Shkup, sot priten protesta masive nga shqiptarët e Maqedonisë
|
Shkupi sot pritet të përfshihet nga protesta masive që organizohen nga Shqiptarët, por që janë paralajmëruar se do të organizohen edhe nga maqedonasit si kundërpëgjigje ndaj shqiptarëve.
Edhe pse askush zyrtarisht nuk është paraqitur si organizator i protestave, thirrje për të protestuar janë bërë në rrjetet sociale.
Një javë më parë ishte organizuar një protestë e ngjashme në Shkup, por ajo eskaloi kur policia filloi t’i rrahë të rinjtë shqiptarë që kishin dalë për të shprehur pakënaqësinë kundër rastit “Monstra” ku u dënuan me burg të përjetshëm 6 shqiptarë.
Në Shkup gjatë mëngjesit situata është e qetë, vërehen policë gjithandej nëpër rrugë ku pritet të kalojnë protestuesit, janë larguar të gjithë koshat e plehërave rreth rrugëve të cilat javën e kaluar u dogjën dhe u përplasën nga protetsuesit, ndërsa si masë shtesë për të mbikqëyrur tërësisht protestën policia gjatë ditës së djeshme ka vënë kamera kontrolli nëpër shtyllat elektrike të rrugëve.
Protestues janë paralajmëruar të vijnë në Shkup edhe nga qytetet tjera të Maqedonisë dhe të Kosovës.
Të gjithë politikanët, oragnizatat e ndryshme, shoqatat joqeveritare, ish-komandantë të UÇK-së, fytyra publike, këngëtarë e artistë, kanë deklaruar se e përkrahin protestën, por të gjithë kanë bërë apel që ajo të jetë e qetë dhe në të mos të përdoret dhunë.
Prijësi fetar i myslimanëve në Maqedoni, Sulejman ef. Rexhepi ka kërkuar nga protestuesit që përveç flamurit kombëtar shqiptar në protest mos të përdoret asnjë flamur tjetër që nuk është i shqiptarëve.
Edhe partitë shqiptare BDI dhe PDSH kanë thënë se protesta duhet të jetë e qetë, ndërsa apel për protesta të qeta janë bërë edhe nga kreu i qeverisë dhe presidenti i shtetit të Maqedonisë, megjithatë ata i vlerësojnë protestat si presion ndaj gjykatave.
Protesta gjatë javës së kaluar janë mbajtur në të gjitha qytet shqiptare në Maqedoni, si në Kumanovë, Shkup, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Strugë etj, në kryeqendrat shqiptare Prishtinë e Tiranë dhe në qytete tjera si Shkodra ose Prizreni.
Protesta janë organizuar nga shqiptarët edhe në Turqi, ndërsa pritet të organizohen edhe në Bern të Zvicrës, Londër të Britanisë së Madhe, Nju Jork dhe Çikago në SHBA etj.
Përveç reagimeve zyrtare për situatën në Maqedoni nga Tirana dhe Prishtina, mjaft të shqetësuar janë shprehur edhe nga Brukseli zyrtar.
Protesta e sotme është paralajmëruar të fillojë pas orës 13:30 nga qendra tregtare Çairçanja në Shkup.









