Kliçko dëboi prorusët, Nuri Seferi do të dëbojë proserbët
|
FEJZI HAJDARI
Tajsoni Shqiptar- Nuri Seferi po bëhet simbol i revoltës sonë kundër forcave proserbe që pretendojnë se përfaqësojnë shqiptarët e Maqedonisë, njëjtë sikurse që u bë Vitalij Kliçko simbol i luftës së forcave properëndimore kundër forcave proruse në Ukrainë.
Çfarë krenarie ishte të premten të jesh shqiptar në Shkup! Ishte krenari e papërshkrueshme të jesh pjesë e protestës së udhëhequr nga figura të panjollosura kombëtare dhe të dëgjosh jehonën e tingujve të këngës “Besa-besë”. Ishte krenari të cilën e përjetuan në shpirtin e tyre mbi dhjetë mijë shqiptarë të Shkupit dhe qyteteve tjera të Maqedonisë, por edhe mijëra shqiptarë nga Shqipëria e Kosova të cilët u penguan të bëhen pjesë e protestës. Ishte krenari që e përjetuan miliona shqiptarë anembanë botës, që kanë pasur mundësi të përcjellin pamjet e kësaj proteste madhore dhe të dinjitetshme.
Nga ana tjetër, antishqiptarët moti kohë nuk janë ndier keq në Shkup sikurse të premten. Vetëm armiqtë e shqiptarëve, kanë përjetuar panik të vërtetë nga masiviteti i kësaj proteste. Por pak më keq se armiqtë e shqiptarëve, me siguri janë ndier “shiptarellat”, një soj i ri i shqipfolësve, që kënaqësinë më të madhe e përjetojnë kur janë në shërbim të armiqve tanë që kanë të përlyera duart me gjak shqiptari. Askush më tepër se shiptarellat nuk frikohet nga zgjimi i shqiptarëve të vërtetë, sepse me zgjimin e shqiptarëve të vërtetë, “shiptarellat” humbin postet dhe beneficionet që i shfrytëzojnë në emër të shqipatrëve.
Të tërbuar nga frika dhe të vetëdijshëm se veçmë ju ka ardhur fundi, ky soj i poshtër shqipfolës, nuk ka kursyer kritika të fëlliqura as ndaj figurave të mëdha kombëtare, të cilat me çdo paraqitje të tyre na bëjnë krenarë që jemi shqiptarë.
Këto specie (shiptarellat), që verbërisht pasojnë doktrinën politike të Rrahman Morinës, janë mësuar që gjatë tërë jetës t’i shërbejnë herë LSDM-së e herë VMRO-së, prandaj për ta është e pakuptueshme që të ketë një figurë shqiptare siç është Nuri Seferi. Ai nuk është kursyer nga etiketat e “shiptarellave” të cilët veçmë e kanë të qartë se Nuriu po bëhet simboli i rezistencës sonë, kundër forcave proserbe që pretendojnë se përfaqësojnë shqiptarët e Maqedonisë, njëjtë sikurse Vitalij Kliçko u bë simbol i luftës së forcave properëndimore kundër forcave proruse në Ukrainë. Çdo shqiptar e ka të qartë se Tajsoni Shqiptar nga fshati Koritë i Gostivarit, posedon atributet e nevojshme kombëtare, intelektuale dhe sportive, si dhe guximin për të udhëhequr shqiptarët e Maqedonisë në një fitore e cila do të kthejë dinjitetin tonë të nëpërkëmbur nga elita shqipëfolëse.








