiptarëve të Maqedonisë kundrejtë padrejtësive që ju bëhen në vazhdimësi.









