“Vera e Ohrit” dhe minimizimi i kulturës dhe artit shqiptar
Sonte nis festivali ndërkombëtar “Vera e Ohrit”, por kultura shqiptare gati se është anashkaluar tërësisht.
Në këtë festival muzikor - skenik që hapet sonte dhe do të vazhdojë deri më 20 gusht, edhe kësaj radhe nuk ka preferenca për të ftuar artistë dhe për të pasur prani të merituar të vlerave kulturore dhe artistike shqiptare, por kemi vetëm një përfaqësim simbolik, që për çdo vit tkurret edhe më shumë.
Gjatë 40 ditëve sa do të zgjasë festivali i 54 “Vera e Ohrit”, në pjesën programore muzikore do të perfomojnë artistë dhe ansamble, pos atyre nga Maqedonia edhe nga: Argjentina, Kina, Izraeli, Ermenia, Kazahstani, Rusia, Polonia, Gjermania, Franca, Italia, Kroacia, Srbia dhe Shqipëria, që do të “përfaqësohet” nga violinisti Jonian Ilia Kadesha në duet me pianistin gjerman Florian Glemser.
Hapja e festivalit do të bëhet në Teatrin antik në Ohër me duetin e muzikës klasike Barbara Frittoli – soprano nga Italia dhe Leo Nucci –bariton nën drejtimin e maestro Luis Gorelik, të shoqëruar nga Filharmonia e Maqedonisë.
Do të pasojnë koncertet e pianistes nga Maqedonia, Elena Misirkova, mandej Elizabeth Leonskaja-Rusi-piano; koncerti i “Mozart Group- string quartet” nga Polonia; koncerti i Arkadi Volodos- Rusi, një nga pianistët më të mirë të kohës, Narek Hakhnazaryan, vilonçelist nga Ermenia, pianisti nga Kroacia Maksim Mrvica, dueti i Ning Feng nga Kina-violinë dhe Thomas Hoppe-Gjermani-piano, koncerti i korit nga Izraeli “Voca People” mandej vëlla e motër Kirill Troussov (Rusi-Gjermani)-violine dhe Aleksandra Troussova (Rusi-Gjermani)-piano. Në këtë edicion do të jenë të pranishëm edhe tenori serb që jeton në Gjermani Zoran Todorovich dhe violinisti Jovan Kullunxhija.
Vazhdon festivali me koncertin “A nigjt in Paris” me trio: Gabriel Tacchino-Francë-piano, Gianluca Belfiori-tenor Itali dhe Maurizio Moretti-piano Itali, ndërsa një ditë para mbylljes së edicionit të 54, është koncerti i ansamblit 90 anëtarësh “ Shenzhen” nga Kina, koncert i titulluar “Shenzhen Symphony Orchestra”.
Përfaqësuesi i vetëm shqiptar në pjesën muzikore të këtij edicioni, është violinisti i njohur Jonian Ilias Kadesha i lindur më 1992, i cili jeton në Greqi.




